2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Myslimani dhe kultura e të lexuarit

Më të lexuarat

Leximi është mjeti më i fortë që ndihmon formimin e personalitetit të myslimanit. Leximi është një kulturë që duhet të jetë prezent te myslimani. Leximi i ndihmon njeriut në shfrytëzimin e kohës, ne formimin e drejtë dhe e ruan atë që mos të bie në ndikimin e fjalëve dhe propagandave të njerëzve.
Islami leximit i kushton një rëndësi të veçantë. Pasi që e vetmja gjë që e ngritë njeriun është marrja me lexim.

Nëse thellohemi në porositë Hyjnore që na ka urdhëruar Allahu me to, shohim se fjala e parë që i është zbrit Muhamedit është “ Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte”. ( Alek 1-5). Ky është një urdhër që zëri vendin e parë në porositë Hyjnore. Ende pa e obliguar njeriun me besim. Ende pa e obliguar njeriun me namaz. Ende pa e obliguar me agjërim. Ende pa e obliguar me mirësinë ndaj prindërve dhe njerëzve në përgjithësi, ishte urdhri për lexim. Sepse, të gjitha këto arrihen vetëm përmes leximit. Kjo ishte një thirrje Hyjnore drejtuar myslimanëve që të ndërtojnë identitetin e tyre mbi dije dhe njohje. Njeriu i cili nuk lexon nuk mund ta njeh Krijuesin e Tij. Njeriu i cili nuk lexon nuk mund ta njeh fenë e tij. Njeriu i cili nuk lexon nuk mund të jetë njeri i civilizuar dhe i kulturuar. Një popull i cili nuk merret me lexim nuk mund të përparoj dhe nuk mund ta ndërtoj të ardhmen shkencore të vetës së tyre.

Gjëja e parë e cila duhet të arrihet përmes leximit është njohja e Krijuesit. Pastaj vijnë dijet tjera sipas pozitës dhe nevojës që njerëzit kanë për to. Nuk ka mos pajtim mes popujve që kanë kaluar por edhe ata që jetojnë sot për nevojën e leximit dhe rëndësinë e tij për ngritjen e njerëzimit. Leximi gjithashtu ndihmon në zhvillimin e mendjes, ndriçimin e saj si dhe zhvillimin e njeriut për një të ardhme të ndritshme. Po ashtu leximi dhe mësimi i tij është një bazë për ngritjen e njeriut në lëmit tjera.
Po ashtu, për rëndësinë që Islami i jep leximit shohim edhe betimin që Allahu ka bërë në lapsin dhe në atë që shkruan lapsi. Allahu thotë në librin e Tij: Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë ( Kalem 1). Nëse ajo që shkruhet nga lapsi nuk lexohet atëherë nuk ka vlerë. Edhe porositë profetike nxisin në lexim. Thotë i Dërguari i Allahut: “ Kush lexon një shkronjë nga Kurani, ai do të ketë një të mirë. Ndërsa e mira shpërblehet me dhjetë fish. Nuk them elif-lam-mim një shkronjë e përbashkët. Por, Elifun një shkronjë, Lamun një shkronjë, dhe Mimun një shkronjë”. Ky hadith normal që tregon për vlerën e leximit të Kuranit dhe se për çdo shkronjë që njeriu lexon nga Kurani ka shpërblimin e dhjetë fishit. Por, njëkohësisht ka edhe anën tjetër që njeriun e nxit që vazhdimisht të merret me lexim.

Nëse meditojmë në disa ngjarje të historisë së Pejgamberit shohim një kujdes të veçantë në çështjen e leximit. Prej këtyre ngjarjeve është edhe çështja e robërve në luftën e Bedrit. I Dërguari i Allahut i vinte kusht robërve të luftës që ishin idhujtarë nëse dëshirojnë të lirohen nga robëria tua mësoj dhjetë myslimanëve leximin dhe shkrimin. Ky kusht i Muhamedit alejhi selam në lirimin robërve tregon qartë për rëndësinë e mësimit të leximit dhe shkrimit. Sepse, janë nevoja esenciale për ngritjen e çdo populli i cili dëshiron përparimin dhe civilizimin. Myslimanët pas përfundimit të kësaj beteje kishin nevojë të madhe për pasuri. Sepse, kishin lënë vendet e tyre me tërë pasurinë që e kishin. Po ashtu kishin mundësi që përmes robërve të luftës ta shfrytëzojnë trysninë ndaj Kurejshitve. Ose ti ruajnë robërit për kompensim. Të gjitha këto ishin të mundshme dhe myslimanët për të gjitha këto kishin nevojë. Por, i Dërguari i Allahut mendonte në diçka që është më e rëndësishme se kjo, e që ishte që myslimanëve tua mësojnë leximin dhe shkrimin.

Kjo ishte një ide e Pejgamberit që kishte qëllim ndërtimin e një kulture dhe një civilizimi të fortë e që kjo nuk mundë të arrihet vetëm përmes leximit. Ata që dinin shkrimin dhe leximin ishin më të afërmit e Pejgamberit. Shiko në shokun e Pejgamberit Zejd b. Thabit, i cili kishte përparësi nga shumë prej shokëve të Pejgamberit. U bë shoqërues i vazhdueshëm i Pejgamberit, sepse ai dinte shkrimin dhe leximin. Ai u bë prej atyre që Pejgamberi e urdhëroi ta shkruaj atë që i zbrite nga ana e Allahut. Po ashtu i Dërguari i Allahut e ngarkoi që ti shkruaj letrat dhe mesazhet që ia dërgonte mbretërve të ndryshëm si dhe ishte përkthyesi i tij në gjuhën sirianite dhe hebreite. Ndërsa ky shok i Pejgamberit në këtë kohë kishte vetëm 13 vite.

Nga këto porosi dhe nga këto ngjarje u mboll dashuria për lexim në zemrat e myslimanëve. Bibliotekat islame ishin bibliotekat më të mëdha me shekuj të tërë. Ai që lexon për civilizimin islam do të has në bibliotekat e Bagdadit, biblioteka e Kurtubës në Spanjë, biblioteka e Garnatës, ajo e Kajros, Damaskut dhe shumë e shumë biblioteka tjera që me shekuj kanë qenë vatër e diturisë dhe simbol i kulturës dhe civilizimit të myslimanëve.

Myslimanët e parë ishin shembuj dhe pishtarë të diturisë. Ata përveç që ishin të ngritur në shkencat fetare, ishin të parët edhe në shkencat jo fetare. Jo vetëm të parët, por ata ishin edhe zbuluesit dhe themeluesit e shkencave të ndryshme. Në medicinë ende vazhdon të jetë bazë libri Avicenna i shkruar nga Ibën. Sina. Pastaj në fushën e sociologjisë është bazë parathënia e Ibën Haldunit. Po ashtu në lëmin e matematikës dhe shumë shkenca që fillin e kanë nga dijetarët dhe shkencëtarët myslimanë. Kështu ishte sepse ata kuptuan imperativin e parë Hyjnorë që ishte “ Lexo”. Ata lexuan dhe përparuan. Ne nuk lexojmë dhe nuk përparojmë.

Një shoqëri e cila nuk ka kulturë të leximit është një shoqëri me probleme serioze. Në popullin ton leximi nuk e zë vendin e merituar. Shprehia e të marrit me lexim mungon te çdo shtresë dhe moshë e shoqërisë. Fëmija nuk merren me lexim, nuk fitojnë kulturë të leximit. Edhe ata që tregojnë suksese në mësimin e tyre në shkollë kufizohen vetëm në librat shkollore, ose thënë më qartë vetëm në ato mësime që kërkohen për notim. Nuk ka vullnet për të shtuar diapazonin e dijes. Kështu vazhdon fëmija deri në përfundimin e shkollës së mesme.

Këto probleme i sheh edhe te studentët. Në kohën e provimeve i sheh bibliotekat të mbushura me studentë, në përpjekje për përgatitje për provim. Me përfundimin e provimit, përfundon edhe kultura për të lexuar. Nuk lexon qoftë edhe një libër. Harron edhe vendin se ku e ka vendos librin në dhomën e tij. Ndërsa pasi e kryen fakultetin nuk merret më me lexim. Bibliotekën e mban vetëm për stoli dhe zbukurim të dhomës.

Sikur të bëhej ndonjë statistikë se sa merremi me lexim sigurisht se nuk do ta kalonte as dhjetë për qindin e popullsisë që merren me lexim dhe që e kanë kulturë të lexuarit. Mungesa e kulturës së leximit përcjellë çdo moshë të popullit tonë. Si pasoj e kësaj dukurie pastaj ballafaqohemi me shumë probleme. Merremi me thash e thënie, keqkuptojmë njëri tjetrin, merremi me propaganda, biem viktimë e tyre. Shpesh herë i akuzojmë njerëzit pa të drejtë, qoftë në aspektin fetarë, apo në aspekte tjera për shkak të mungesës së njohurive në lidhje me atë çështje. E kjo vjen si pasoj e mungesës së kulturës së leximit.

Andaj të nderuar besimtarë:
Libri le të jetë shoqëruesi ynë më i miri. I vetmi shok i cili nuk të hidhëron asnjëherë është libri. Leximi le të jetë kulturë e jetës sonë. Libri është ushqimi i shpirtit dhe sëmundjes. Leximi është adhurim, është krenaria e njeriut, është shkak për të fituar sy çelësin, pastron shpirtin, është derë për shpikje dhe zhvillim të mendjes si dhe zgjeron njohurit e njeriut.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit