4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Nënat e besimtarëve në përcjelljen e mesazhit islam

Më të lexuarat

Nënat e besimtarëve, bashkëshortet e Profetit a.s. kanë luajtur një rol kyç në përcjelljen e plotë të mesazhit islam. Ndërkohë që roli i gruas në shoqërinë arabe të asaj kohe ishte i ndrydhur dhe tejet jofunksional, Profeti Muhamed a.s. erdhi me një mesazh, sipas së cilit, emancipimi i gruas në fusha të ndryshme të jetës, ishte ndër çështjet më thelbësore. Kjo bëri që gruaja të zërë vendin e saj të merituar në shoqëri. Kështu gruaja fitoi funksionalitet dhe luajti një rol të rëndësishëm në përcjelljen e dijes hyjnore, kryesisht për botën femërore e familjare, por edhe në çështje të përgjithshme.

Në krye të të gjithave patjetër që gjendeshin nënat e besimtarëve, të cilat i shohim aktive dhe mbështetëse të kauzës së lartë të Islamit. Ky aktivizim ishte në fakt i gjithanshëm, sepse ato i gjejmë edhe në zgjidhje të çështjeve të mëdha, ku shumë të tjerë do të kishin menduar se zgjidhje mund t’i jepte vetëm një burrë.

Hatixhja është një nga personazhet më dinamike dhe më të gjalla në tërë historinë e Islamit. Është e pamundur të tregohet historia e Islamit pa treguar historinë e kontributit që dha ajo për mbijetesën, konsolidimin, si dhe për triumfin e tij përfundimtar. Madje, megjithëse ajo u largua nga kjo dynja në vitin e tetë të profetësisë, Profeti a.s. nuk e harroi asnjëherë atë dhe tregoi deri në fund të jetës së tij një nderim të veçantë për nënën e besimtarëve.

Të gjithë e dimë ardhjen për herë të parë të Xhibrilit (a.s). Me ardhjen e tij përgjegjësia e profetësisë, të cilën as malet dhe shkëmbinjtë nuk kishin pranuar ta mbanin dot mbi shpatulla, i ishte ngarkuar Muhamedit a.s. Por nga përgjegjësia e detyrës që ndiente, ishte e vështirë ta mbante këtë peshë.

Pasi zbritën ajetet e para Profeti u kthye në shtëpi i shqetësuar dhe i frikësuar. Ai i kërkoi gruas së tij besnike ta mbulonte me diçka dhe i tha: “Kam frikë për veten”, duke shprehur ankth.

Bashkëshortja e tij i mblodhi të gjitha forcat duke i thënë: “Mos ki frikë! Pa dyshim Zoti do të të ruajë ty. Ti je që ruan lidhjet me farefisin, ndihmon dhe ushqen të varfrit. Ti je gjithmonë një mikpritës bujar. Ti je në rrugën e së vërtetës dhe je i përkushtuar plotësisht gjithçkaje të mirë.”

Kështu, në mes të frikës dhe pasigurisë, vjen inkurajim dhe frymëzim çlirues. Ajo po shpaloste një qëndrim, i cili i dha zemër Profetit a.s. Në këtë formë, ajo në fakt po i hapte rrugën ardhjes së mesazhit hyjnor.

Nga ana tjetër, dihej që vitet e para të kumtimit do të ishin të vështira. Sepse kreu i Mekës ishte i predispozuar të mos pranonte një ndërhyrje të tillë në sistemin e tyre ekonomiko-politik. Në këtë aspekt, do të duheshin sakrifica të mëdha nga ana e besimtarëve të parë, të cilët ishin edhe të pakët në numër. E pra, edhe këtu, ne shohim që mbështetjen e parë të madhe e dha Hatixhja (Zoti qoftë i kënaqur me të), duke pranuar Islamin e para. Të pranoje Islamin sillte rreziqe më vete, sepse politikat që ndoqën kurejshët ndaj besimtarëve për mos të lejuar zhvillimin e fesë ishin nga më të ndryshmet. Por ajo nuk u dorëzua. Të gjithë pasurinë e saj ia dhuroi kauzës së lartë të Islamit. Me atë pasuri u financuan gosti të shumta, ku njerëz të ndryshëm dhe kryesisht paria mekase ftoheshin në mënyrë që Profeti (a.s) të shpjegonte mesazhin e ndritshëm. Prandaj Hatixhja kishte një rol kyç në zhvillimin dhe përhapjen e besimit në hapat e para të Islamit, gjë që e shpreh edhe më pas i Dërguari i Allahut (a.s), duke shprehur për të fjalë lavdëruese si: Ndërkohë që askush nuk më besoi, ajo pranoi Islamin; ndërkohë që çdokush më braktisi, ajo më mbështeti në të gjitha drejtimet.

Nëse në periudhën e Mekës ishte në plan të parë Hatixhja, në Medine, kur tashmë ishte formuar shteti dhe kishte nevojë që mesazhi të përcillej më tepër verbalisht, në plan të parë ishin Aishja dhe Ummu Seleme. Këtu, patjetër që do të veçojmë rolin e Aishes. Aishja me një mendje të ndritshme, kureshtare dhe me një zgjuarsi të rrufeshme, u shqua menjëherë në shtëpinë e Profetit. Ajo kishte një natyrë kureshtare dhe nuk e pranonte verbërisht atë që dëgjonte. Ishte kritike ndaj çdo gjëje që dëgjonte, nëse ato nuk ishin sipas kritereve të vetë Kuranit dhe sunetit të Profetit. Veshi i saj ishte gjithnjë në gatishmëri të shpalljes dhe sytë e saj ishin të përqendruara në rezultatet e saj. Aishja ishte si një urë lidhëse mes kohës së Profetit dhe së ardhmes së fesë Islame.

Profeti ynë, Krenaria e Njerëzimit, “Gjysmën e fesë keni për ta marrë nga Aishja”. Duke u nisur nga ky hadith, kuptohet qartë që çështjet e grave ia ka transmetuar Aishja botës femërore. Pra ajo ka qenë hallka e dytë, menjëherë pas Profetit a.s., për përcjelljen e drejtpërdrejtë të gjysmës së mesazhit hyjnor.

Por nuk duhet të harrojmë, që ajo nuk ka folur vetëm për çështjet e gruas, apo ato bashkëshortore. Aishja ishte një dijetare e formuar në të gjitha fushat e Islamit. Ajo ka transmetuar rreth 2230 hadithe, duke u radhitur së bashku me Ebu Hurejren dhe Enes b. Malikun, tre sahabët që kanë transmetuar më tepër hadithe nga i Dërguari i Allahut dhe pasi Profeti a.s. u nda nga kjo botë, kur sahabët kishin diçka për të pyetur rreth çështjeve të larta të Islamit, shkonin dhe konsultoheshin me Aishen.

Ajo nuk ka shërbyer vetëm si transmetuese e traditës profetike, por gjithashtu, edhe si një pikë referimi për kuptimin e drejtë të tyre. Kështu, ajo ishte një korrektuese dinjitoze për gabimet në çështjet fetare, që dolën në pah më vonë dhe njëkohësisht një shembull i vendosmërisë dhe i durimit në rrugën e drejtë të Islamit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur Umu Selemen r.a., e cila kishte një zgjuarsi të mprehtë. Profeti a.s. merrte mendimin e saj për shumë çështje. Gjithashtu ajo përcolli shumë hadithe të Profetit a.s dhe ishte e dyta nga gratë, pas Aishes, që ka transmetuar një numër mjaft të madh të haditheve.

Një shembull konkret në lidhje me rolin e rëndësishëm, që ajo zë në historinë islame, patjetër që është Marrëveshja e Hudejbijes. Siç e dimë, pasi Profeti a.s. mori shpalljen hyjnore për haxh, në vitin e gjashtë të hixhretit, niset për në Mekë së bashku me sahabët. Kur arrijnë në vendin e quajtur Hudejbije, rruga e tyre pritet nga mosbesimtarët. Si përfundim, pas shumë diskutimesh haxhi anulohet, duke u shtyrë për një vit më pas.

Në rast të anulimit të haxhit, sipas jurisprudencës islame, gjithësecilit i duhej të bënte një kurban dhe të merrte rrugën e kthimit. Por gjendja emotive e sahabëve, të cilëve iu mohua e drejta e haxhit nga kundërshtarët e tyre, ishte goxha e ngarkuar dhe megjithëse Profeti a.s. kishte dhënë urdhër të bëheshin kurbanet, të gjithë prisnin me pak shpresë se mos ai ndryshonte mendim dhe vazhdonin udhën për në Mekë. Në këtë situatë, Profeti ulet dhe konsultohet me bashkëshorten e tij Umu Seleme. Kërkon mendimin e saj për të zgjidhur këtë ngërç dhe ajo e këshillon kështu: “Ja Rasulallah! Nëse ti del vetë i pari dhe e bën kurbanin në sy të të gjithëve, atëherë sahabët do ta kuptojnë që nga ky vendim nuk ka kthim dhe do të bëjnë kurbanet e tyre”.

Profeti a.s. vepron pikërisht kështu. Kur sahabët panë që kreu i tyre bëri kurbanin, të gjithë e pasuan veprimin e tij dhe një çështje kaq delikate, në një moment kaq të tensionuar, u zgjidh shumë qetë në një formë të përkryer.

Këto janë shembuj konkretë të rolit të veçantë dhe të pazëvendësueshëm të bashkëshorteve të Profetit a.s. në përcjelljen e shëndoshë të mesazhit Islam.

Fatma Karaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit