Prishtinë, më 8 nëntor 2024
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim një delegacion nga Fondacioni “Shejh Zajed” i Emirateve të Bashkuara Arabe, i përbërë nga Muhamed al Mansoori – përgjegjës i projekteve jashtë vendit, znj. Khuloud al Kindi, znj. Shikha al Blooshi dhe znj. Maytha Abdullah.
Myftiu Tërnava fillimisht iu uroi mirëseardhje mysafirëve, e më pas i njohu ata me punët dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, me theks të veçantë për aktivitetet humanitare që zhvillon BIK-u përmes shoqatës së saj humanitare “Bereqeti”. Ai përmes tyre falënderoi Fondacionin “Shejh Zajed” për ndihmat e vazhdueshme dhënë për Kosovën në përgjithësi, por edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës në veçanti.
Përfaqësuesit nga Fondacioni “Shejh Zajed” po qëndrojnë për vizitë në Kosovë për të shpërndarë veshmbathje në organizata dhe institucione të ndryshme të Kosovës.