12.6 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Nga Justinian TOPULLI: Mbulesa e gruas myslimane dhe zelli patetik i injorantëve

Më të lexuarat

Nga Justinian TOPULLI

Në vitin 2008, gazetari kosovar E. Robelli shkroi një artikull kundra shamisë së gruas myslimane, duke u futur në çështje tërësisht fetare, nga të cilat nuk merr vesh. Të njëjtin argumentim e përsërit në 2010-n në një tjetër shkrim, dhe tani për herë të tretë, përsërit po të njëjtën gjë. I vetmi dallim i kësaj here, është se tezën e tij diletante e kanë marrë përsipër ta riciklojnë gazeta të ndryshme, shumë më tepër se dy herët e para. Edhe në dy herët e para i kam dhënë përgjigje me shkrim amatorizmit të Robellit, por duket se ai jo vetëm që nuk ka ndërmend të tërhiqet nga injoranca e tij e shëmtuar, por këtë çështje e ka bërë pjesë të misionit të tij antifetar dhe antimysliman.

Shkurtimisht “argumentet” e Robellit janë:

· “Askund në Kuran nuk shkruan se gratë duhet të mbulojnë kokën, e lëre më fytyrën.”
· “Gruaja myslimane duhet të mbulojë kokën me hixhab (ḥiǧāb), domethënë me shami. Kështu thonë islamikët me agjendë politike, por edhe besimtarët tepër konservatorë ose naivë. Por në suren 33, vargu 59, hixhabi nuk përmendet fare. Përmendet xhilbabi, që dijetarët gjermanë e përkthejnë me «Gewand» apo «Überwurf», që i bie: një mbulesë, pelerinë për trup – që të mos shihen pjesët e turpshme, intime. Në shqip fjala xhilbab përkthehet si «shami», gjë që është e pasaktë, sepse për shami ekziston fjala hixhab.”
· “Në suren 24, vargu 31, u bëhet thirrje grave të mbulojnë gjoksin me pelerinë (arabisht: khimar). Në gjermanisht: «Und sag den gläubigen Frauen, sie sollen (…) ihre Tücher (chimâr) über ihre Busen ziehen». (Thoni grave besimtare të mbulojnë gjoksin me pelerina).”
· “Në disa përkthime shqip të Kuranit (në mos në të gjitha) gjoksi përkthehet me kraharor, i cili, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, përshkruan pjesën nga qafa deri te barku. Gjermanët janë më precizë. Dhe kjo është e kuptueshme.”
· “Të kthehemi te çështja e sureve dhe te shamia. A po e vëreni mungesën e logjikës? Në dy suret e Kuranit, të cilave islamikët u referohen si burim i obligimit për bartjen e shamisë nga gratë, fjala shami (hixhab) nuk përmendet fare. Si është e mundur që zoti, për të cilin thuhet se e ka shpallur Kuranin përmes të dërguarit të tij, të përdorë dy shprehje krejtësisht të ndryshme për një gjë, një objekt? Nëse zoti do të kishte menduar shaminë do ta kishte thënë këtë qartë: hixhab (ḥiǧāb).”

Këto më lart janë pak a shumë “argumentet” e Robellit, me të cilat tenton të hedhë poshtë mbulesën e gruas myslimane. Këtu nuk po citoj retorikën e tij të pështirë ideologjike, majtiste e liberale, që shan dhe ofendon myslimanët si të prapambetur, si para mesjetarë, si fanatikë, si keqpërdorues të fesë për interesa politike etj., sepse ajo është pjesë e amatorizmit të tij, për të mbushur gropat e gjirizit të injorancës së tij të pështirë.
Para se t’i japim përgjigje këtyre broçkullave të këtij njeriu, më duhet të pohoj se feja islame bazohet tek Kurani dhe Tradita Profetike, por veç kësaj, ekziston edhe një burim i tretë që quhet konsensusi i dijetarëve myslimanë (ixhmai), që në fakt nuk është gjë tjetër, vetëm se konsensusi i interpretimit dhe të kuptuarit unik i dy burimeve të mëparshme, për çështje të caktuara të fesë.
Po e nis pikërisht nga kjo e treta çështjen e shamisë.

Dijetarët e Islamit, duke nisur që nga fillimet e Islamit e deri në ditët e sotme, janë të një mendimi, se mbulesa e trupit për gruan myslimane ku përfshihet edhe koka, është e detyruar të mbahet në publik dhe gjatë ritit të faljes. Këtë qëndrim kanë të katër shkollat juridike sunite: hanefi, maliki, shafi dhe hanbeli, madje edhe të tjera shkolla që nuk i përkasin drejtimit kryesor dominues të Islamit, atij suni. Kjo normë është trashëguar e tillë që nga koha e Profetit dhe deri në ditët tona. Përveç kësaj, mbulesa e gruas është një praktikë fetare shumë e hershme, e cila gjendet edhe në traditën fetare judaike dhe atë të krishterë, mjafton një rifreskim i memories rreth ikonografisë së krishterë, për të gjithë injorantët e kohëve moderne, për të kuptuar se të gjitha personazhet e shenjta të krishterimit, duke nisur nga Maria, nëna e Jezusit, e deri tek shenjtorja më e fundit, që të gjitha ishin gra të mbuluara me shami. Edhe sot e kësaj dite në kishën katolike dhe atë ortodokse, murgeshat respektojnë këtë normë fetare, e cila nuk ishte ekskluzive vetëm për to, por për të gjitha gratë e krishtera. Ky konsensus kaq i gjerë në këtë normë fetare dhe në praktikën shumëshekullore të besimtareve të këtyre feve, shihet qartë edhe në traditën dhe kulturën e mjaft popujve, ndërkohë që ishte epoka moderne, ajo që i hoqi masivisht gruas shaminë e kokës e më shumë se kaq, dhe e ktheu në normalitet zhveshjen.

