-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Musliu: Vërtetohet se Serbia po i përdorë kishat ortodokse për të kontrabanduar armë, serbët së bashku me rusët janë brenda Manastirit të Banjskës

Më të lexuarat

Drejtori i Institutit për Studimin e Kërcënimeve Hibride “Octopus”, Agim Musliu ka thënë se pas sulmit të sotshëm ndaj Policisë së Kosovës është vërtetuar se Serbia po i përdorë kishat ortodokse për të kontrabanduar armë.

Musliu me anë të një reagimi në rrjetin social X, ka pyetur se si është e mundur që ky grup terrorist ta përdor manastirin si strehë ushtarake.

“Duket se deputetja e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns kishte të drejtë kur paralajmëroi se armët po kontrabandohen nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë”, ka shkruar Musliu.

“Sulmi i sotëm ndaj Policisë së Kosovës është i qartë. Si ka mundësi që një grup terrorist të kthehet direkt në një manastir për një strehë ushtarake?”, shton ai.

Po ashtu, eksperti Musliu thekson se brenda Manastirit të Banjskës së bashku me serbët ka edhe rusë.

“Ka rusë, së bashku me terroristët serbë brenda Manastirit Basnjska në veri të Kosovës”, ka përfunduar Musliu.

Deputetja Kearns në një fjalim të bërë në Parlamentin e Britanisë së Madhe kishte thënë se armët që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë po bëhen përmes autoambulancave dhe po strehohen në kishat ortodokse.

Ajo pati thënë se për këtë gjë është në dijeni edhe KFOR-i.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, ka thënë Kearns.

Kryeministri Albin Kurti ka pohuar se dhjetëra persona të armatosur janë duke qëndruar në manastirin e Banjskës.

“Sulmet po vazhdojnë, janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë , të cilët ndodhën nën rrethimin e Policisë, i ftoj të dorëzohen”, ka deklaruar Kurti para mediave.

Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë në veri të Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit