1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

“Nëse duan të bëhen instrument të Edi Ramës, të dështuar që në vezë”- Analiza e Lubonjës për partinë e re të Patozit e Hajdarit

Më të lexuarat

Analisti i njohur Fatos Lubonja, duke komentuar lëvizjen më të re politike të Rudina Hajdarit dhe Astrit Patozit, thotë se ato nuk kanë mbështetje askund përveç se të pushtetit. I ftuar në News 24, Lubonja thekson se ata janë opozitë e opozitës.

Deklarata e plotë e Lubonjës:

Nëse nisemi lidhur me lëvizjen Hajdari, e shikoj me shumë dyshim dhe skepticizëm këtë lëvizje, në përgjithësi me të gjithë këto lëvizje të reja opozitare që kanë lindur në Shqipëri. E para e punës, kë përfaqësojnë? Nëse flitet për opozitë, flitet për njerëz që duan të ndryshojnë gjendjen që është në vend dhe veçanërisht arrogancën e një mazhorance në rritje. Jo vetëm kaq, por edhe një përfaqësim tjetër. Këta janë opozitë e opozitës, vetëm kaq! Të jesh opozitë e opozitës në këtë situatë kur kemi një mazhorancë kaq arrogante është problem. E dyta, kur them çfarë përfaqësojnë? Nga vijnë? Nga çfarë analize vijnë? Këta që vijnë nga PD-ja si Patozi, Hajdari ka një problem.

Zonjës Hajdari i thonë e zgjodhën se është e bija e Azem Hajdarit, por për mua problemet e PD fillojnë që me Azem Hajdarin. Pse u vra Azem Hajdari? Askush nuk e thotë ende pse u vra. Hajdari u vra pikërisht sepse partia apo partitë politike në Shqipëri filluan të mbështeten tek ata që quhen të fortë. Qyshe atëherë. Historia e të fortëve që mbështesin partitë politike në pushtet dhe politikanë që bashkëpunojnë me të fortët. Azem Hajdari u vra nga disa të fortë të Tropojës që ishin të lidhur me PS dhe Hajdari vetë u vra sepse si me thënë përfaqësonte të fortët e PD-së dhe këtu fillon problemi. Sot problemin e kemi me të fortët.

Kjo analizë mungon krejtësisht nga këta. Kur themi të fortët kam parasysh oligarkinë, por edhe krimin, por edhe gjithë ata të fortë në zonat e ndryshme elektorale. Mund të përmend Shkodrën, Durrësin e Vangjush Dakos, Shijakun. Ky është problemi jonë. Këta nuk kanë asnjë analizë për këtë.

Të thuash që Azem Hajdari ishte një idealist dhe kjo vajza erdhi si përfaqësuese e idealizimit të rinisë tonë, është të mashtrosh, të tallesh me njerëzit.

E treta, i keni dëgjuar këta të flasin njëherë për vjedhjen galoponte tek Astiri, se kjo lidhet edhe me atë çfarë përfaqësojnë, qoftë Patozi, qoftë Hajdari.

I keni dëgjuar të flasin për teatrin që po prishet, për kullat që do të ndërtojë Edi Rama?! I vetmi problem është demokracia në PD. Kanë thënë ndonjë gjë këta për autoritarizmin e Sali Berishës vetë?! E ka themeluar atë parti mbi autoritarizmin. Në këtë kuptim, këta nuk përfaqësojnë dhe nuk sjellin asgjë në këto zgjedhje përveç një shërbimi për Edi Ramën që të paraqesë një fasadë demokracie gjoja, që të thotë ja ku e ku e kemi opozitën. Kjo edhe nga pikëpamja pragmatiste nuk shkon, janë të dështuara. Mos harroni që një lëvizje që doli kundër PD-së për mendimin tim, e shëndetshme në vitet ’90, siç ishte Aleanca Demokratike, me Neritan Cekën, Arben Imamin, Preç Zogajn, u “thith” nga PD-ja më vonë apo edhe nga PS-ja, që kishte një përfaqësim nga njerëz të moderuar, një pjesë intelektual. Ndërsa këta, përveç emrave të tyre nuk duket që të ketë asnjë mbështetje, askund, përveç mbështetjes së pushtetit që i duhet t’i instrumentalizojë. Nëse duan të bëhen instrument të Edi Ramës, atëherë janë të dështuar që në vezë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit