-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Myslimanët në Greqi

Më të lexuarat


Para se të flasim për myslimanët në Greqi, duhet të japim një pasqyrë të shkurtër për Greqinë, vend i kulturave antike.

Madhësia e Greqisë arrin deri në 132000 km2. Ajo shtrihet në anën jugore të Gadishullit Ballkanik dhe karakterizohet me bregdetin më të gjatë në Evropë. Një e pesta e kësaj sipërfaqeje përbëhet prej qindra ishujve, prej të cilëve më i madhi është ai i Kretës dhe Kiosit.

Ndërsa numri i popullsisë llogaritet në mbi 10 milionë banorë, apo 75 banorë në km2. E tërë kjo hapësirë u zotërua për shekuj të tërë nga turqit, kur Turqia njihej me emrin Perandoria Osmane, përveç ishullit të Kretës që u pushtua nga Britania e Rodosi, që u pushtua nga Italia. Ky pushtim vazhdoi deri në vitin 1910, deri kur filloi kryengritja kundër “njeriut të sëmurë”, me të cilën emër u quajt Perandoria Osmane në fillimin e përfundimit të dominimit të saj të gjatë, që zgjati për disa shekuj ndaj vendeve të ndryshme.

Në betejën e Aksenderpolit në vitin 1920, e që te grekët njihet si “dështimi i madh”. Ata besojnë që nuk kanë arritur të çlirojnë vendin e tyre plotësisht dhe se ata në këtë betejë vendimtare kanë humbur një pjesë të madhe të vendit të tyre, që nga kufijtë e tyre të tanishëm e deri në Kostandinopojë (Stamboll). Turqit osmanë u detyruan të largohen nga Greqia, ndërsa marrëveshja e Lozanës e vitit 1923 përcaktoi të drejtat e pakicës myslimane në veriun e Greqisë si dhe të pakicës së krishterë në rajonin e Stambollit. Me këtë marrëveshje të dy shtetet u siguruan të drejtën dhe mbrojtjen politike, kulturore, fetare e ligjore për të dy grupet në kuadër të kufijve të tyre rajonal si dhe që gjuha turke të jetë e obliguar për pakicën e krishterë në Turqi, ndërsa gjuha greke të mos jetë e obliguar për pakicën myslimane në Greqi. Kjo gjë kontribuoi në paditurinë e myslimanëve dhe largimin e tyre nga shkencat bashkëkohore, megjithëse që të gjithë gëzonin nënshtetësinë greke.

Kjo marrëveshje pati dhe ende vazhdon të luajë rol negativ në jetën e myslimanëve grekë dhe si pasojë e së cilës iu nënshtruan tensionit të marrëdhënieve mes Turqisë e Greqisë.



Qyteti i vjetër i Rodosit

Nuk ka dyshim se ekzistojnë fuqi të shumta e të fshehta, të cilat urrejnë Islamin dhe myslimanët, e të cilat janë gjithnjë përgjegjëse për çdo gjë që u ndodhi e u ndodh myslimanëve. Fuqi të liga, djallëzore e keqdashëse, të cilat nuk kënaqen vetëm se me padrejtësi. Pushtimi i gjatë osman në Greqi, i cili zgjati afërsisht 470 vjet, la me qindra gjurmë islame e objekte civilizuese, duke filluar që nga xhamitë, bibliotekat, kalatë e lagje banimi. Sot, nuk ka mbetur asgjë që vlen të përmendet. Kjo ngase ato u kthyen në vende turistike e argëtimi si në lagjen Bellaka në Athinë, apo u kthyen në kisha e muze si në qytetin e Selanikut. Disa u lanë në mëshirën e kohës e ndryshimeve mjedisore si në ishullin e Rodosit, apo u shkatërruan dhunshëm qëllimisht siç ndodhi me xhaminë Tabakhane më 1972 në qytetin e Aksantit. Sipas mendimit tim, po të mos ishte numri i madh i myslimanëve në veriun grek, që kalon 140 000 banorë, nuk do të mbetej në Greqi asnjë gjurmë që do të tregonte se në Greqi ka pasur myslimanë. Gjithashtu, duhet cekur se në Greqi ka me mijëra studentë arabë e të tjerë, pronarë të kompanive e dyqaneve tregtare, si dhe organizata e përfaqësi diplomatike arabe e islame.

z. Kabisis, ish-zëvendës i ministrit të Jashtëm grek thotë: “Ne i llogarisim ata (myslimanët grekë) si qytetarë tanë. U japim vend të veçantë për shkak të sinqeritetit e mirësisë së tyre. Tani, po përpiqemi që t’i zgjidhim disa prej problemeve me të cilat ballafaqohen, veçanërisht ato të cilat i trashëguan grekët nga koha e diktaturës.

z. Marudhas ish-zëdhënës zyrtar i Qeverisë greke dhe ish ministër i Informacionit thotë: “Marrëdhëniet arabogreke janë të vjetra dhe ne llogarisim veten më të afërt me arabët se të tjerët. Mund të them që Greqia është vazhdim i vendeve arabe. Arsyet tona për zhvillimin e lidhjeve tregtare grekoarabe nuk janë thjesht ekonomike, ngase tregtia jonë me Evropën është shumë më e madhe se ajo me vendet arabe.

Prej qëllimeve tona të qëndrueshme është mbështetja e popullit palestinez në luftën e tij për të arritur të drejtën e tyre legjitime në ngritjen e shtetit të tyre të pavarur në Palestinë. Ndërsa në fushën informative, ka filluar bashkëpunimi mes agjencisë së lajmeve greke me ato arabe. Tani kemi buletinn të lajmeve në gjuhën arabe për çdo mëngjes. Sa i përket televizionit, ne jemi të gatshëm të zbatojmë çdo propozim që synon dhënien e programeve të ndryshme televizive në televizionin kombëtar grek.

Dy ishdeputetët myslimanë në parlamentin grek Ahmed Muhamed dhe Muhamed Jesar Uglu thonë: Myslimanët në Greqi i qortojnë vëllezërit e tyre në shtetet e ndryshme islame, ngase atyre nuk u intereson gjendja jonë…

Kiraza Miniri, sekretarja e parë e ministrisë për Veriun Grek thotë: “Të gjitha pakicat kanë unionet e tyre të përfaqësuara në ministrinë e Veriut e prej tyre edhe Unioni mysliman. Në Greqi, të gjitha pakicat gëzojnë të drejtën të themelojnë unione, madje këtë të drejtë e gëzojnë edhe jo shtetasit grekë.

Myftiu Mustafa Hilmi (myfti i qytetit të Aksantit që nga viti 1949) thotë: Jam nëpunësi i vetëm mysliman dhe rroga ime nuk kalon 12000 dhrahmi, ndërkohë që punëtori më i thjeshtë grek merr 30000 dhrahmi. Ai thotë se në qytetin e Aksantit jetojnë më shumë se 50000 myslimanë dhe të gjithë vuajnë nga varfëria e injoranca. Në këtë qytet gjenden tri zyre vartëse të organeve zyrtare greke, qëllimi i të cilave është presioni mbi myslimanët dhe asnjë mysliman nuk mund të bëjë asnjë punë pa konsultimin e këtyre zyrave dhe marrjen e lejes prej tyre. Shteti ka filluar konfiskimin e tokave myslimane e vakëfeve islame duke mos paguar asnjë kompensim. Rast i tillë është konfiskimi i 2300 hektarëve tokë në fshatin Ifilalus disa vite më parë. Myslimani nuk ka të drejtë të shesë tokën e tij myslimanit tjetër, ndërsa i lejohet t’ia shesë atë ndonjë të krishteri. Nëse dy prej grekëve pretendojnë se një tokë e caktuar u takon atyre, atëherë kjo tokë u jepet atyre.

Ai në vazhdim thotë: “Kemi vuajtur shumë nga persekutimi dhe shtypja gjatë periudhës së pushtetit ushtarak (nga viti 1967), por pavarësisht nga rënia e këtij pushteti dhe kthimit të jetës parlamentare në vend, nuk e kemi ndier ndryshim serioz në trajtim. Myftinia ka paraqitur kërkesë për lejimin e ndërtimit të xhamisë në vendin e xhamisë së shkatërruar, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Gjurmët islame të cilat janë larguar nga qyteti i Aksantit gjatë periudhës së pushtetit ushtarak, kanë mbetur ashtu siç janë. Në vend të xhamisë së shkatërruar është ndërtuar një institut artistik. Duhet përmendur edhe ligjin e nxjerrë më 1980 (me numër 1091), i cili kërkon paraqitjen e dokumenteve ligjore për tokat në pronësi të vakëfit, ose përndryshe këto toka do të bëhen pronë e shtetit. Ne këtu vuajmë nga diskriminimi në çdo gjë, pavarësisht që jemi shtetas grekë dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë me pozitivizëm, me kusht të mosndërhyrjes në çështjet tona fetare. Ne jemi shtetas grekë dhe duhet të gëzojmë të njëjtat të drejta, të cilat i gëzon çdo shtetas grek larg nga konsideratat fetare e politike”.

z. Kabisis, ishzëvendës i ministrit të Jashtëm grek thotë: “Ekzistojnë disa ligje, për të cilat përgjegjësia i takon qeverisë së mëparshme dhe ne po punojmë aktualisht dhe gradualisht për shfuqizimin e ndryshimin e këtyre ligjeve. Shpresojmë nga shtetasit tanë myslimanë mbështetjen e tyre. Si dhe shpresojmë që të na ndihmojnë që bijtë e tyre të diplomojnë në fusha të ndryshme shkencore e teknike, në mënyrë që të kontribuojnë në punët publike si çdo shtetas grek i kualifikuar”.



Xhamia e rrënuar nga pushteti ushtarak në Greqi më 1972, e vjetër 500 vjet

Ndërsa sa i përket Ligjit për vakëfet islame, përmbajtja e ligjit të veçantë për pasuritë e kishave do të jetë më i rreptë në kufizimin dhe organizimin e këtyre pasurive. Qëllimi i kësaj është organizimi, e jo mashtrimi e shfrytëzimi si dhe njohja e mënyrave të shpenzimit të ardhurave të këtyre vakëfeve.



Xhamia e vetme e mbetur në Selanik

Hasan Muhamed, myfti i qytetit Kumutini thotë: “Islami e myslimanët janë në rregull dhe se nuk ka asnjë presion. Myslimanët shkojnë në xhami, falin namazin me liri të plotë dhe grave myslimane iu lejohet veshja e rrobave të veçanta të tyre. Leximi i Kur’anit bëhet në gjuhën arabe. Në qytetin e Kumutinit jetojnë mbi 60 000 myslimanë. Është bërë zgjedhja e dy deputetëve nga kjo zonë në Parlamentin grek, ndërsa përfaqësimi nuk është në bazë fetare. Ne jemi shtetas grekë. Kemi disa vështirësi në marrjen e lejeve për renovimin e restaurimin e xhamive të vjetra. Vendimi i qeverisë, i nxjerrë në vitin 1980 për konfiskimin e tokave e pasurive të vakëfeve islame, nuk është shfuqizuar e as zbatuar deri më tani”. Kur e pyesim se a kanë myslimanët gazeta, revista apo programe të veçanta për ta në radio apo televizion apo unione? Thotë: “Kemi dy unione: unionin e absolventëve të universitetit dhe atë të mësimdhënësve. Radioja ka paraqitur vetëm një herë disa vite më parë një program për ditëlindjen e Muhamedit a.s.” Kur e pyesim: a keni paraqitur kërkesa për nxjerrjen e gazetave apo revistave apo pjesëmarrjen me programe të caktuara në media? ai hesht dhe nuk përgjigjet.

Myslimanët në ishullin e Rodosit thonë: “Një shikim i vetëm në gjendjen tonë mjafton që të kuptosh për gjendjen e vështirë në të cilën jetojmë. Për varfërinë, injorancën, prapambetjen dhe neglizhencën në të cilën jetojmë. Xhamitë janë të mbyllura e të neglizhuara përveç një xhamie të vetme. Biblioteka islame e rrallë dhe e pasur me qindra dorëshkrime të çmuara është shndërruar në muze. Oborri i xhamisë që është pjesë e varrezave myslimane është bërë fushë basketbolli”.

Njëri nga myslimanët e Athinës thotë: “Kemi paraqitur kërkesë zyrtare tek organet kompetente për blerjen e xhamisë së vetme e të mbyllur në lagjen Belaka, me qëllim të renovimit e restaurimit dhe hapjes së saj për myslimanët, duke pasur parasysh mosekzistimin e asnjë xhamie tjetër. Por, përgjigjja erdhi me shfajësim duke iu frikësuar ngjalljes së ndjenjave greke dhe përkujtimin për pushtimin turk. Qeveria greke ka ndarë një sipërfaqe prej 11 000 m2 për ndërtimin e një qendre islame në Athinë, por autoritete të fshehta morën iniciativën për shitjen e pjesës më të madhe të kësaj sipërfaqeje Kishës dhe shërbimeve publike. Sipërfaqja që mbeti ishte 4000 m2, duke ia shtuar edhe presionet e padukshme me të cilat ballafaqohet ky projekt duke dështuar të gjitha përpjekjet për përfundimin e tij.

Kur e pyesim për xhaminë e ngritur në sipërfaqe të hotelit Kerafil thotë: “Kjo xhami, për të cilën janë shpenzuar pasuri enorme, është propagandë e pastër për hotelin, si dhe është njëkohësisht deformim i besimit islam”.

Kjo xhami është ndërtuar për myslimanët e pasur, të cilët besojnë se namazi është Islami dhe se ajo fshin çdo gjë para saj. Duhet cekur se përveç mysafirëve të hotelit, hyrja në këtë xhami nuk u lejohet të tjerëve, si dhe xhamia është shndërruar në kafe nate, ku bëhen të gjitha të ndaluarat. Afër xhamisë gjendet pishina e shkëlqyeshme, ku lahen turistet gjysmëlakuriqe. Dhe pastaj… Pse lidhen pamjet e prapambetjes me vendet në të cilat jetojnë myslimanët? Dhe pse përhapet ndikimi i injorancës në vendqëndrimet e tyre?

A është kjo rezultat i ngrirjes intelektuale të disa udhëheqësve të tyre, të cilët nuk dëshirojnë ta braktisin atë për të mos humbur hegjemoninë e dominimin e tyre mbi besimtarët e thjeshtë? Apo është përfundim i kolonizimit mendor të gjatë, i cili u përkujdes në futjen e mendimeve të gabuara e manive të rreme në Islam? Apo është komplot në të cilën morën pjesë injoranca dhe e keqja kolonizuese për ngufatjen e mendimeve e parimeve të vërteta të Islamit për liri, përparim e zhvillim?

Islami ka vërtetuar se është i përshtatshëm për çdo vend e kohë dhe është i gjerë e i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit e botës. Islami është fe e civilizimit të plotë njerëzor. Dëshmi për këtë është pranimi i Islamit nga intelektualët e shkencëtarët më të njohur perëndimorë. Ata janë njerëz që nuk u mungon fama dhe nuk kanë nevojë për asgjë që të pranojnë Islamin, ngase jetojnë në një shoqëri, e cila ka bërë arritje të mëdha në fushat e zhvillimit shkencor dhe teknikës bashkëkohore.

Gjatë rrugëtimit tim drejt veriut grek ku janë të koncentruar myslimanët, pashë një tabelë mbi të cilën ishte shkruar në gjuhën greke “sirbas” apo vende të varfra, vende të thata!!

Myslimanët e kanë detyrë që para botës të dëshmojnë se Islami është fe e dijes, punës, dritës, me të cilën mbush botën me dashuri e mirësi të pakufishme.

Përktheu nga arabishtja:

Fuad Morina

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit