1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nga Enklid PELARI: Edhe njëherë mbi thagmën naive “kombi apo feja?”

Më të lexuarat

Shpesh në ligjërimin publik dhe mediatik shqiptar dëgjon tezën përjashtuese më të çuditshme që ka njohur historia moderne dhe e cila inkorporohet në pyetjen: ‘’Kë do zgjedhësh, kombin apo fenë?’’.

Megjithëse kjo pyetje në vetvete ngrihet në pikëpyetje me pyetjen: “E pse kombi dhe feja duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën kur kanë bashkëjetuar shumë mirë?!’’, sërish ne do t’i japim një trajtesë kësaj qasjeje në mënyrë që të thyejmë tabutë dhe pse jo, ndoshta të hapim dhe një debat publik në mënyrë që të shkarkohemi nga këto klishe dhe nocione eklektike të të menduarit, të cilat nuk dihen se ku na u ngjizën infektueshëm neve si shoqëri, në tranzicion apo në komunizëm.

Sapo t’i përmend termin “fe”, dikush prej kombëdashësve apo filo-kombësave të hidhet në sulm me një arsenal akuzash dhe të thotë: “Hë! A do na riktheni teokracinë?’’. Nga ana tjetër, sapo përmend nocionin e atdhetarizmit tek disa religjiozë, edhe këta jo më pak të mangët se të parët, të vërsulen dhe të thonë: “Ja, e shite fenë për atdhenë!”. Në fakt që të dyja palët si pa dashur janë ndarë në dy ekstreme qasjeje dhe nuk e kuptojnë se ndoshta një “martesë” e këtyre dy nocioneve mund t’ia dalë të fle shumë mirë tek një shoqëri, madje që në “natën e parë”.

Ne s’mund të harrojmë faktin se shumë hoxhallarë shqiptarë që kanë qenë edhe atdhetarë janë sulmuar si nga brenda dhe nga jashtë fesë që i përkisnin. Hafiz Ali Korça dhe Ibrahim Dalliu janë disa prej tyre. Patriotët shqiptarë jo-muslimanë a laikë, i konsideronin këta si fanatikë, ndërsa vetë një pjesë muslimanësh i konsideronin këta hoxhallarë si renegatë.

Këtë e vë në dukje vet Hafiz Ali Korça në librin e tij “Shtatë ëndrrat e shqipërisë” kur thotë: “…kur luftoja për gjuhën shqipe quhesha latinxhi, përbuzesha e dënohesha me vdekje nga myslimanët, kurse tani që u formua një shqipëri e unë përpiqem për islamin, duke hapur edhe një medrese filluan të më thonë fanatik” –aludon për jo-muslimanët. Po ashtu, Ibrahim Dalliu rrëfen në kujtimet e veta se ai ka hequr njësoj si HafizAli Korça dhe se është burgosur për qëndrimet e tij qoftë nga Turqit, qoftë nga rebelët e Haxhi Qamilit.

Rebelimi i muslimanëve karshi tyre vinte për shak të qëndrimit që shumë hoxhallarë si Ibrahim Shkupi, Vehbi Dibra, Sherif Langu, Ferid Vokopola, Valdrin Dibra, Hafiz Ali Korça, Ibrahim Dalliu etj. mbajtën për gjuhën shqipe, shkëputjen nga Turqia dhe pavarësinë e shtetit shqiptar, duke nënkuptuar kështu edhe tolerancën fetare në të. Por në fakt, po të analizojmë të gjitha rrethanat dhe faktorët e mësipërm, del në pah se ishte pikërisht edhe elokuenca dhe gjenialiteti i këtyre hoxhallarëve që “shpëtuan’’ muslimanët në veçanti edhe shtetin shqiptar në përgjithësi.

Pa atdhe askush s’mund të jetojë! Po ashtu, feja, që është një nga elementët kyç të identitetit të njeriut modern, s’mund të frymojë pa atdhe. Aq i fortë është ky korelacion sa shpesh në Perëndim edhe targetimi individëve bëhet me baza fetare, qoftë kjo për interesa ekonomike apo për interesa elektorale. Teoricienët e moderniteti krenohen me idenë e shtetit-komb, pasi ky është produkti më i frytshëm i modernitetit i cili garantoi liritë e minoriteteve, liritë fetare dhe kulturore. Këtu natyrshëm ngrihet pyetja: “Sa shtet-komb modern jemi ne në ballkan?”

Fjala bie, kur intervistohesh në një institucion perëndimor, natyrshëm gjen në pyetësorin që plotëson pyetje si: “Çfarë kombësie je?”, “Sa shtetësi mban?”, “Çfarë gjinie je?”, “Në cilën fe beson?” e kështu me rradhë. Nëse një ballkanas do të ngrihej dhe do të thoshte “unë jam shqiptar si kombësi, por me nacionalitet jam anglez, sepse mbaj një pashaportë të këtij shteti dhe për rrjedhojë mos mi bëni bashkë ato të dyja sepse përjashtojnë njëra-tjetrën”, pa dyshim që kjo mënyrë e të sjellurit do të tingëllonte tepër çuditshëm tek zyrtari huaj. Pse ato duhet të ndahen kur në pasaportë shkruhet shumë bukur: “Origjina: Shqiptare, Nënshtetësia: Angleze”. Dialektika këtu fshihet tek fakti se kombësia dhe nënshtetësia janë pothuajse i njëjti lloj e rrjedhimisht duhet ta përjashtonin njëri-tjetrin. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë në të njëjtën vijë logjike do të vijë edhe ndarja e kombit nga feja apo anasjelltas, pasi shoqëritë e përparuara në një pyetësor i vendosin, sepse ato konsiderohen elementë heterogjenë identitarë, ndërsa në Ballkan identiteti vazhdon të jetë homogjen.

Në fakt, fryma e nacionalizmit e cila u përhap në shekullin XVIII-XIX ishte një frymë e nxitur kryesisht nga luftërat dhe përhapja e kolonializmit të kohës, pasi e tillë ishte epoka. Ndërkohë, pas viteve 1950 në Europë kjo frymë pothuajse ra totalisht, pasi tashmë nocioni i nacionalizmit u zëvendësua me parimin “integrim europian”.

Të jesh shtetas europian nuk ka më rëndësi se i cilës kombësi je, pasi gëzon të drejta të barabarta në të gjitha vendet e unionit. Një italian mund të votojë, punojë, tregtojë, martohet dhe divorcohet në Gjermani, Spanjë, Francë, apo ku të dëshirojë, sepse ai është shtetas europian dhe gëzon të njëjtat të drejta si gjithë qytetarët e tjerë të shtetit ku jeton; rrjedhimisht askush nuk guxon t’i thotë atij: “Mos voto sepse ti je katolik dhe ne jemi protestan” apo “Ti je italian dhe ne gjermanë”.

Pra bota europiane ku tentojmë të aderojmë e konsideron një debat shterp dhe artificial vënien e fesë përballë kombësisë. Fatkeqësisht disa intelektualë (jo të gjithë) e kanë monopolizuar kombin dhe e kanë kufizuar atë në disa slogane të ngushta që ngrihen lartë e poshtë në ngjarje historike, në festa kombëtare, apo studiove televizive dhe fushatave elektorale. Rrjedhimisht këta pretendojnë se t’i duash këta “opinionistë” apo këta “politikanë” nacionalistë ke dashur vet atdhenë. Ashtu siç nga ana tjetër disa religjiozë monopolizojnë dashurinë e fesë dhe thonë se vetëm feja duhet dashur dhe bindur dhe se vetëm fesë i duhet kushtuar i tërë mundi dhe djersa.

Në mes të polarizimit ekstrem të të dyja palëve, qëndron fakti kokëfortë se atdheu gjendet për shkak të njeriut, ndërsa feja gjendet për ta çliruar atë nga klishetë, nga mohimi dhe diskriminimi të drejtave, si dhe për të rehabilituar dinjitetin e tij; për rrjedhojë s’mund të ketë fe pa atdhe e as atdhe pa fe, për aq kohë sa njerëzit që ecin mbi të do besojnë tek një fe. Kështu pra pyetja “Kombin apo fenë?” është ndoshta më sarkastikja që kanë prodhuar intelektualët e tranzicionit, sepse këto dy nocione e plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk e përjashtojnë. Të paktën kështu rezulton në këtë shekullin e fundit që kemi pasur atdhe dhe fe, e imagjinoni sesa kontrastuale do të duket në të ardhmen. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit