3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Në Junik u përgatit pavarësia e Shqipërisë

Më të lexuarat

Junik, 21 maj – Në Junik sot u shënua 100-vjetori i njërës nga ngjarjet me të rëndësishme të historisë kombëtare, i njohur si Kuvendi i Junikut. I organizuar nga Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës, Instituti i Historisë të Kosovës dhe Komuna e Junikut, ky aktivitetet, që ndërlidhet edhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, u mbajt nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Në manifestim morën pjesë edhe presidentja e vendit, Atifete Jajhaga, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, përfaqësues të institucioneve të tjera nga Kosova e nga Qeveria e Shqipërisë, anëtarë të familjeve Jashari, Lladrovci, Haradinaj si dhe personalitete të tjera nga Kosova e Shqipëria, në mes të cilëve edhe Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, e ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka.

Me këtë rast u vu edhe gurthemeli për ngritjen e memorialit të “Kuvendit të Junikut”.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi rikujtoi se sot si kurrë ndonjëherë, shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë, edhe politik, edhe kombëtar, edhe të orientimit euro-atlantik. Shqipëria është anëtare e NATO-s 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Kosova e pavarur, në rrugë të sigurt për të ardhme evropiane dhe anëtare e NATO-s. Kemi besim të plotë se do të ndalet edhe diskriminimi ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ndërsa Kosova mirëpret çdo deklarim të lirë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit për të ardhmen e vet. Prandaj shqiptarët do të jetojnë të lirë, në frymë evropiane, në frymë euro-atlantike, në një hapësirë të përbashkët, me kufij të hapur, në të ardhmen evropiane, tha kryeministri Hashim Thaçi, në manifestimin e organizuar në shënimin e 100 vjetorit të Kuvendit të Junikut.

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, dy shtete të pavarura dhe sovrane, sot po i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që të ndërtojmë, zhvillojmë dhe avancojmë marrëdhëniet për të mirën e të gjithë qytetarëve.

“Kosova përgatiti pavarësinë e Shqipërisë, por mbeti për një shekull e pushtuar’, tha kryeministri Thaçi, dhe shtoi se ishte Juniku, një qendër e rëndësishme strategjike dhe gjeografike që bashkonte lehtësisht krerët e orientimit të drejtë kombëtar të të gjitha viseve shqiptare.

Kuvendi historik i Junikut tregoi gatishmërinë për sakrifikimin për liri dhe vizionin e qartë politik për mbrojtjen e interesave kombëtare në një vit kthese për popujt e Ballkanit.

Disa vite më vonë, ishte prapë Juniku, si Zonë Neutrale, që me bujari, solidarizim dhe mikpritje të jashtëzakonshme hapi dyert për çetat e kryengritësve. Thaçi nuk harroi të rikujtojë rolin e Junikut as në luftën prejt të cilës Kosova doli e pavarur.

Juniku edhe për mua personalisht, sikurse për të shumë ju, ngjall emocione të veçanta. Sepse, kur e themeluam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kur lëviznim nga Kosova në Shqipëri, përsëri Juniku ishte qendër e strehimit, e mobilizimit dhe e kalimit të kufijve, duke thyer këta kufij gjenmborë që kishte instaluar Serbia.

Prandaj sot, në vitin e pestë të pavarësisë, në 13 vjetorit të çlirimit të Kosovës, kujtoj edhe rrugëtimet e mia dhe të bashkëluftëtarëve të mi, së bashku me Shkelzen Haradinajn deri këtu, për të vazhduar me Luan Haradinaj, dhe për t’i kaluar këto bjeshkë, dhe për të dhënë mesazhin se liria e Kosovës do të vinte. “Prandaj i nderuari baca Hilmi, në të njëjtën kohë, më lejoni që juve personalisht si familje, juve qytetarë të dashur, shtetit të Kosovës, t’iu uroj edhe lrimin e komandantit Haradinaj, Ramushit nga Haga”, tha Thaçi.

Ai po ashtu rikujtoi se Juniku dha heroin e parë të UÇK-së, Edmond Hoxhën. Në Junikun historik ranë dëshmorë të të gjitha viseve shqiptare, duke u bërë pjesë e rezistencës, luftimeve dhe betejave në vitet 1998- 1999. Në Junik , në gusht 1998, ranë heroikisht bashkëluftëtarët tanë luftëtarët Bekim Berisha e Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë në krye të betejave për lirinë e Kosovës.

Në Junikun historik, qëndroi diplomati i lartë amerikan, Richard Holbrooke, duke thyer të gjitha paragjykimet antishqiptare mbi karakterin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontakti i diplomatit të përmasave botërore me ushtarët e UÇK-së ishte legjitimimi i UÇK-së si projekti më serioz politik – ushtarak që kishte krijuar lëvizja politike për liri dhe pavarësi të Kosovës, për të përfunduar se Kosova sot është vend i pavarur, i njohur nga 90 vende të botës, nga vendet me demokracinë më të zhvilluar, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e shteteve të Bashkimit Evropian dhe shumë vende tjera anembanë botës, model të demokracisë botërore.

“Sot si kurrë ndonjëherë, shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë, edhe politik, edhe kombëtar, edhe të orientimit euro-atlantik”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.

Edhe presidentja Jahjaga si dhe kreu i Junikut Agron Kuçi e oratorë të tjerë kanë vlerësuar lartë gjithë veprimtarinë atdhetare dhe sakrificën e periudhës.

“Pikërisht në këtë vend, këtu në Junikun legjendar, u hartua për të parën herë programi kombëtar konkret i përshtatur në kushtet e rrethanat e kohës, i mbështetur në grykën e pushkës, në kryengritjen e armatosur që e solli valëvitjen e lirë të flamurit në Vlorën heroike, më 28 nëntor të vitit 1912”, theksoi presidentja Jahjaga, duke shtuar se përpjekjet tona për lirinë dhe pavarësinë e kombit dhe të vendit, për krijimin e shtetit, zgjatën shumë, më shumë se tek të gjithë popujt e tjerë.

Edhe pse patëm kundërshtimin dhe ndërhyrjen ushtarake të shteteve fqinje, që masakruan popullsinë dhe zaptuan trojet tona, ne i mbijetuam sprovave të historisë dhe arritëm ta ruajmë qenien tonë kombëtare, biologjike dhe sot ne jemi të lirë dhe i dalim zot vetvetes, duke qenë faktor paqeje dhe stabiliteti, i fuqishëm dhe i respektuar, duke e ndërtuar një të ardhme më të ndritur.

Përpjekjet tona për të qenë të lirë, të dinjitetshëm, të barabartë dhe zotërues të trojeve tona, nuk pushuan kurrë. Prandaj ne sot, të gjithë së bashku dhe të lirë, po festojmë dhe po i nderojmë ngjarjet tona historike.

Në këtë ditë, të kujtojmë punën, angazhimin dhe flijimin e bijve dhe bijave më të shtrenjta të vendit.

Të kujtojmë ideologun e kryengritjeve shqiptare për pavarësi Hasan Prishtinën, ideatorin dhe arkitektin e pavarësisë së Republikës Kosovës, Presidentin tonë Ibrahim Rugova, mençurinë dhe largpamësinë e tij, komandantin legjendar Adem Jashari, përkushtimin, guximin dhe heroizmin e tij. Të kujtojmë këtu të gjithë pjesëtarët e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në radhët e saj pati shumë trima e heronj si: Sali Çeku, Luan Haradinaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxhën dhe shumë trima e trimëresha, që sot populli u ka ngritur përmendore.

Duke respektuar idealet e të parëve tanë, ne sot e synojmë rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, duke u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s.

Kështu e mbrojmë pavarësinë dhe lirinë tonë, kështu e sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, përfundoi ajo.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit