5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024


Naftë si e Arabisë Saudite….Ç’po ndodh në Shpirag?

Më të lexuarat

Sqarimet e Ballukut mbi zhvillimet në “arin e zi” shqiptar në pritje

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se rezervat e naftës në Shpirag janë tashmë të konfirmuara dhe i takon SHELL të konfirmojë se si mund ta nxjerrë këtë sasi nafte në sipërfaqe.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Balluku iu përgjigj interesimit të medies mbi mungesën e publikimit në janar të të dhënave mbi nxjerrjen e naftës në Shpirag.

“Për sa i përket deklaratave të kryeministrit Rama dhe deklaratave të mia ne deklarojmë atë që deklaron SHELL dhe SHELL është një kompani shumë serioze. Nëse SHELL thotë deri në janar do t’ju sjell të dhënat, atëherë ne e deklarojmë publikisht, pasi ka një marrëdhënie kontraktuale. Në rast se SHELL-it, që i duhej t’i niste testimet në tetor 2023 i duhej t’i niste më vonë sigurisht edhe vonesat janë të parashikuara në kontratë”, tha Balluku.

Ajo theksoi se kur SHELL të jetë gati, pa dyshim ata do të dalin publikisht dhe do të japin përgjigje.

“Nëse dështon apo nuk dështon një proces nuk është problem i kryeministrit Rama, sepse kryeministri Rama nuk është ai që nxjerr naftën nga Shpiragu. Është ai që sjell SHELL në Republikën e Shqipërisë, i krijon kushtet SHELL që të operojë në Republikën e Shqipërisë”, tha ajo.

Balluku theksoi se nafta është gjetur në kilometrin e 5-të. “Është gjetur një rezervuar 1046 metra dhe ndodhet atje. Më vjen keq që shoh një lloj gëzimi të madh nga ana juaj për shkak të mosdaljes së naftës. Do të jetë fatkeqësi për Republikën e Shqipërisë nëse nuk gjendet mundësia që ajo naftë, për shkak të kushteve gjeologjike të mos dalë në sipërfaqe. Unë them që të lutemi e gëzohemi të gjithë që e kemi naftën dhe në mos sot, do të dalë në një moment tjetër”, tha Balluku.

Sipas saj, “nafta është gjetur dhe është konfirmuar nga SHELL”.

“Nafta ka cilësinë dhe kualitetin e ngjashëm me naftën e Arabisë Saudite dhe Teksasit, që janë dy standardet e cilësisë së naftës. Është gjetur edhe rezervuari, është 1046 metra i thellë, një rezervuar gjigant. Kur do ta nxjerrë SHELL dhe si do ta nxjerrë nuk është çështje fatkeqësie që vjen nga kryeministri Rama, është çështje gjeologjie dhe problematika të tjera teknike, por që i takon SHELL-it t’jua thotë”, tha ajo. /atsh/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit