2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga Redi Shehu: Filania, e shoqja e filanes(!!!)

Molepsja anti-njerëzore e të dashuruarve të të njëjtit seks

Më të lexuarat

Një ndër debatet e hapura në mënyrë ciklike sa herë që afrohen data të caktuara simbolike, të cilat promovojnë çiftet e të njëjtit seks, është edhe ndërkallja mbi atë se çfarë është familja dhe cili është definicioni i martesës? Duket çudi për një pjesë të madhe të njerëzve një debat i tillë, por ajo që nuk përbën fare çudi, është fakti se tashmë kjo gërricje është një realitet kokëfortë në të gjithë Perëndimin e për pasojë edhe në Shqipëri. Ama, ajo që përbën një taksë të rëndë intelektuale, është sipërmarrja për t’iu përgjigjur pyetjeve absurde, të cilat si pasojë e diskursit relativizues, insistueshëm kërkojnë përgjigje publike e jo vetëm kaq, por kërkojnë ripërcaktim dhe rimoralizim të koncepteve dhe praktikave bazë të shoqërisë njerëzore. Kjo, në emër të një rendi të ri shoqëror vizatuar në terrene psikologjike veçanërisht problematike.

Mbrojtësit e pikëpamjes se martesa tradicionale duhet rishikuar dhe konceptet e saj duhen rimodeluar, janë edhe mbështetësit e martesave mes të njëjtit seks. Përkufizimi i tyre i martesës është tipikisht i thjeshtë dhe retorika argumentuese e tyre mbështetet mbi faktin se bazë e martesës duhet të jetë dashuria dhe emocioni seksual. E bukura e këtij pretendimi është se ata nuk bien dakord që të krijojnë një entitet tjetër social “konkurrues” jashtë martesës tradicionale, por kërkojnë që t’i bashkëngjiten kësaj të fundit, duke e ndryshuar tërësisht atë.

Pra, një marrëdhënie imponimi e nevoje, pak absurde. Mirëpo, koncepti i martesës heteroseksuale, i cili është edhe ai tradicional dhe masiv, është një praktikë sociale e bazuar së pari mbi transhendencën, pra në perspektivën e krijimit, martesa zbriti si institucion njëkohësisht me dy njerëzit e parë (Adamin dhe Evën), kryekëput bazuar në arsyen e përbashkët njerëzore, e cila si rezultat përfundimtar ka të mirën e përbashkët shoqërore. Pra, martesa në botëkuptimin religjioz nuk është strukturë e krijuar nga vetë krijesat, porse një institucion i zbritur nga Krijuesi si model i gatshëm mbarëvajtjeje shoqërore, gjë që nënkupton autenticitetin dhe pandryshueshmërinë e këtij modeli, ngase i vetmi autoritet i cili mund ta ndryshojë këtë koncept, është vetëm autori i saj.

Ndërsa koncepti i dytë i martesës është i bazuar mbi racion njerëzore e cila thotë se tre kolonat e qytetërimit janë objektet e kultit, qeverisja dhe martesa dhe se dëshirat nuk justifikojnë sjelljet e qytetërimi nuk është gjë tjetër në thelb, veçse disiplinim ndaj dëshirave destruktive. Në këtë kuadër, martesa si institucion, është mekanizmi më i strukturuar i disiplinimit të dëshirave destruktive në modernizëm, duke nënkuptuar se është i vetmi mekanizëm që mbron qytetërimin tonë. Por, le të merremi me konceptin e dytë, se ai i pari religjioz është më i thjeshtë në përfundim.

Tiparet themelore të martesës tradicionale janë bashkimi i një çifti heteroseksual, lidhjet speciale me fëmijët dhe ekskluziviteti. Pra, martesa duhet të ketë tiparin e ekskluzivitetit heteroseksual bashkëshortor, që të konsiderohet e tillë dhe e shëndetshme shoqërisht. Po përse? Studiues të shumtë të sociologjisë dhe ligjit arrijnë në përfundimin se te martesat tradicionale, bashkimi trupor përfshin koordinimin trupor me qëllimin për të përftuar një të mirë trupore dhe e mira biologjike e bashkimit trupor është riprodhimi. Riprodhimi si e mirë trupore është jo vetëm i tillë, por është edhe e mirë publike. Kjo e mirë publike nuk mund të sillet në shoqëri veçse përmes bashkimit mes një burri dhe një gruaje, të cilët janë të vetmit që mund ta konceptojnë dhe ta formësojnë atë.

Te bashkimi i personave të të njëjtit seks, nuk mund të arrihet e mira trupore si e mirë publike dhe meqë riprodhimi, fëmijët pra, janë domethënia e vetë martesës, atëherë në rastin e homoseksualëve, bashkimi nuk mund të konsiderohet martesë pikërisht prej paaftësisë për të sjellë një të mirë trupore. Edhe pse bashkimi homoseksual mund të sigurojë fëmijë të dalë prej proceseve laboratorike, ato përsëri humbin tiparin ekskluziv që një çift heteroseksual ka, sepse fëmija në epruvetë i përket një trioje prindërish, dy homoseksuale dhe një anonim, të cilët nesër i shkaktojnë psikologjikisht një dilemë të fortë identitare dhe vetëperceptuese fëmijës.

Dallimi te martesat heteroseksuale është se ato kanë veti trashëgueshmërie, pra përfundon me një trashëgimtar dhe produkt që është e mirë publike, ndërsa martesat homoseksuale maksimumi mund të prodhojnë një soj “emocioni” i cili nuk ka vlerë trashëgueshmërie dhe si i tillë del nga tipologjia e bashkësisë bashkëshortore ekskluzive. Mbështetësit e martesave të të njëjtit seks pretendojnë se edhe çiftet heteroseksuale sterile martohen e adoptojnë fëmijë dhe bashkimi i tyre quhet martesë, përse kjo nuk duhet të ngjajë me homoseksualët, të cilët mund të adoptojnë edhe ata fëmijë? Themi, se familjet tradicionale pa fëmijë të shkaktuar si pasojë e sterilitetit apo arsyeve të tjera të bashkëshortëve, quhet martesë, sepse ata potencialisht janë prokrijues, riprodhues dhe realiteti në të cilin ata jetojnë nuk është vullneti i tyre. Ndërsa çiftet homoseksuale janë që në premisë joriprodhues dhe vullneti i tyre qëndron pikërisht në të kundërtën, se duan të bashkohen duke mos pasur asnjë shans thelbi martesor riprodhimi.

Fëmijët e adoptuar nuk krijojnë atë lidhjen biologjike me prindërit, sepse martesa reale tradicionale në fund të fundit është një premtim solemn përgjegjësish, e cila çon drejt realiteteve morale që krijojnë përgjegjësi mes palëve. Nuk është thjesht prezenca e dy prindërve, por është prezenca e dy prindërve biologjikë që ndikon në zhvillimin pozitiv tek fëmijët. Fëmijët e adoptuar nëse kanë dy gra si prindër nuk do të dinë përgjigjet e një babai dhe ato fëmijë që kanë dy meshkuj si prindër, nuk do të kenë kurrë përgjigjet e një nëne. Tek martesat homoseksuale del në pah një hendek i madh mes martesës dhe prindërimit, i cili padyshim çon në shpërbërjen e idealit të familjes. Burri dhe gruaja në një familje normale sjellin prurje të ndryshme psikologjike në procesin e prindërimit, prurje të cilat nuk mund të garantohen kurrë nga dy individë seksualisht të njëjtë, të cilët nuk garantojnë nesër asnjë përgjegjësi ndaj një fëmije të adoptuar, që në fund të fundit nuk është i tyri.

Nëse do ta mbështesnim martesën vetëm tek emocioni dhe seksi, atëherë automatikisht do të binte arsyeja për t’u martuar, jo vetëm kaq, por duke qenë se ana emocionale nuk është stabile, atëherë edhe martesa po të mbështetej vetëm mbi këtë element nuk do të ishte gjithashtu e qëndrueshme. Që të jetë e qëndrueshme, duhet një faktor stabiliteti dhe përgjegjësie, i cili përmblidhet me riprodhimin. Prandaj, përpjekja për të ripërcaktuar martesën mbi “bashkimin emocional” dhe jo prokrijimit, përmes sjelljes në jetë të fëmijëve, është përpjekje që kurorëzohet me ndryshimin e kuadrit ligjor për sa kohë ky i fundit formëson edhe normat kulturore të një shoqërie, atëherë në thelb, kjo iniciativë synon ndryshimin e tabanit kulturor dhe tronditjen e një prej kolonave të rëndësishme të shoqërisë që ka ngelur ende në këmbë, siç është martesa. Pra, transformimin më shumë se në aspektin juridik, mbështetësit e martesave homoseksuale duan ta bëjnë në kulturë. Që ta bëjnë këtë ata duhet të ndryshojnë “arsye publike” dhe për të ndryshuar arsyen publike, duhet të japin prova gjithashtu të arsyeshme për qenien njerëzore.

Duke bërë edhe pak opozitë me qasjen pozitiviste që ekziston sot në botë lidhur me natyrën e ligjit, nëse ai përbën dhe përmban kontekst moral, mund të themi se vetë ligji si rregullator i shoqërive, bazohet në dy premisa të rëndësishme, atë të dimensionit moral të tij dhe efektit përplotësues që ai ka mbi normalitetin publik të individit. Dimensioni moral i ligjit edhe pse nuk është i definuar qartazi në funksionet e tij, është dimension, i cili buron që në premisë të ligjit. Sepse ligji vendoset nga shoqëritë për të ruajtur, mbajtur e mirëmbajtur disa vlera morale universale. Ligjet e sotme të cilat dënojnë, gjobisin, e në disa vende edhe ekzekutojnë, kanë si kriter vlerësimi në thelb qasjen ose jo morale të individëve me shoqërinë, shkeljet ose jo të tyre në raport me këtë kuadër ligjor. Debati mbi homoseksualët, ashtu si edhe debate te tjera të natyrës së të drejtës individuale, janë pika ku shoqëria takohet me të çarat e veta përsa i përket të kuptuarit të konceptit të lirisë. Të kuptuarit e lirisë përfshin formën se si projektohet roli i individit dhe përgjegjësitë e tij në shoqëri. Është mbi të gjitha një debat mbi lirinë, sepse pothuaj të gjitha kategoritë të cilat duan të “thyejnë vargonjtë” e të tashmes dhe historikes, në emër të një koncepti të ri, e bëjnë këtë mbi ndjenja dhe emocionet dhe asesi bazuar në arsye publike. E nëse kërkojnë që këtë ta justifikojnë në kuadrin e të drejtave të njeriut, atëherë çdo e drejtë e njeriut nuk qëndron jashtë arsyes publike dhe çdo gjë tjetër që nuk është arsye publike nuk konsiderohet e drejtë e njeriut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit