2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ndërroi jetë Haxhi Selim Stafa

Më të lexuarat

Më 19 mars 2018 u nda nga jeta materiale Haxhi Selim Stafa. Lajmi ishte i dhimbshëm për myslimanët shqiptarë, pasi jeta e tij është e lidhur me historinë e fesë islame në Shqipëri, sidomos në tri dekadat e fundit dhe njëherësh është monument në çdo fushë të aktivitetit dhe dinjitetit njerëzor të një njeriu që lindi, u rrit, punoi, kërkoi dhe jetoi vetëm për Allahun xh.sh. duke sakrifikuar veten për Të. Vitet e jetës së tij ecnin dhe kaluan, bardhësia i mbuloi fytyrën dhe kokën, pleqëria i erdhi, por nuk e mposhtën dot, sepse Fuqia e Allahut xh.sh. e rinonte gjithmonë që të ecte përpara në rrugën e shenjtë dhe madhështore të Islamit, për t’i treguar pasuesve se kjo është rrugë e drejtë, e vetmja dhe e vërteta, të treguar nga Allahu xh.sh. dhe të kultivuar nga Pejgamberi ynë a.s., pasuesit e tij etj. Haxhi Selim Stafa është me të vërtetë një trashëgues i rrugës së tyre. Allahu xh.sh. i dhuroi atij virtytet më të larta, cilësi këto që do të dëshironte t’i kishte çdo njeri. Si myfti i Tiranës, nënkryetar por edhe si kryetar i Komunitetit Mysliman, duke shkuar në çdo qytet, lagje e çdo fshat të Tiranës, por jo vetëm, ai mbante ligjërata fetare duke bërë që fjalët e tij të hynin në çdo shtëpi dhe në çdo zemër. Fjalët e tij ishin rreze që shndrisnin shpirtin e dërmuar, rreze për t’u mos u shuar asnjëherë dhe sa të jetë jeta.

 

Veprimtaria e Haxhi Selim Stafës është shumëplanëshe. Ajo nuk është veprimtari thjesht e një hoxhe. Jo vetëm në çështjet e fesë, por ai ishte një përfaqësues i denjë i fushave arsimore e kulturore, si dhe një përfaqësues i devotshëm i atdheut dhe i kombit, që foli në çdo rast me krenari.
Haxhi Selim Stafa kishte besim të thellë e të paluhatshëm në Fuqinë e Allahut xh.sh. se feja islame në Shqipëri do të lulëzonte sërish. Me të vërtetë ai i pa, i shijoi dhe i përjetoi këto ideale pasi ishte ndër njerëzit nismëtarë që themeluan Komunitetin Mysliman dhe për shumë vite radhazi ishte udhëheqësi i besimtarëve myslimanë të kryeqytetit, detyrë të cilën e drejtoi me aftësi, me sinqeritet dhe me përkushtim të plotë.

 

Si bashkëpunëtor i ngushtë i Haxhi Hafiz Sabri Koçit, ai punoi fort për rigjallërimin e jetës fetare, për rihapjen apo ndërtimin e objeteve të kultit, për organizimin e Bashkësisë Islame dhe lidhjet me organet shtetërore dhe intelektualët shqiptarë e të huaj, për kthimin e pasurive të Komunitetit Mysliman, për rihapjen e shkollave fetare, për rritjen e ndjenjave fetare të besimtarëve, për përgatitjen e kuadrit dhe harmonizimin ndërfetar, për paqen e qetësinë, si dhe për të mirën e Shqipërisë dhe të njerëzimit. Po ashtu ai punoi me këmbëngulje për një bashkëpunim të frytshëm me vendet islame, me shoqatat, me vendet fqinje, që ato të jepnin ndihmën e nevojshme dhe ia arriti qëllimit. Të gjitha këto tregojnë në mënyrë të qartë horizontin e personalitetit të tij.

 

Në mbledhjen e datës 25 mars 2010, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Këshilli i tij i Përgjithshëm akorduan për H. Selimin Titullin e Nderit “Pishtar i Ringjalljes Islame në Shqipëri” me motivacionin: “Figurë e shquar e Islamit në Shqipëri, për kontributet e vyera dhe sakrificat e bëra në rigjallërimin e vlerave institucionale të Islamit dhe të traditave të kombit tonë”./Drita islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit