Më datë, 28 Prill 2019, ditë e diel, Prizreni i dha lamtumirën e fundit, veteranit të hoxhallarëve, hfz. Tasim ef. Krasniqit nga Prizreni, i cili ndërroi jetë më 25 Prill 2019, në moshën 91 vjeçare, në Hildesain të Gjermanisë.
Ai u varros në varrezat e qytetit të Prizrenit. Në ceremoninë e varrimit, përveç familjarëve, miqësisë e farefisit, pati edhe shumë qytetarë e imamë. Mori pjesë edhe anëtari i Kryesisë së BIRK-ut, prof. Reshat ef. Mexhiti. Namazin e xhenazës e fali imami i xhamisë “Ebu Bekri r.a.” Mr. Sebajdin ef. Krasniqi. Ndërsa, një fjalim të rastit, për biografinë e Hafëz Tasim ef. Krasniqit, e mbajti sekretari i KBI-Prizren, dr. Orhan ef. Bislimaj.
Hfz. Tasimi, u lind më datë 20.10.1928 në fshatin Arbëri (ish) Leskovec të Prizrenit, në një familje me tradita fetare e atdhetare, nga babai Eqeremi dhe nëna Zyrishahi. Pas kryerjes së mektebit te xhamia e fshatit të lindjes, hafëz Tasimi i vazhdon mësimet në Medresenë e njohur të “Mehmet Pashës” në Prizren. Aty, brenda tre vitesh, me shumë sukses, e përfundon hifzin e Kur’anit të Madhnueshëm, te hafiz Ismailhaki efendiu. Kjo përgatitje profesionale e hafiz Tasimit, për nivelin e kohës ishte një arritje mjaft e lartë.
Si një besimtar i devotshëm dhe i përkushtuar për të mirën e shoqërisë, hafëz Tasimi i përvishet me shumë krenari detyrës së imamit. Ai, bashkë me shumë kolegë të tjerë, si vëllezër të tij, janë hoxhallarët që e kanë ujitur fenë e Allahut në këto troje, si dhe e kanë mbajtur gjallë vetëdijen kolektive shqiptare, në një periudhë mjaft të errët të historisë së kombit tonë.
Duke qenë edukator dhe mësues, Hafëz Tasimi, e ka kryer detyrën e imamit, hatibit e mualimit, në disa vende e xhami:
– Menjëherë, pas hafizllëkut, gjatë Muajit të Ramazanit, dy vite radhazi, ka mbajtur mukabele – lexim të Kur’anit, në xhaminë “Mehmet Pasha”, e që ishte dhe është xhamia kryesore e Prizrenit;
– Pesë vite radhazi, ka shërbyer në detyrën e imamit në xhaminë e fshatit Kushnin të Prizrenit;
– Dhjetë vite, ka shërbyer imam në xhaminë e fshatit Leskovec;
– Dhjetë vite të tjera ka shërbyer imam në xhaminë e fshatit Gjinovc të Therandës (ish-Suharekë). Etj.
Mirëpo, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, hafëz Tasimi, në vitin 1970, detyrohet të migrojë në Gjermani, në qytetin Hildesain afër Hanoverit. Aty, punoi deri në pensionimin e tij, në vitin 1998. Edhe në Gjermani, vullnetarisht, e ka mbajtur aktive detyrën e imamit. Në xhaminë, ku ka banuar, ai ka kryer shërbime fetare si imam, e sidomos gjatë Ramazanit, duke falur edhe namazin e teravisë, pasiqë ishte hafëz i Kur’anit dhe e kishte zërin mjaft të bukur. Po ashtu, si njeri me ndikim që ishte, Hafëz Tasimi, ka vazhduar aktivitetin edukativ dhe frymëzimin kombëtar, jo vetëm te të afërmit e tij, por edhe te mërgata shqiptare në përgjithësi, në vetëdijësimin e tyre për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit dhe qytetarët e Prizrenit, në përgjithësi, janë mirënjohës për kontributin sasior e cilësor të hafëz Tasimit.
Hafëz Tasim Krasniqi ka lënë trashëgimtarë, 4 djemë dhe 2 vajza si dhe shumë nipër e mbesa.
E lusim Allahun e Madhërishëm, që hafëz Tasimin ta shpërblejë me xhennetin Firdevs dhe shpirtin e tij ta bashkojë me shpirtin e pejgamberëve, dëshmorëve, familjarëve dhe njerëzve të mirë. Amin!