Numri i viktimave të varrosur në Varrezën Përkujtimore në Potoçari pas ceremonisë së sotme arriti në 6.610
POTOÇARI (AA) – Sot në Varrezën Përkujtimore në Potoçari të Bosnjë e Hercegovinës u varrosën mbetjet mortore të 35 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, në të cilin u vranë të paktën 8.372 civilë boshnjakë dhe i cili konsiderohet si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në namazin e xhenazes dhe ceremoninë përkujtimore morën pjesë mbi dhjetë mijë persona, përfshirë ministrin turk të Drejtësisë Abdulhamit Gül dhe deputetë nga Turqia, politikanë nga vendet e rajonit, prijës fetarë, diplomatë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të pjesëmarrës nga vendi dhe jashtë tij.
Fillimisht, delegacionet morën pjesë në ceremoninë përkujtimore në ish-fabrikën e akumulatorëve, ndërsa më pas kaluan në qendrën memoriale të Potoçarit.
Namazit të xhenazes i priu kryetari i Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, Husein Kavazoviç.
Numri i viktimave të varrosur në Varrezën Përkujtimore në Potoçari pas ceremonisë së sotme arriti në 6.610.
Këtë vit, më i riu nga 35 viktimat që u varrosën ishte 16-vjeçari Vesib Ibriç, kurse më i vjetri 71-vjeçari Shahin Haliloviç. Po ashtu, sot u varros edhe Remzija Dudiç, e cila ishte shtatzënë në muajin e gjashtë kur u vra në pyll së bashku me bashkëshortin e saj.
Emrat e viktimave që u varrosën sot janë si në vijim:
Omer Aliç, Muhamed Aliç, Fahrudin Alisheviç, Suvad Avdiç, Hazim Beganoviç, Suad Begoviç, Kiram Bektiç, Ramo Boriç, Bajro Budoviç, Edin Buriç, Salem Çakanoviç, Aziz Dautbashiç, Nijazija Dudiç, Remzija Dudiç, Avdija Gusiç, Shahin Haliloviç, Ahmet Hasanoviç, Nesib Hasanoviç, Hamdija Hasiç, Sejad Husejnoviç, Vesid Ibriç, Saban Ikanoviç, Hazret Kadriç, Nijaz Kadriç, Senad Maliç, Feris Mehmedoviç, Safet Merxhiç, Hajro Muhiç, Nesad Mujçinoviç, Asim Mujiç, Kadrija Musiç, Salih Selimoviç, Hamed Smajiç, Ahmo Smajiç dhe Rizo Sulejmanoviç.