-0.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: Ikja e një gazetari, reflektim për vdekjen

Më të lexuarat

Vdekja mori një gazetar, një penë të njohur të publicistikës shqiptare. Në të gjallë e patën dashur, e patën urryer, e patën përqafuar, e patën shpërfillur…

Dhe ai si çdo njeri duhet t’i ketë përjetuar medoemos të tëra, gëzimin e hidhërimin, suksesin e dështimin, dashurinë e urrejtjen, pasjen e mospasjen, frymëzimin e boshësinë…

Por, në fund, dhe ai u nis për diku tjetër, drejt eternales, larg sprovave të kësaj jete…

Javë më parë u largua në të njëjtën mënyrë një pedagog, një ish-deputet.

Çdo ditë ikin dhjetëra të tjerë rrotull nesh, të njohur e të panjohur, me sytë e mbyllur nga fataliteti më i madh i kësaj jete: vdekja!

Ajo merr të pasur e të varfër, të rinj e në moshë, të suksesshëm e të pasuksesshëm, shtetarë e punëtorë, njerëz të prehur në ngrehina luksoze e gjigande a me një çati kasolleje mbi kokë… Nuk pyet vdekja…

I jepemi tokësores, materiales, duke harruar se ora e vdekjes do të trokasë dhe një ditë për ne. Çdo sekondë, minutë, orë e ditë është përpjekje e pareshtur për më shumë sukses tokësor, për më shumë sukses material.

Kur të ikësh, nuk mbetet asgjë veç veprave të tua…

Një vdekje është një rast për meditim, për reflektim.

Për të sjellë në mendje se jemi të përkohshëm në këtë botë, e se herët a vonë do ta lëmë atë. Për të sjellë në mendje se jemi veç vdekatarë. Për të sjellë në mendje se është marrëzi të mbërthehesh nga rendja pa skrupuj drejt së mirës materiale, pasurisë, drejt mbushjes së barkut e zbrazjes së shpirtit. Për të sjellë në mendje se nuk ia vlen ta marrësh aq seriozisht kohën që po jetojmë, të pushtuar nga metastazat e së keqes.

Andrea Stefani qe i dashur për të majtët; aspak i tillë për të djathtët. Por ai na bëri të tërëve një shërbim me vdekjen e tij: na rikujtoi se ajo na bashkëshoqëron dhe mund të na trokasë në çdo çast.

Asaj nuk mund t’i shmangemi, por së keqes, po!

Për njerëzit që mendojnë…

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, e pastaj do të ktheheni tek Ne.” (Kur’an, 29:57) /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit