8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Nata e Kadrit dhe Zekati i Fitrit

Më të lexuarat

Jemi në ditët më të mira të Ramazanit, ditë në të cilat Profeti shtonte preokupimin në adhurim, gjallëronte natën dhe zgjonte familjen e tij, në to është nata për të cilën Allahu thotë:

“Ha, Mim. Betohem në Librin e qartë! Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha”. Duhan 1-6.

Po ashtu Allahu i Madhëruar thotë për këtë natë:

“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit”. El Kadër, 1-5.

Shikoni, Allahu ju mëshiroftë, se si shpalosen në këto ajete mirësitë e kësaj nate. Ajo është një natë në të cilën zbriti Kurani Madhështor i cili është udhëzim, mëshirë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Në të gjendet ajo me të cilën Allahu shpëton robërit e Tij nga buza e greminës.

Ajo është një natë e begatë për shkak të mirësive të saj. Nga begatitë e saj është se ajo ia kalon të gjitha netëve të kohës. Nata e Kadrit është më e vlefshme se njëmijë muaj, ai i cili falet natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar tek Allahu shpërblimin, i falen atij çka ka bërë prej gjynaheve, Allahu do t’ia rregullojë gjendjen dhe do t’ia mbulojë të metat. Kush i lutet në të Allahut me gjithë zemër dhe i sinqertë, do t’i përgjigjet e do t’ia japë atë që kërkon.

Aishja i tha Profetit salallahu alejhi ue selem: “O i dërguar i Allahut! Nëse e arrij natën e kadrit me se të lutem?” Tha: “Thuaj: O Allah! Ti je Falës, e do faljen, ndaj më fal mua!”. E tillë ishte gjendja e brezave më të mirë,ata garonin në këtë natë madhështore dhe drejtoheshin për tek Sunduesi, Falësi.

A nuk është meritë për ne që ta zbrazim në këtë natë zemrën nga të gjitha angazhimet e të drejtohemi me të gjithë qenien tonë për në adhurimin e Madhështorit Krenar?! Të drejtohemi tek Ai e të pranojmë gjynahet tona, të shfaqim nevojën dhe të afrohemi tek Ai me sinqeritet, nënshtrim dhe përulje.

T’i thuash: “O Zot! Gjynahet e mia janë shtuar, gabimet dhe të metat e mija janë zmadhuar, o Zot unë jam i varfër, fukara e nevojtar për Ty; nuk ka strehim për mua prej Teje veçse tek Ty. Nëse më kthen mbrapsh, kush do të më pranoj? Nëse dështoj tek Ty, kush do të kujdeset për mua? Nëse Ti më privon, kush do të më japë? Nëse Ti më largon, cili është ai që do të më afrojë? Unë nuk kam Zot dhe të adhuruar tjetër veç Teje, tek askush tjetër veç Teje nuk kërkoj ndihmë. Ti më krijove dhe Ti më furnizon; Ti m’i dhuron të mirat dhe Ti më ndihmon. Begatitë e Tua nuk reshtin ditë e natë; mirësia Jote nuk ka kufi, nuk mbaron e nuk frenohet. Të lutem Ty në këtë natë të begatë të më falësh mëkatin; të më rregullosh mangësitë e të më shërosh e lehtësosh me përgjigjen tënde, o Zot!”

Por ti mund të lutesh edhe me lutjen profetike e cila ka përfshirë në vetveten e saj të mirat e kësaj jete dhe jetës tjetër e të thuash: “O Zot! Rregulloma fenë time e cila më ruan mua, rregulloma dynjanë në të cilën unë jetoj; rregulloma edhe ahiretin tek i cili unë do të shkoj; bëje jetën time shtim në çdo të mirë dhe bëma vdekjen shpëtim nga çdo e keqe! O Zot! Unë shpresoj në mëshirën Tënde, ndaj mos më bëj që të mbështetem tek vetja ime as sa hap e mbyll sytë dhe rregulloma mua çështjen, nuk ka Zot tjetër me të drejtë veç Teje.”

Ku i dihet, o rob i Allahut, ndoshta kur thua këto fjalë, qëllon në kohë përgjigjeje e kështu të fitosh lumturinë, pas së cilës nuk ka më mjerim. Sa njerëz janë lumturuar në këtë natë? Sa shumë mirësi dhe begati ka derdhur Zoti ynë në të? Sa njerëz ka shpëtuar Zoti ynë nga zjarri në këtë natë, pasi u penduan sinqerisht e kërkuan falje?

O Allah! Bëj pjesë edhe për ne në begatitë, mirësitë, faljen, lumturinë dhe nderimin që ke vendosur për robërit e Tu në këtë natë! E ruana ne nga çdo e keqe që është caktuar për ta në këtë natë! Bëji zemrat tona që Ty të drejtohen, që gjuhët tona Ty të kujtojnë e që gjymtyrët tona Ty të nënshtrohen, o Mëshirues i Mëshiruesve!

Vëlla i dashur, dije se Ramazani do të dëshmojë para Allahut për ty ose kundër teje. Ai që ka bërë vepra të mira le ta falënderojë Allahun dhe le të shpresojë shpërblimin e Tij, i bindur se Allahu nuk humb veprat e bamirësve. E ai që ka bërë mëkate ndaj Allahut le të pendohet tek Ai sinqerisht, se Allahu pranon pendimin e robit të vet, Ai është Mëshirëplotë.

Në këto ditë të Ramazanit, jemi falur e agjëruar, kemi lexuar Kuranin dhe dhikrin e kemi shtuar, por sado të jemi munduar e preokupuar, sërish nga gjynahet, gabimet dhe të këqijat në të nuk kemi shpëtuar, ndaj dhe Zoti ynë Bujar na ka dhënë mundësi që agjërimin ta pastrojmë, të turpshmen ta largojmë dhe mëkatin ta shuajmë e ta pastrojmë. Ai ka caktuar që kur këtë muaj ta mbarojmë, përpara faljes së bajramit të nxjerrim zekatin e fitrit që dhe të varfrit t’i gëzojmë dhe nga lypja e asaj dite t’i çlirojmë. Abdullah ibën Abasi radijallahu anhuma ka thënë: “I dërguari salallahu alejhi ue selem e ka bërë obligim zekatin e Fitrit, që të jetë pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të ndyra, dhe të jetë ushqim për të varfrit. Kush e jep atë para namazit (të bajramit) ai është zekat i pranuar, kurse kush e jep pas namazit, ajo është lëmoshë e rëndomtë”. Ebu Daudi dhe Ibn Maxhah, e saktësoi Shejh Albani.

Zekati i Fitrit është detyrë për çdo musliman, qoftë i vogël apo i madh apo rob (abd) dhe është detyrë mbi ata që shpenzojnë për ta, dhe që zotërojnë ushqimin e vetes së tyre dhe ç’kanë nën përgjegjësi. Argumenti për këtë është se Abdullah ibën Umeri ka thënë: “Ka urdhëruar i Dërguari salallahu alejhi ue selem që të jepet zekati i Fitrit për të voglin dhe të madhin, për atë që është i lirë dhe për atë që është rob dhe prej atyre që ju përgjigjeni për ta.” Shejh Albani thotë se hadithi është hasen; Darakutni dhe Bejhakiu.

Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a[1] nga ushqimi i njohur të cilin e përdorin njerëzit në vend. Është transmetuar në hadithin e Ibnu Umerit se ka thënë: “E ka bërë detyrë Profeti alejhi selam zekatin e fitrit në Ramazan një sa’a me hurma ose elb.

Bledar Haxhiu

Burimijetes

[1] Sa’u është njësi matëse e cila është e barabartë me 2.4 kg.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit