Pyetje: Kam një pyetje për ty, i nderuar hoxhë: nëse një burrit i ka vdekur gruaja dhe është martuar përsëri, a do takohet me gruan e tij e cila i ka vdekur në xhenet apo vetëm me gruan e dytë?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe paqja e Tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:
Po, nëse vdesin si myslimanë, do të jenë bashkë me gruan e parë, të dytën dhe pasardhësit e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti ynë, futi në xhenete të Adnit, të cilat ua ke premtuar, ata dhe kush ishte i mirë prej etërve të tyre, grave të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je ngadhënjyesi, i urti!” (Gafir:8) Po ashtu thotë: “E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t’ua shoqërojmë pasardhësit e tyre dhe asgjë nuk u pakësojmë nga veprat e tyre (prindërve). Secili njeri është peng i asaj që ka punuar.” (Tur:21)
Nga këto ajete kuranore kuptojmë se Allahu do t’i bashkojë ata që kanë vdekur në besim me prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët. Edhe ata që janë në një gradë më të ulët në xhenet do të bashkohen me ata që janë në një gradë më të lartë, siç thotë Ibën Kethiri gjatë komentimit të ajetit 21 të sures Tur. Kjo është pjesë e begative dhe mirësive që do t’i përjetojnë banorët e xhenetit, duke bërë jetët e tyre të përsosura.
BURIMI: albislam.com