10 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Në Shqipëri fillojnë aktivitetet e “Javës Çame”

Më të lexuarat

Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur aktiviteti i hapjes së “Javës Çame”, me temë “Mos harro Çamërinë”, me pjesëmarrjen e deputetëve, përfaqësues të partive politike dhe studiuesve

Në Shqipëri ka filluar “Java Çame” në kuadër të shënimit të 78-vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ku do të organizohen aktivitete të ndryshme përkujtimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur aktiviteti i hapjes së “Javës Çame”, me temë “Mos harro Çamërinë”, me pjesëmarrjen e deputetëve, përfaqësues të partive politike dhe studiuesve.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës në aktivitet theksoi se është një ditë shumë e veçantë që nisja e “Javës Çame” të bëhet në sallën e Parlamentit të Shqipërisë.

“Falë përpjekjeve të PDIU-së dhe Shoqatës Çamëria, përfaqësuesve të saj, sot kjo sallë është salla e Çamërisë, e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që mbajnë në ADN-në e tyre memorien historike të brezave që shkuan, që vuajtën dëbimin, mohimin, torturën dhe persekutimin. Nuk ka një ditë më të mirë për mua se sa sot të kujtoj përpjekjet tona shumëvjeçare, por edhe arritjet dhe sfidat tona, duke mos harruar gjatë gjithë kësaj kohe sulmet dhe vështirësitë e jashtëzakonshme që ne kemi pasur”, tha Idrizi.

Duke iu referuar rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, të prillit 2004, “Për zgjidhjen e Çështjes Çame”, Idrizi theksoi se kjo rezolutë është një dokument i detyrueshëm për çdo qeveri shqiptare.

Në kuadër të “Javës Çame” e cila zgjat deri më datë 27 qershor do të organizohen aktivitete dhe ceremoni përkujtimore në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Kujtojmë se në qershor të këtij viti përkujtohet 78-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj 27 qershori është caktuar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, që rezultoi me vdekjen e mijëra civilëve, por edhe me dëbimin, shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit