HËNA E RE – Tema nga numri i Prillit 2023
5 prill 1873: Më 5 prill 1873, në Korçë, lindi hafëz Ali Korça – hoxha, hafëzi, hatibi, publicisti dhe përkthyesi i kryeveprave të letërsisë fetare e artistike orientale.
Me veprën e tij ‘Bolshevizma a çkatrrim i njerëzimit’ u shënua si denoncuesi i parë shqiptar i komunizmit.
Në Korçë mori arsimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i kreu në medresenë “Çifte Minareli” në Stamboll.
Në lëvizjen kombëtare hyri që më 1889, kur zuri të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti edhe në idadijen e Korçës.
Gjatë kohës së debatit të shtyrë nga disa qarqe në Stamboll për llojin e alfabetit të gjuhës shqipe, Hafëz Aliu përkrahu alfabetin latin.
Mbajti fjalën kryesore në Kongresin e Dibrës. Përkrahu Kongresin e Elbasanit, 2 shtator 1909, i cili i vuri themelet e arsimit kombëtar. (Nga: Micky Haxhiislami/në bashkëpunim)
7 prill 1811: Hasan Tahsini – astronom, matematikan e filozof shqiptar nga Ninati i Çamërisë, u lind më 7 prill 1811.
Ka qenë Rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare.
Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të.
Më 1870 u emërua Rektor i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit, ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Qeveria e emëroi aty duke besuar se Tahsini do të baraspeshonte metodat dhe idetë e Evropës Perëndimore me botëkuptimin islam.
Por, në atë kohë kërkimi shkencor dhe qëndrimet liberale provokuan sulme të rretheve konservatore të ulemave ndaj tij. Sulmet kundër Tahsinit nisën kur ai filloi të bënte eksperimente për t’u ilustruar nxënësve nocionin e vakumit, gjë për të cilën u shpall heretik me një fetva, i pushuar nga Universiteti dhe iu pamundësua që të jepte mësim. Universiteti u mbyll për një periudhë, sepse Xhemal al-Din Afgani, një tjetër profesor, mbështeste idetë e Tahsinit.
Tahsini shkroi të parin traktat psikologjie në osmanisht, të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit – një vepër e frymëzuar nga modernizmi dhe i pari libër që përmbante fjalën psikologji. Shkroi gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht. Tjetër vepër e Tahsinit në gjuhën osmane është përkthimi i librit Loi Naturelle (shq. Ligji Natyror) të François de Chassebœuf.
Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Sipas Tahsinit, alfabeti ishte hartuar me qëllimin që secila germë të shkruhej me sa më pak lëvizje të dorës.
Ka lënë disa përkthime të veprave shkencore për fizikën dhe shkencat filozofike dhe disa poezi. “Por, askush nuk është kujdesur për mbledhjen dhe botimin e tyre”, shkruan Samiu.
Pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që kishte, shteti i caktoi një pension.
Më vonë u vendos në një medrese të vogël, të braktisur, përballë Portës së Lartë dhe e përdori si vend banimi dhe mësimi, duke zhvilluar kurse private.
Ndërkaq, vazhdoi të thellohej në studimin dhe leximin e veprave dhe të librave shkencorë të shumtë që kish mbledhur.
Nuk u martua dhe nuk u mor në jetë me tjetër gjë përveç shkencës.
Ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare nga sëmundja e mushkërive. U varros në varrezat e Erenkojit (Erenköy, Kadıköy/İstanbul, Türkiye). /Nga: Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/