Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, një pjesë e hytbesë (mesazhit) të xhumasë iu kushtua situatës së sigurisë në vendin tonë, pas sulmit terrorist të fundit, që ndodhi në veriun e vendin më 29 nëntor, një ditë pas festës së flamurit tonë kombëtar.
Në këtë mesazh u bë thirrje që ne si besimtarë, në këtë kohë sfiduese për vendin, të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë për mënyrën se si ne komunikojmë me të tjerët, në çfarëdo mënyrë që e bëjmë një gjë të tillë.
Gjithashtu pjesë e mesazhit ishte edhe bashkimi i të gjithëve, në mënyrë që të angazhohemi me të gjitha kapacitetet tona për të parandaluar çdo kërcënim, që mund ta cenojë paqen dhe sigurinë e kombit dhe shtetit tonë. Aty u bë thirrje për bashkëpunim me institucionet tona, të cilat siç u tha në mesazh, janë themeluar me gjakun e bijve dhe bijave tanë ndër breza.
Më poshtë mund ta gjeni mesazhin e plotë:
Të nderuar besimtarë,
Jemi dëshmitarë se Kosova po përballet me sfida të mëdha në aspektin e sigurisë.Më 29 nëntor, një ditë pas festës së flamurit tonë kombëtar, në veri të vendit ndodhi një sulm terrorist ndaj kanalit që furnizon me ujë gati gjysmën e qytetarëve të Kosovës dhe është jetik për energji e ngrohje.
Kjo ngjarje kriminale na tregon qartë se jemi në një situatë të ndjeshme dhe të trazuar, ku bashkëpunimi me institucionet e vendit e të sigurisë është i domosdoshëm për mbrojtjen e shoqërisë dhe shtetit tonë nga rreziqet e mundshme të armiqve tanë.
Në këtë kohë sfiduese, është shumë e rëndësishme që si besimtarë të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm në mënyrën se si komunikojmë me të tjerët, qoftë drejtpërdrejt, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale.Fjalët dhe veprimet tona kanë ndikim të madh, prandaj duhet të tregojmë maturi, përgjegjësi e vetëdije të lartë, duke mos rënë pre e provokimeve e lajmeve të rrejshme, që dëmtojnë shtetin dhe fenë tonë.
Feja jonë e pastër islame na mëson paqen, respektin dhe mbrojtjen e njëri-tjetrit. Është detyra jonë si besimtarë që të kontribuojmë për një shoqëri të sigurt e të qëndrueshme dhe shtet të fortë.
Prandaj, ju ftojmë që së bashku me bashkësinë tonë fetare, të jemi të bashkuar dhe të bashkëpunojmë ngushtë me institucionet tona, institucione të cilat i kemi themeluar e ndërtuar me gjakun e bijve dhe bijave tanë nëpër breza, prandaj duhet të angazhohemi bashkë me autoritetet për të parandaluar çdo kërcënim, që mund të cenojë paqen dhe sigurinë e kombit e të shtetit tonë.
Ne kemi obligim të mbështesim institucionet e sigurisë me të gjitha mundësitë tona, t’u besojmë atyre dhe të japim kontributin tonë për një Kosovë të sigurt për të gjithë qytetarët. Bashkëpunimi dhe besimi ndaj institucioneve është një hap i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë kombëtare.
Besimtarët myslimanë në Kosovë kanë treguar e dëshmuar historikisht se dinë të luftojnë për liri dhe të sakrifikojnë për shtetin e tyre.Vëllezër besimtarë!
Ne si besimtarë jemi të përkushtuar që të jetojmë në paqe dhe bashkëjetesë, të rrisim fëmijët tanë në një mjedis të sigurt, të qetë e të qëndrueshëm, duke besuar fuqishëm në Zotin Një dhe vlerat tona të shenjta.
Të qëndrojmë të gjithë të bashkuar për një Kosovë më të fortë dhe më të sigurt!