Tani nëse i kthehemi Kuranit, e vërteta e padyshimtë është se detyrimi i shamisë për gratë myslimane është e sanksionuar në mënyrë eksplicite në të dhe në mënyrë tejet interesante, siç do ta shpjegojmë më poshtë. Kështu, në Kuran 24:31 thuhet:
“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre…” (përkthimi i Hasan Nahit, botim i A.I.I.T.C).
Fraza: “Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës)”- është ajo që obligon vënien e shamisë për femrat në publik. Këtë frazë në mënyrë të ngjashme e ka përkthyer edhe Sherif Ahmeti. Fjala në arabisht e përdorur në këtë rast është khumur, shumësi i fjalës khimar që do të thotë mbulesë koke (apo vel) (shih: Muxhem el-Uesit, Lisanul Arab, …etj.) Ky është kuptimi i kësaj fjale në gjuhën arabe, kush dyshon, mund t’i kthehet fjalorëve klasikë të saj.

Robelli duke iu referuar përkthimit gjerman thotë për fjalën khimar se do të thotë pelerinë dhe jo shami. Kjo në fakt nuk është e saktë, por edhe nëse e pranojmë fjalën pelerinë, kjo është një pelerinë që hidhet mbi kokë dhe jo mbi shpatulla, siç aludon Robelli.
Ndërkohë që fjala Tücher që ai sjell si përkthim, është shumësi i fjalës Tuch në gjermanisht, që do të thotë: pëlhurë, stof, shami, vel, shall…, dhe kjo në varësi të kontekstit, ose përcaktimit që i bëhet kësaj fjale. Kështu që edhe përkthimi i Robellit nga gjermanishtja, në këtë rast si pelerinë, është krejt abuziv dhe i pasaktë.

Nëse shohim edhe në anglisht, në disa nga përkthimet më të mira, si ai i Abdullah Y. Aliut, pasazhi përkthehet kështu: “they should draw their veils over their bosoms”
Arthur John Arberry e përkthen: “and let them cast their veils over their bosoms”
Muhamed Asad (Leopold Weiss) e përkthen: “let them draw their head-coverings over their bosoms.”
Marmaduke William Pickthall e përkthen: “and to draw their veils over their bosoms,”
Ndërsa në italisht Hamza Roberto Piccardo e përkthen: “di lasciar scendere il loro velo fin sul petto”

Në të gjitha këto raste, fjala khimar përkthehet si vel dhe mbulesë koke, e nëse do të ishim zgjatur edhe me përkthime të tjera, të njëjtën gjë do të gjenim, meqë atyre në shqip, Robelli nuk ua ka besën. Kështu që pretendimi i Robellit, është thjesht një injorancë kryeneçe dhe e paskrupullt.

Ndërsa fjala që është përkthyer si “kraharor” në shqip dhe gjoks në anglisht dhe gjermanisht, në arabisht është xhujub, shumësi i fjalës xhejb, që në shqip do të thotë ekzaktësisht zgavër, xhep, dhe në arabisht përdoret si për hapjen e rrobës ku futet koka, ashtu edhe për xhepin ku mbajmë sendet personale. Kështu që as përkthimi gjerman me fjalën “gjoks”, që Robelli e mburr si më të saktë, është veçse një fjalë perifrazuese, që nuk gjendet fare literalisht në këtë ajet. Edhe përkthimet e tjera të njëjtën gjë bëjnë, nuk e përkthejnë fjalën xhejb, por në vend të saj vendosin një tjetër fjalë, që perifrazon qëllimin e fjalës xhejb në arabisht, që në këtë rast është kraharori, apo gjoksi. Për ta kuptuar pse është përdorur kjo fjalë në gjuhë të tjera, çoni nëpër mend një veshje pa mëngë, që ka tre të çara, një tek koka dhe dy tek krahët, ku të tria këto të çara në gjuhën arabe quhen xhejb-e. Pra kuptimi i ajetit thotë: le të mbulojnë me mbulesat e kokës (khumur) vendet e xhejb-eve dhe që në këtë rast i bie të mbulojnë hapjen e rrobës ku del qafa dhe vendet ku dalin krahët, sepse pikërisht këto janë vendet e trupit ku ndodhen xhejbe-t. Veç kësaj, xhejb është edhe zgavra, apo hapësira boshe që gjendet mes gjinjve, kështu që ky khimar që duhet të lëshohet nga koka, duhet të mbulojë pikërisht të gjitha këto zgavra, që tregon fjala xhejb në gjuhën arabe. Kështu që nga përkthyesit shqiptarë dhe jo vetëm, është parë më e përshtatshme që kuptimin e kësaj fjale që nënkupton këto vende, ta zëvendësojë fjala kraharor, sepse praktikisht një gjë e këtillë kërkohet nga ajeti në fjalë. Për ta pasur më të qartë këtë gjë, i kthehemi traditës islame dhe do të shohim se ajeti nuk flet drejtpërdrejt për mbulimin e kokës, pasi gratë myslimane e mbulonin kokën, por ato i lëshonin shamitë pas shpine dhe kështu mbeteshin të zbuluara disa pjesë përpara, për të cilat Zoti i urdhëroi që t’i mbulonin, duke lëshuar shaminë e kokës përpara, pra mbi kraharor. (shih: Komenti i Kuranit nga Ibn Kethiri, Komenti i Eth-thalebiut,..etj.) Pra, këtu nuk bëhet fjalë për çfarëdolloj mbulimi, por për shaminë e kokës që lëshohet mbi kraharor.
Ajo që e përforcon më tepër këtë, është edhe shprehja e mëpasme, ku Zoti thotë: “të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme.”

/berat.tv/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit