1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nga Amir B. AHMETI*: A festohet 28 Nëntori edhe me flamurin turk?

Më të lexuarat

28 Nëntori është festa e flamurit shqiptar. Është dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e cila kurrë nuk u bë e plotë, as sot pas 104 viteve. Këto ditë në Tiranë u mbajt një takim i kryetarëve të pesë bashkive të kryeqendrave të trojeve shqiptare. Kjo figurativisht duket gjë e bukur, por, në anën tjetër, të jep të kuptosh se sa shumë të ndarë jemi. Ndërsa sot, pas 104 viteve, fatkeqësisht si fajtor kujdestar për dështimin e bashkimit kombëtar gjithherë na paraqitet Turqia.

Mungesa e rishkrimit të historisë sonë kombëtare në mënyrë të pavarur dhe akademike, duke lënë anash varësinë e vërtetësisë historike të shkruar gjatë periudhës komuniste, po na kushton shumë si shoqëri. Profesori Nexhmedin Spahiu kishte me thanë shkrimit të historisë, e jo rishkrimit, sepse ajo as nuk është e shkruar. Duke aluduar kështu në pasaktësitë e historisë së shkruar nën diktatin komunist. Sido që të jetë, kohët e fundit ka një qasje të re nga shumë studiues e historianë për historinë tonë kombëtare, e sidomos të periudhës osmane, edhe pse ende ekzistojnë stereotipet kundër osmanëve. Megjithëse këtu më duhet të bëjë një digresion, se kur dëgjojmë e lexojmë shkrime nga disa pseudohistorianë e pseudoanalistë nga trojet tona shqiptare, fatkeqësisht më së shumti të këtij kalibri i gjejmë në Kosovë. Madje disa media, pseudoanalistë e pseudogazetarë në vendin tonë, sikur kanë marrë rolin e “shpëtimtarit të kombit”, për të mos lejuar që një rishikim i historisë të ndodhë.

Ata vazhdimisht përcjellin për lexuesin shqiptar lajme të rreme, të paverifikuara, madje edhe emisione që provokojnë rëndë raportet e mira që kanë ndërtuar sot Turqia dhe të gjitha trojet shqiptare.

I këtij lloji ishte edhe një emision “investigativ”, i cili titullohej “Haraçi turk”, ku bëhej fjalë për privatizimin e Korporatës Energjetike të Kosovës nga një kompani turke. Për të cilën kompani u tha në emision se për tri vite ka fituar 100 milionë euro. Pa dashur të thellohem në këtë temë, vetëm dua të kujtoj se e kam përcjellë emisionin me vëmendje, dhe në asnjë rast në të nuk u paraqitën fakte për atë shumë parash. Nuk diskutohet se kompania turke që ka investuar nuk ka ardhur në Kosovë për të humbur por për të fituar, por asnjëherë për fitim të shumave marramendëse që përfliteshin gjatë emisionit. Aty vetëm u dëgjua që ka informacione se fitimi vjetor është 20 milionë euro, por asnjë dokument apo fakt tjetër nuk u paraqit për ta dëshmuar atë shumë. Ishte një emision i pështirë, me qëllim degradimin e raporteve mes vendit tonë dhe Turqisë.

Kur ja, të nesërmen rezultati i emisionit dha frytet e veta. Në Prizren, disa të rinj i larguan flamujt turq që valonin bashkë me flamujt shqiptarë, gjermanë, dhe me atë shtetëror të Kosovës. Kurse disa huliganë e sulmuan konsullatën turke në Prizren, siç u tha në media, me lëndë djegëse apo me mbushje molotovi. Fatbardhësisht, nuk u lëndua askush, dhe dëmet materiale ishin të vogla, por jo edhe ato emocionale. Për një moment fillova të kujtoj raportet tona gjatë këtyre viteve.

Kosova, në këto tetë vite shtet ka nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi me shumë shtete të botës, por numri më i madh i këtyre marrëveshjeve është me Turqinë. Së bashku me shtetet e tjera të NATO-s, Turqia ishte pranë nesh gjatë luftës së fundit për liri dhe pavarësi; ajo e njohu pavarësinë e vendit tonë në ditën e parë të shpalljes më 2008-n. Në Turqi janë trajnuar dhe trajnohen me qindra ushtarë të FSK-së dhe Policisë së Kosovës; helikopteri i parë që ka poseduar FSK-ja është dhuratë pikërisht nga Turqia; me qindra pacientë nga Kosova trajtohen falas në spitalet e Turqisë si rezultat i një marrëveshjeje mes Ministrive të Shëndetësisë, etj.

Ndërsa, nëse kthejmë kujtesën e historisë sonë të mëhershme, mësojmë se është pikërisht sulltani osman që më 1 shtator 1908 i dërgoi klubit shqiptar “Bashkimi” 100 lira ari nga pasuria e tij personale për të organizuar Kongresin e Manastirit.

Kurse për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar, merita kryesore e jashtme ishte e Perandorisë Osmane, e cila negocioi me Fuqitë e Mëdha që Shqipëria të lejohej të ishte shtet i pavarur dhe të mos aneksohej nga fqinjët tanë, grekët, malazezët dhe serbët. Derisa për mbrojtjen e pavarësisë më 1912 ranë dëshmorë 55 mijë ushtarë turq, duke luftuar me fqinjët tanë që të mos zhbëhej shteti i shpallur nga Ismail Qemali në Vlorë.

Në fund të fundit, ata që nuk ndajnë të njëjtin mendim me mua për raportet e mira të shqiptarëve të të gjitha trojeve me Turqinë, të paktën le t’i shohin ashtu siç ka thënë Winston Churchill-i, se nuk ka raporte vëllazërore mes shteteve, por ka interesa politike. Atëherë, kujt i shkon për shtat prishja e raporteve tona me Turqinë përveçse armiqve tanë shekullorë, fqinjëve tanë që kurrë nuk u ngopën me copëtimin e trojeve tona? /tesheshi.com/

*Autori është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit