1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nëse do sukses, jep dashuri pa kushte

Më të lexuarat

Njeriu në këtë botë ka një sërë rolesh dhe pikërisht përcaktimi i qëllimit në një formë të qartë përkundrejt secilit rol e bën njeriun më të përpiktë në realizimin e harmonisë shoqërore. Pështjellimi në përcaktimin e objektivave përkundrejt këtyre roleve çon në një jetë të mbushur me stres, depresion dhe mjerim. Pështjellimi në fjalë bën që personi të mbyllet brenda guackës së vet, gjë që e bën atë të mbetet në terren krejt i vetëm dhe të humbasë harmoninë shoqërore.

Duhet përcaktuar roli dhe objektivi!

Duhet ditur se njeriu në këtë jetë jeton një sërë rolesh: rolin individual; rolin familjar; rolin e tij në punë; rolin e tij në shoqëri; që mund të jetë i karakterit human, kulturor, ekonomik etj. E pra, përcaktimi i objektivit në një formë të qartë përkundrejt secilit rol e bën njeriun më të përpiktë në realizimin e harmonisë shoqërore.

Cili nga këto role është më primari?

Fjala e Allahut të Lartësuar vjen dhe hedh dritë qartë mbi përgjigjjen e duhur. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (Zjarrin Ndëshkues të Xhehenemit) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron, dhe që punojnë atë gjë me të cilën janë të urdhëruar.” ( Tahrim, 10) Ky është roli dhe funksioni më i rëndësishëm të cilit duhet t’i japim prioritet, rolit të edukimit dhe mbrojtjes së vetvetes dhe familjarëve tanë prej dështimeve që shpien në dështimin kulminant që destinon ndëshkimin kapital hyjnor, Ferrin. Roli individual i njeriut është i ndërthurur ngushtë me rolin familjar ku hyjnë roli prindëror, bashkëshortor dhe rolet e tjera brenda gjinisë dhe fisit.

Cili nga rolet brenda familjes është më primari?

Me të drejtë humanistët janë shprehur se i pari ndër rolet familjare vjen ai prindëror. Ky rol përmbushet duke ndërtuar një shtëpi të gjallëruar dhe ngritur mbi bazamentet e çelikta të principeve parimore të rrënjosura në shpirtrat e fëmijëve dhe ngrihet gjithashtu mbi ndjeshmërinë dhe emocionalitetin ndërfamiljar. Familja është minishoqëria njerëzore dhe bërthama e saj, ndaj dhe kush ka sukses në të domosdoshmërisht do ketë sukses në shoqëri, sikurse edhe e kundërta vlen.

Harmonia shoqërore që të realizohet obligon tek individi që ai të posedojë

Pesëshen e Potencialit Human, e cila përbëhet nga:

Dashuria pa kushte:

Dashuria pa kushte konsiderohet litari elastik që herë tërhiqet e herë lëshohet, por kurrë nuk këputet. Përkthimi i prezencës së saj është të folurit e mirë dhe aktiv si dhe bashkëpunimi me metoda të arrira mbi bazën e tolerancës, mëshirës, dhembshurisë dhe butësisë. Vetëm një dashuri e tillë e frymëzon dhe nuk e vdes miqësinë dhe dashamirësinë. Dashuria pa kufi është e përqendruar tek dhënia tjetrit jo tek përfitimi prej tij, tek ndërtimi i lidhjeve për hir të lidhjes jo për hir të rezultateve dhe interesave. Moto e saj është Thënia Hyjnore: “Nuk duam prej tyre shpërblim dhe as falënderim” (Insan, 9), e përkthyer më së miri në shembujt e gjallë profetikë ku spikat ai i Çlirimit të Mekës në të cilin, në kulminacionet e pushtetit dhe triumfit, ky princip u demonstrua qartë përmes amnistisë dhe faljes, që patën për produkt kthimin e armiqësive të ashpra në miqësi të ngushta.

“Pranimi i njerëzve ashtu siç janë”, është një domosdoshmëri për të arritur tek Dashuria pa kushte.

“Njeriu nuk mund të jetë këpucë magjike që mund t’i vishet çdo këmbe.”

Përfytyrimet dhe pikëpamjet ndryshojnë në varësi të shumë karakteristikave njerëzore që gjithashtu janë shumë të ndryshme nga një njeri tek tjetri. Duhet lënë tjetri që të jetë vetvetja dhe të vetëpërçojë energjitë e tij pozitive, qoftë ai edhe fëmija yt. Çdo njeri është unik dhe ndërhyrja me forcë tek ky unikalitet do japë se s’bën anomalitë e veta. Edhe kur kemi të bëjmë me një devijancë apo rrezik të qartë, ajo çfarë na lejohet është që të ndërhyjmë vetëm përmes dashurisë dhe orientimit, si dhe krijimit të rrethanave përmirësuese.

Vetëm kur të besojmë në ekskluzivitetin e të qenurit të gjithsecilit vetvetja, vetëm duke mos u imponuar, por duke e pranuar gjithkënd ashtu siç është, vetëm kështu do arrijmë të krijojmë relata të ngrohta e të pakushtëzuara, do arrijmë ta duam tjetrin pa kushte…teksa që të arrijmë ta duam tjetrin pa kushte, duhet të mësojmë të shohim me sytë e tjetrit dhe të mendojmë sikurse ai do, jo siç ne duam.

Nxitja e Brendshme

Është në natyrën e njeriut që të përpiqet të krijojë relata me ata persona me të cilët e bashkon roli që posedon.

Teksa me pasuri mund të blihet dora apo shpina e tjetrit, një gjë është më se e sigurtë, brendia e tij nuk mund të blihet kësisoj. Është kjo një e vërtetë që për fat të keq nuk e kanë hetuar sa e sa prej njerëzve. Ajo çfarë ne kemi në dorë është t’u duam atyre të mirën. Kjo dashuri, po qe se do ua përkthejmë me vepra duke u dhënë atyre pushtet dhe shanse, do shërbejë si katalizator për nxitjen e tyre të brendshme për veprim dhe punë.

Roli i vetëm përmirësues që mund të ushtrojë njeriu tek tjetri është ndihmesa përmes dashamirësisë së sinqertë, zërit dhe fjalës së butë, mirësjelljes dhe edukatës, dhënies së udhëzimeve këshilluese e jo urdhrave autoritare.

Prekja Humane (Human Touch):

Dhjetë janë prekjet e dorës së ngrohtë humane që me cekjen e tyre të butë dhe harmoninë e tyre të qetë shpalosin zemrën e madhe nga ku burojnë.

Këto prekje përbëjnë dhjetë nocione fillesat e të cilave janë me gërmat e shprehjes angleze “human touch”, konkretisht:

H- Hear him (Vërja veshin);

U- Understand his feeling (Respektoja ndjenjat);

M- Motivate his desire (Motivoja dëshirën);

A- Appreciate his efforts (Vlerësoja përpjekjen);

N- News him (Këmbeni të rejat më të fundit);

T- Train him (Trajnoje atë)

O- Open his eyes (Hapja sytë)

U- Understend his Unigueness (Kuptoja unikshmërinë)

C- Contact him (Kontakto me të)

H- Honor him (Nderojë atë)

Xhevahiri i Relatave “Golden Rule”:

“Golden Rule-Rregulli i Florinjtë”, i konsideruar edhe si xhevahiri promotor i arritjeve të individit të brumosur me të, thotë: “Është e mundur që të arrish gjithë sa synon në jetë përderisa ndihmon të shumtët e tjerë që të arrijnë synimet e tyre”.

Një shembull i bukur popullor thotë: “Teksa njeriu lan një rrobë, edhe pse në fakt qëllimi është larja e rrobës, njeriu ka larë njëkohësisht edhe duart e tij”. Ky shembull i bukur i popullit hedh dritë qartë mbi konceptin në fjalë.

Që njeriu të bëjë një jetë të suksesshme ai duhet medoemos të jetojë në harmoni shoqërore, dhe që të jetojë në harmoni shoqërore, duhet të bëjë një jetë të mbushur e të karikuar me mbarëvajtje shoqërore të ndërtuar mbi reciprocitetin, pjesëmarrjen dhe lidhjet e çelikta me të tjerët; në përgjigjje të Thirrjes Hyjnore: “Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, kthejeni me përshëndetje edhe më të mirë, ose si ajo. Allahu do t’ju kërkojë llogari për çdo gjë” (Nisa, 86) si dhe në përgjigjje të Thirrjes Profetike: “Atë që mbrohet në emër të Allahut mbrojeni, atij që kërkon në emër të Allahut jepini, atij që ju fton përgjigjuni dhe atij që ju bën një të mirë shpërblejani” (Transmetim i Ebu Daudit)

Në udhëzimet hyjnore vihet re qartë thirrja për ndërveprim dhe bashkëpjesmarrje aktive, falë të cilave lindin mëshira, keqardhja, donacioni dhe bamirësia.

Teksa e kundërta, pra vrazhdësia, ashpërsia, mosinteresimi dhe akoma më keq tallja me të tjerët, shkaktojnë dis’harmoninë dhe vrasin mbarëvajtjen shoqërore midis individëve; për të qenë ky soj individësh viktima të Destinisë Hyjnore: “Kush nuk mëshiron nuk do mëshirohet” (Buhariu dhe Muslimi)

Zgjoji potencialet e tua të brendshme

Njeriu do t’i takojë elitës së harmonizuar shoqërore vetëm kur të përdorë me dinamizëm potencialin solid të fshehur brenda thellësive të tij shpirtërore, konkretisht duke qenë:

Së pari: Personalitet i fuqishëm.

Duke dëgjuar me shumë kujdes dhe vëmendje shpirtrat tanë, do mësojmë të tregojmë dëgjueshmëri edhe karshi të tjerëve, do mësojmë të kuptohemi mes veti, të pajisemi me të njëjtat syze me të cilat të tjerët shikojnë, të hetojmë sesi të tjerët, ashtu si ne, janë njerëz, e si të tillë meritojnë të respektohen; e sa në fjalë do na mundësojë të zbulojmë hallet e tyre dhe do na falë dhuntinë e begatë që në dobësitë e tyre të gjejmë shansin e ndihmesës, dashamirësisë dhe ndryshimit për mirë.

Së dyti: Fantazues dhe novator.

Kultivimi brenda nesh i një shpirti aktiv dhe vizioni kreativ do na mundësojë që të arrijmë të ndriçojmë brenditë e të tjerëve dhe të zbulojmë fuqitë kreative të gjendura në shpirtrat e tyre; për t’u shpalosur para nesh zgjidhjet e shumta produktive, kreative, adekuate, praktike dhe shpërblyese; gjë që do na bëjë të kapërcejmë botën e mendjengushtëve të cilët e kanë cunguar kreativitetin e tyre nën vargonjtë e frazës pesimiste “Disponohet një zgjidhje e vetme”.

E vërteta është se “Gjithmonë ka më se një zgjidhje”, por që të arrihet tek zgjidhja duhet ushqyer përpjekja në vazhdimësi me dialogun e gjallë të servirur përmes dëgjueshmërisë dhe bashkëbisedimit fjalëmirë; që me lejen e Allahut destinojnë arritjen tek zbulimi i aftësive dhe potencialeve konstruktive.

Kësisoj do arrijmë tek harmonia shoqërore tërësore, familjare dhe më gjerë, do na dëgjohet dhe besohet mendimi, do na pranohet dhe përforcohet kontaktimi në rrugën tonë drejt ndërveprimit pozitiv.

Altin Torba

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit