Prishtinë, më 18 prill 2023
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin z. Michael Davenport.
Myftiu Tërnava fillimisht i dëshiroi mirëseardhje dhe më pas e njohu ambasadorin Davenport me organizimin e jetës fetare në Kosovë, si dhe me aktivitetet qe po bënë BIK-u gjatë muajit të bekuar Ramazan. Myftiu Tërnava çmoi dhe vlerësoi lart bashkëpunimin me OSBE-në përgjatë viteve në realizimin e shumë projekteve, e sidomos në fushën e dialogut ndërfetar në Kosovë.
Nga ana e tij, ambasadori Davenport, falënderoi Myftiun për pritjen dhe nënvizoi bashkëpunimin shumë të mirë që ka me institucionin e BIK-ut, duke potencuar edhe njëherë rolin efikas që ka luajtur Myftiu Tërnava dhe BIK-u për harmoninë, bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë.
Në fund, ambasadori Davenport e uroi Myftiun Tërnava dhe gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
Dy palët u pajtuan se rruga e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve edhe më do të thellohet në të ardhmen.