92 vjet më parë, më 11 shkurt 1920, u shpall Tirana kryeqytet dhe ky vendim do të hynte në fuqi menjëherë, kur qeveria e zgjedhur në Kongresin e Lushnjës do të vinte këmbë në qytet, më 11 shkurt.
Edhe pse Kongresi u zhvillua në Lushnjë, vendimet e tij do të kishin jehonë më të madhe në kryeqytetin e porsazgjedhur, i cili priti qeveritarët e rinj. “T’i bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjes, më 11. të k. muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet”. Kështu shkruante në një qarkore drejtuar të gjitha prefekturave të Shqipërisë, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Ahmet Zogu.
Pikërisht ky moment, ai i hyrjes së qeverisë së zgjedhur në Lushnjë, është fiksuar në një fotografi, e cila na vjen e dëmtuar nga koha, por ku mund të shquhen disa prej protagonistëve të saj. Janë kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili do të mbesë në histori si kryetari i parë i kryeqytetit të ri, Ismail Efendi Ndroqi, por edhe Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri dhe Mytesim Këlliçi.
qeveria-lushnjes
Kryebashkiaku i parë i Tiranës, Myderiz Ismail Efendi Ndroqi, lindi në vitin 1876, në Tiranë. Mësimet fillestare i ndoqi në Tiranë në shkollën “Ruzhdie”, ndërsa studimet e larta në Stamboll, studioi për teologji nga viti 1893-1908. Gjatë kësaj kohe u bë një veprimtar në Lëvizjen Kombëtare, duke u shoqëruar me atdhetarët Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri etj.
Ismail Efendi Ndroqi ishte ndër udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Tiranë. Gjatë viteve 1914-1915, u burgos me shumë atdhetarë të tjerë nga forcat e Haxhi Qamilit. Në vitin 1917 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku shërbeu me ndershmëri deri më 1922-shin. Ka qenë një nga nismëtarët kryesorë në organizimin e Kongresit të Lushnjës. Dhe ishte pikërisht ai që priti, me shumë luftëtarë të tjerë, në Qafë-Kashar, qeverinë e Lushnjës, duke hyrë në Tiranë në krye të saj, përmes ushtarëve italianë që përpiqeshin ta pengonin.
Shefi i sektorit të protokollit dhe ceremonialit pranë Bashkisë së Tiranës, Valter Gjoni, tregon një sërë dokumentesh, mes të cilave qarkore apo fotografi, që tregojnë se si u vunë në jetë, pikërisht në Tiranë, vendimet e Kongresit të Lushnjës. “Kongresi i Lushnjës u ndie më së shumti në Tiranë, ku ruhet më së miri elementi historik. Kemi godinën e Regjencës (Këshilli i Naltë), sot Akademia e Shkencave, kemi disa pllaka përkujtimore, për godinën e qeverisë, pastaj më vonë të Bashkisë, ndërkohë që është kryetari i bashkisë së Tiranës, Ismail Efendi Ndroqi, që e priti dhe e sistemoi qeverinë që doli nga ky kongres. Ishte Bashkia e Tiranës që mbështeti të gjitha veprimet patriotike të Kongresit të Lushnjës”, thotë Gjoni.
“Në arkivin e Bashkisë, por edhe në të tjerë arkiva, gjenden dokumente shumë interesante në lidhje me këtë. Një ndër to është procesverbali i Kongresit të Lushnjës”, thotë Valter Gjoni. Në procesverbalin e Kongresit të Lushnjës, ndër të tjera gjejmë dhe formulën e betimit të delegatëve: “Mbledhja kombtare jep fjalën e nderit e besën e shqiptarit duke u betuar në emën të Perëndis se deri sa Këshilla e Naltë vepron mbas ligjet të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mprojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille”.
Pas 92 vjetësh, Tirana mbeti kryeqytet dhe kleriku Ismail Efendi Ndroqi ka hyrë në histori si kryetar i parë i kryeqytetit Tiranë dhe si kryetari që i hapi dyert qeverisë së Kongresit të Lushnjës. /kmsh/