KÖLN (AA) – Kreu i Task Forcës së Mianmarit, Abdulmalik Muxhahid dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e krahasoi me përjetimet në Gjermaninë naziste, raporton Anadolu Agency (AA).
Muxhahid i cili ka folur në konferencën ndërkombëtare për Arakanin të zhvilluar në qytetin Köln të Gjermanisë nga Komuniteti Kombëtar i Shoqërisë Islame (IGMG) dhe institucioni humanitar ndërkombëtar Hasene, rikujtoi se muslimanët e Arakanit të cilët po përballen me gjenocid nuk kanë as të drejtat themelore si ajo e nënshtetësisë dhe të drejtën për arsimim.
Pasi theksoi se nuk dihet numri i saktë por se në këtë pozitë gjeografike janë masaskruar shumë njerëz, Muxhahid tha se sipas përllogaritjeve në vitin e fundit janë vrarë 100 mijë persona ku në këtë shifër janë shënuar edhe raste të përdhunimit.
Ai tha se sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 52 për qind e grave Rohingya janë përballur me përdhunime.
“Kemi biseduar me 160 persona që janë përballur me një situatë të tillë. Një grua me të cilën biseduam jo vetë që ishte përdhunuar, por i kishin marrë fëmijën dhe ia kanë përplasur kokën. Kam vajtur 7 herë në rajonin e fatkeqësisë. Atje janë përdhunuar më shumë se 120 mijë gra”, tha Muxhahid.
Muxhahid tha se ishte shumë kuptimplotë që ata ndodheshin në Gjermani me këtë rast, duke e krahasuar dhunën kundër muslimanëve të Arakanit në Mianmar me përjetimet në Gjermaninë naziste.
“Në shekullin 21 në kampet e përqendrimit mbahen 129 mijë njerëz. Ne duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur për t’i dhënë fund këtij genocidi sa më parë. Për të ndaluar gjenocidin dhe për të rikthyer njerëzit fillimisht është e nevojshme të ofrohet siguria. Njerëzit përpiqen të jenë pak pragmatik por kjo është zgjidhja e vetme këtu. Nëse se secili prej jush do të jetë në gjendje të nxjerrë një përfundim nga këtu, vendi në të cilin ndodhemi tani i ka dhënë botës konceptin e holokaustit (genocid nazist). Për shkak të Holokaustit, 150 vende nënshkruan një marrëveshje. Do të ketë pasoja shumë serioze nëse edhe këtu nuk bëhet kjo”, thotë ai.
“Mund të zbatohet alternativa e sanksioneve”
Ish-kryeprokurori i Australisë, Hon Philip Ruddock, një nga ish-anëtarët e lartë të Parlamentit australian, tha se shkeljet e të drejtave të njeriut në Mianmar duhet të ndalen sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Ai shpjegoi se komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë këtë punë. Ruddock shprehu pikëpamjen e tij se institucioni i cili mund ta bëjë këtë është Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Duke iu referuar aftësisë së bashkësisë ndërkombëtare për të zbatuar sanksionet nëse është e nevojshme për të ndaluar këtë tragjedi, Ruddock tha: “Shpresoj që të gjithë këta anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të veprojnë si zë i vetëm: SHBA-të, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia duhet të veprojnë në një unitet të vetëm”.
Ruddock shtoi se komuniteti ndërkombëtar për të ndaluar këtë tragjedi mund të zbatojë sanksione nëse do të jetë e nevojshme.
Profesori i Dawson College, Abid Bahar tha se “Personat me pushtet atje që prej gjysëm shekulli kanë fuqinë në dorë. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjen tonë”.
“Nevojitet ndryshim i statusit”
Jacob Sterken, një nga themeluesit e Zyrës së Mianmarit thotë se diaspora Rohingya ka arritur në 2.3 milionë njerëz. Sipas tij, në Arabinë Saudite ndodhen 300-400 mijë pjesëtarë të Rohingya-ve.
“Me një rregullore të bërë me mbretin Fajsall 80 mijë persona kanë nisur të punojnë si punëtorë mysafirë në Bangladesh. Këto njerëz tashmë nuk mendojnë më të kthehen. Nuk ka gjasa që Rohingyat që jetojnë në Pakistan dhe vende të ngjashme do të kenë përsëri një status ligjor. Kjo duhet të zgjidhet. Nuk është e logjikshme të thuhet ‘këta njerëz do të kthehen‘. Atëherë është kusht për aktivitete lobuese që ndaj këtyre njerëzve të ofrojmë mundësinë që në këto vende të mund t’u jepet status ligjor, sepse kjo krizë përsëritet. Problemin Rohingya nga pikëpamja e zgjidhjes duhet ta shohim si pjesë e një problemi më të gjerë me temë Mianmari. Statusi duhet të ndryshohet në mënyrën që strukturat kundër komuniteteve etnike të mos jenë më të mundshme”, tha Sterken.
“Ka një presion mbi shtypin dhe burimet e lajmeve”
Shefi i Departamentit për Gjuhë të Huaja i AA-së, Mehmet Öztürk, pasi i ka cilësuar muslimanët e Arakanit si “Palestinezët e Azisë Juglindore” thotë se situata e tyre është edhe më e keqe se ajo e palestinezëve.
Ai shtoi se ka një presion mbi burimet e lajmeve dhe shtypin në rajon. “Mbi gazetarët ka një presion të madh në lidhje me Arakanin. Gazetarët duhet të marrin leje për të shkuar në rajonin e Arakanit ku po ndodhin masakra dhe persekutime. Ku edhe kjo leje ose është shumë e vështirë ose nuk jepet. Për këtë arsye bëhet fjalë për një errësirë, ku nga rajoni mund të rrjedhin informacione vetëm aq sa mund të lejojë regjimi”, thekson Öztürk.
Sipas tij, informacionet për rajonin mund të arrihen nga raportet e përgatitura në mënyrë shumë të kufizuar dhe pamjet e marra nga satelitët ajror. “Burimet e lajmeve të gazetarëve kufizohen dhe shumë herë ato mund të jenë pjesë e manipulimit të qeverisë. Gjithashtu gazetarët mund të përballen edhe me arrestime arbitrare”, potencon Öztürk.