1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Muslimani, përtej propagandave të investuara…

Më të lexuarat

Islami e don muslimanin kudo në jetë, në çdo fushë të saj, me moral dhe mirësjellje, shembull që frymëzon, model që tërheq rreth vetes vëmendjen e kujtdo që kërkon lartësitë dhe personalizimin e tyre në praktikën e jetuar!

Muslimani nuk është njeri i izoluar, sikurse nuk ka nevojë për frymëzime diktuese në raportet që ka me fenë e tij, aq më tepër kur këto frymëzime vijnë përtej pragut të jashtëm të derës së shtëpisë!

Nuk ka Islam të vjetër dhe Islam të ri! Nuk ka Islam shqiptar e Islam arab, as Islam fanatik e Islam të moderuar! Këto janë propaganda të investuara për të krijuar përherë hendeqe në raportet tona me njëri-tjetrin, me tekstet tona të shenjta, me të shkuarën dhe njerëzit e saj, me historinë dhe kontekstet e saj, me hyjnoren dhe njerëzoren…

Musliman bëhesh me përpjekje, që nis nga sakrifica e prindëve për të krijuar modele të gjalla tekstesh të shenjta para syve të fëmijës dhe vazhdon gradualisht me xhihadin e brendshëm për të ngjitur shkallët e takvasë, shoqëruar me parime lehtësisht te praktikueshme, jo të vështira për të rrëshqitur në marrëdhëniet e pakujdesshme me jetën, gjatë fërkimeve të hutuara me përditshmërinë, me hipokrizinë, frikën, pamundësinë, hilet, meskinitetin e dobësinë e karakterit!

Musliman qëndron dhe forcohesh, sa herë ballafaqohesh me teste të papritura, që të sprovojnë në durim e besim, në dije e dinjitet, në moral e krenari, në ndërgjegje e ndershmëri.

Aftësia për të nxjerrë në pah tiparet e brumosjes së drejtë të tabanit të shëndoshë familjar, formimin e argumentuar dhe shembujt e shenjtëruar të besimit në brendësinë tënde, nga leximet e shekujve të shkuar, janë ato që shenjojnë vlerën dhe gradën reale të qenies tënde musliman. Përndryshe, çdo pretendim i pavërtetuar në praktika konkrete, mbetet dëshmi paradoksale e një mungese ekuilibri në marrëdhënie me Islamin tënd!

Muslimani nuk jeton për të fituar pëlqimin e hallkut, aq më tepër të dikujt që s’ka asnjë lidhje me fenë dhe formimin e tij! Muslimani jeton dhe punon për të fituar kënaqësinë e Krijuesit të tij, i Cili e udhëzon të jetë mëshirë e dhuruar për këdo prej krijesave të Tij, në këtë jetë të përkohshme, të cilën është ftuar ta jetojë me dinjitet e krenari!

Muhamed B. Sytari

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit