3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Namazi është i nevojshem si uji dhe ajri në jetën e njeriut

Më të lexuarat

Namazi nuk është diçka e lejuar si gjërat e jetesës, që kush do i vepron dhe nuk ka shpërblim për të, e kush i lë nuk ka gjynah për të. Por namazi është diçka e domosdoshme dhe e formës së prerë. Ka një kohë të caktuar, formë të veçantë, mënyrë karakteristike dhe plan të shkruar. Ti nuk ke aspak të drejtë ta deformosh atë duke i shtuar apo i hequr. Nuk pranohet asnjë mendim për ta ndryshuar atë para ose mbrapa. Namazi është si kafshata, që vendoset në gojë dhe jo në vesh. Është si ajri që hyn i pastër nga goja ose hunda dhe jo nga poshtë këmbëve. Nëse ke mundësi të ndryshosh diçka nga pozicioni i zemrës, tërheqjen dhe shtrirjen e saj, ose të zgjerosh dhe ngushtosh frymëmarrjen tënde, atëherë le të kesh mendim në çështjen e namazit.

Namazi është si puna, që ti kryen nëse je i punësuar, ose si shitblerja tënde nëse je tregtar. Nëse ti vazhdon punën dhe zbaton detyrat e tua do ta meritosh shpërblimin në fund të muajit duke marrë rrogën, ose duke mbushur xhepin me fitim. Por, nëse ti mungon në punë ose shpërfill detyrën tënde, do të të mbajnë nga rroga aq sa ke munguar dhe shpërfillur. Pra, ke për të humbur fitimet që i mendoje.

Shpeshherë njeriut i kërkohet llogari për gjërat e lejuara ashtu siç ndodh me detyrimet. Shiko, nëse ti vendos një stacion në radio pas mesnate dhe ul veshin për të dëgjuar, derisa ai buçet me gjithë fuqinë, ose ti vetë fillon të këndosh me gjithë forcën tënde, e atëherë do të shqetësoheshin fqinjët dhe do të të qortonin. Ata do të trokisnin në portën tënde si patrullë, për të thyer radion tënde, ose që të ulësh zërin se ndryshe do të ndëshkohesh! Por a nuk e ke të lejuar të dëgjosh radion kur të duash dhe si të duash? Atëherë përse u kufizua liria jote?!

Përgjigjja është: U kufizua me një sistem të veçantë ose të përgjithshëm, që nuk duhet të kapërcehet. Atëherë, si duhet të jetë ajo që Allahu ua obligoi robëve të Tij, që besuan se Ai është i Adhuruari i Vërtetë, që duhet të adhurohet dhe Krijuesi, Furnizuesi dhe Poseduesi. Ata pëlqyen për vetet e tyre Sheriatin dhe fenë e Tij, a vallë janë të lirë ata në adhurimin e Tij dhe të falurit për Të, apo janë të kufizuar me urdhrat e Tij dhe të ngarkuar për zbatimin e tyre ?

Po, namazi është nevojë shumë e domosdoshme, që njeriut ia kërkon jeta ashtu siç kërkon ushqimin dhe të pirët. Ushqimi dhe të pirët janë rezistencë për trupin dhe mënyrë jetese, ndërsa namazi është rezistencë e shpirtit dhe mjeti i qetësisë. Ai shmang njeriun nga veset e ulëta, që më pas të ketë mbarëvajtje në të gjitha çështjet jashtë namazit, siç pati mbarëvajtje dhe përkushtim para Zotit të tij në namaz.

Namazi është vija ndarëse midis Imanit dhe kufrit (Besimit dhe mosbesimit). Në hadith ka ardhur: «Midis kufrit dhe Imanit është lënia e namazit.»

Çfarë përfiton Islami nga ata muslimanë të rremë, kur ata kundërshtojnë urdhrat e tij?! A nuk janë ata si fëmija i paedukuar që përputhet në mbiemër me familjen e tij, por që i kundërshton në sjellje?! A shpresohet mirësi nga ai që nuk shpreson për vetveten mirësi?!

Ne muslimanët nuk duam të jemi si shkuma mbi ujë, që numërohen qindra milionë, ndërsa njerëzit e mirë dhe të devotshëm nuk i kalojnë dhjetëra milionë.

Namazi është një nevojë shumë e domosdoshme për njeriun, sepse disiplinon moralin e tij, qeth instiktet e tij, e pengon atë nga egërsia e shkatërrimit dhe devijimit dhe e ndalon nga çdo vepër e ulët dhe e padrejtë. Si mund të veprojë gjynahe ai, që e di se pas pak do të qëndrojë para Zotit të tij të Lartmadhëruar, që nuk e pranon këtë qëndrim nga ai vetëm nëse është i pastër në zemrën, shpirtin dhe gjymtyrët e tij?! A nuk e ke parë se si shumica e muslimanëve u ndalua nga alkoli, kur zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: «Mos u afroni në falje kur jeni të pirë.» (An-Nisa 43). Si mund të afrohen në të kur janë ngatërruar me krimin e dehjes?! Ndërkohë që duhet t’i afrohen patjetër; Sepse falja përsëritet çdo ditë pesë herë?! Atëherë le të braktiset alkoli përfundimisht, që të jenë gjithmonë të gatshëm për të takuar Allahun e Lartmadhërur.

Namazi, o shoku im, është peshore me të cilën njeriu peshon punët e tij midis dy namazeve, ashtu sikurse doktori mat temperaturën e të sëmurit herë pas here. Nëse punët e tij janë të mira, i thotë: Nxito dhe përparo! Nëse është e kundërta i thotë: Kthehu dhe përmbaju parimeve dhe rregullave në mënyrë të drejtë.

Kur të dëgjojë muezinin që thërret: “Allahu Ekber”, të përqëndrohet në gjendjen e tij dhe ta dijë se Allahu është më i madh se ajo që ai është. Duhet të shkëputet nga jeta e dynjasë dhe t’i përgjigjet thirrësit të Allahut.

Të jesh i sigurt, se ai që falet është njeri nga i cili pritet mirësi dhe devotshmëri. Por edhe nëse e sheh të deformuar në pjesën më të madhe të kohës, dije se një ditë namazi i tij do ta frenojë nga ky deformim; Sepse ai lexon Kur’an në faljen e tij. Sado i pavëmendshëm të jetë në të, patjetër që do të ketë disa çaste në të cilat do të përqëndrohet në atë që lexon, dhe kanë për t’iu dridhur gilcat ( tejzat) e zemrës dhe kanë për t’iu zgjuar ndjenjat e mirësisë. Këtë e përforcon fjala e Allahut të Lartësuar: «Vërtet që falja e namazit parandalon nga çdo vepër e papëlqyer dhe e padrejtë.» (El-Ankebut 45). Ndërsa ai që nuk falet, nuk e lexon Kur’anin dhe kështu nuk përfiton asgjë prej tij,por vazhdon të qëndrojë i shkujdesur në humbjen e tij dhe i zhytur në gjynahe.

Shkeputur nga libri “PËRSE FALEM?”
Autor, Abdurrauf El-Hanauij
Përshtati në shqip, Bledar Ali

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit