0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Musai a.s dhe martesa e vajzave

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Musai a.s dhe martesa e vajzave

Hyrje
 
Martesa është objektiv dhe synim i çdo të riu dhe të reje. Ajo konsiderohet si bërthama fillestare e formimit të individit, shoqërisë dhe umetit, por që në kohët moderne është bërë diçka e rëndë dhe e vështirë.
Shumë nga shoqëritë islame, sidomos ato arabe, vuajnë nga sindromi i rritjes së numrit të beqareve. Statistikat tregojnë se numri i vajzave beqare është në rritje.
Duke trajtuar historinë e një të moshuari, i cili i propozoi Musait a.s të martohet me një nga vajzat e tij, do të flasim edhe mbi beqarinë mes vajzave, shkaqet, pasojat dhe hapat konkretë që duhen marrë për t’a luftuar.
 
Musai a.s dhe vajzat e të moshuarit
 
I frikësuar, Musai a.s u arratis nga Egjypti dhe u vendos në Medjen. I raskapitur nga rruga e gjatë dhe vapa, u drejtua për tek burimi i qytetit, për të shuar etjen. Atje gjeti shumë njerëz që kishin dalë për të mbushur ujë dhe dy vajza të reja, të cilat prisnin të mbarojnë njerëzit, që t’i japin bagëtisë të pijë ujë. Musai a.s u afrua dhe i pyeti:”Përse nuk u jepni deleve të pinë ujë bashkë me njerëzit e tjerë?”
Ato u përgjigjën:”Ne e kemi bërë zakon që të presim derisa të largohen të gjithë njerëzit, pasi nuk duam të përzihemi me ta dhe njëkohësisht e kemi të pamundur t’u japim deleve të pijnë në atë zallamahi. Ne jemi të detyruara t’a bëjmë këtë punë, pasi babai ynë është i moshuar dhe i pamundur. Duke mos patur një burrë të fuqishëm në shtëpi, jemi detyruar ne dy vajzat t’a bëjmë këtë.” (Për më shumë, shih tefsirin Fet’hul Kadir, Sheukani 4/236)
Menjëherë, Musai a.s i ndihmoi t’u japin deleve të pijnë dhe të mbushin ujë për familjen. Më pas, u drejtua drejt një peme dhe u shtri të pushojë në hijen e saj.
Thotë Zoti i madhëruar në suren Kasas, mbi atë që ndodhi më pas me Musain a.s:”Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha:“Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha:“Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!” “O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.” (Kasas, 25-27)
Duket qartë që dy vajzat e Shuajbit a.s, nuk e mbajtën të fshehtë atë që u ndodhi me Musanë, por i rrëfyen gjithçka babait të tyre. Ato nuk u frikësuan se babai do i ndalonte të dalin herë tjetër, ngaqë një djalë i ri u kishte folur dhe i kishte ndihmuar. Por as babai nuk e mori këtë ndodhi si diçka kalimtare. Ai, menjëherë mori masat dhe kërkoi të njihej me këtë të ri që u kishte ofruar ndihmë dy vajzave të tij. Vallë, përse i ndihmoi? Çfarë e motivoi?
Ai i kërkoi njërëz nga vajzat që të shkojë tek burimi dhe t’i kërkojë këtij djali të ri të vijë në shtëpinë e tyre dhe të takohet me të.
Duke qenë se Musai a.s nuk mendonte keq për vajzën, eci para saj derisa arritën në shtëpi. Shuajbi a.s dëshironte të prezantohet me Musanë a.s, për të ditur më shumë rreth tij, origjinës dhe objektivit. Kur Musai a.s i rrëfeu historinë e tij, Shuajbi a.s u qetësua.
Me ardhjen e Musait a.s në shtëpi, dy vajzat e Shuajbit u lehtësuan nga barra e rëndë me bagëtinë. Nëse ato nuk dëshironin të qëndronin të mbyllura në shtëpi, por të dilnin çdo ditë për t’u dhënë ujë bagëtisë, nuk do i propozonin babait që t’a mbante Musanë si hyzmeqar.
“O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”.
Prandaj, kur gruaja gjen një zgjidhje për të mos dalë nga shtëpia dhe për të shmangur kontaktet me burrat, e propozon atë menjëherë.
Thotë Abdullah ibnu Mesudi – Zoti qoftë i kënaqur me të-:”Tre persona kanë pasur intuitën më të mprehtë: Ebu Bekri kur caktoi Umerin si Halife të muslimanëve pas tij, padroni i Jusufit kur e porositi të shoqen:”Bëja të këndshëm qëndrimin këtu.” (Jusuf, 21), dhe vajza e Shuajbit kur i propozoi të atit:“O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim.”
Kurse Umeri, Ibnu Abasi dhe shumë të tjerë, thonë:”Kur vajza i tha babait:” Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim.” Babai e pyeti:”Po ti ku e kuptove këtë?”
Vajza iu përgjigj:”Ai ngriti gurin e pusit i vetëm, ndërkohë që atë gur mezi e ngrenë dhjetë burra. Gjithashtu, kur e ftova të vijë në shtëpi me mua, ai më tha:”Unë do të ec para, kurse ti pas meje. Nëse ndodhemi para një rruge të degëzuar, më oriento në drejtimin e duhur duke hedhur një guralec!” (El-mustedrek i Hakim, 3/96, hadithi 4509)
 
Urtësia e babait, në propozimin që i bëri Musait a.s
 
1 – Ai e mori Musain a.s si hyzmeqar pwr t’i kullotur delet. Me këtë, ai hoqi një barrë të rëndë nga vajzat e tij. Këtë vendim ai e mori duke u bazuar tek kërkesa e vajzës së vogël, e cila i tha:“O babai im, merre këtë njeri në shërbim!”
2 – Është ai që i propozoi Musait a.s të martohej me njërën nga vajzat pa u sikletosur nga një kërkesë e tillë dhe pa pritur që të jetë Musai ai që e kërkon dorën e njërëz nga vajzat. Musai ishte një djalë i ri, i ndershëm dhe ia vlente të bëhej dhëndër. Përse të mos ishte vetë babai i vajzës ai që do ia kërkonte këtë? A nuk kërkon ai një dhëndër të përshtatshëm dhe një burrë të ndershëm për vajzën e tij? Kështu, me t’a gjetur, nuk hezitoi që t’i propozojë të martohet me vajzën e tij.
Musai a.s ishte një i huaj dhe mbetej i tillë, edhe pse ishte i moralshëm, i turpshëm dhe i ndershëm. Ai mbetej dhe shihej si i huaj. Në shtëpi, ndodheshin dy vajza të reja, që edhe pse ishin besimtare, të ndershme dhe të turpshme, do të jetonin me një person të huaj nën një çati. Koha e qëndrimit të Musait në shtëpi do të ishte e gjatë, tetë deri dhjetë vite. Duke u martuar me njërën nga vajzat, qëndrimi i Musait a.s në shtëpi do të ishte brenda normave të lejuara dhe pa ngjallur hije dyshimi. Njëra nga vajzat do të ishte gruaja e tij, kurse me tjetrën e kishte haram të martohej. Në një rast të tillë, nuk do të mbetej vend për dyshime dhe cytje të shejtanit.
3 – Ai nuk e pati problem që të martojë vajzën e vogël, para të madhes. Vajza që u martua me Musain a.s, ishte e vogla.
4 – Ai pranoi që Musai a.s të shërbejë në kullotjen e deleve për tetë deri dhjetë vite, në vend të dhuratës martesore, qëndrimit në shtëpinë e tij, sigurimit të ushqimit, pijes dheveshjes. Kjo, pasi Musai a.s ishte një i huaj në një vend të huaj. Ai nuk kishte asnjë dyshkë për të paguar dhuratën martesore. Diçka e tillë tregon që dhurata martesore mund të jetë edhe diçka tjetër përveç pasurisë.
Interpretuesit e Kuranit, kanë mendime të ndryshme mbi babanë e dy vajzave. Disa prej tyre mendojnë se është profeti Shuajb. Disa të tjerë mendojnë se ka qenë thjesht një njeri i mirë dhe që nuk ka të bëjë me profetin Shuajb. Sipas tyre, profeti Shuajb a.s, ka jetuar shumë kohë para Musait a.s. Në librat e vjetër të hebrenjve, thuhet se emri i babait të dy vajzave ishte Thiron. E rëndësishme është përmbajtja dhe mësimet që nxirren nga kjo histori dhe jo emrat e personazheve.
 
A është e ligjshme që babai të kërkojë burrë për vajzën?
 
Transmeton Abdullah ibnu Umeri – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Umer ibnul Hattabi, kur vajza e tij Hafsa mbeti e ve pasi i vdiq i shoqi Hanis ibnu Hudhafe Es-sehmij, vajti tek Uthmani dhe i tha:”Nëse dëshiron të martohesh me Hafsan, vajzën time, unë jam dakord.”
Uthmani ia ktheu:”Do të mendohem.”
Pasi kaluan disa ditë, Uthmani i tha Umerit:”E kam para të arsyeshme të mos martohem tani për tani.”
Tregon Umeri:”Atëherë unë vajta tek Ebu Bekri dhe i thashë:”Nëse dëshiron të martohesh me Hafsan, vajzën time, unë jam dakord.”
Ebu Bekri heshti dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje, gjë e cila më zemëroi më shumë se përgjigja e Uthmanit. Pasi kaluan disa ditë, dorën e Hafsas e kërkoi vetë i dërguari i Zotit a.s dhe unë pranova. Pas kësaj ndodhie, u takova me Ebu Bekrin, i cili më tha:”Ndoshta je zemëruar me mua kur më propozove të martohem me Hafsan dhe unë nuk të ktheva përgjigje fare?”
Unë iu përgjigja:”Po.”
Ebu Bekri më tha:”Unë nuk të ktheva përgjigje, pasi e dija që Profeti a.s e ka përmendur një herë Hafsën dhe nuk doja të nxjerr sekretin e të dërguarit të Zotit. Nëse ai nuk do ishte martuar me Hafsan, do kisha pranuar unë.” (Buhariu, 4/1471, hadithi nr 3783)
Duket qartë që Umeri kërkonte një burrë të mirë dhe të ndershëm për vajzën e tij. Ai nuk e kishte për turp që t’i propozonte Uthmanit dhe Ebu Bekrit për këtë.
 
 
 
 
Shkaqet e beqarisë tek vajzat
 
1 – Shkaqe sociale:
Jetesa e shtrenjtë / Kushtet optimale për të plotësuar nevojat fiziologjike në rrugë jashtëmartesore / Publikimi i problemeve familjare në media / Ndjekja e perëndimit, i cili e përçmon martesën e hershme.
2 – Shkaqe familjare:
Dhuratat martesore të shtrenjta / Kërkesat e shumta / Zakone të vjetra dhe të gabuara, si: Duhet të martohet vajza e madhe fillimisht pastaj e vogla, vajza martohet brenda rrethit familjar ose fshatit, ndalimi i martesës me kombësi të tjera etj…
3 – Shkaqe që lidhen me vetë vajzën:
Kërkon djem me cilësi dhe tipare të caktuara / Shkaqe emocionale (një histori dashurie e dështuar, një fejesë e gjatë…) / Preferon arsimin, punën ose anën materiale ndaj martesës / të meta të tilla si: Bukuri e kufizuar fizike, familje me probleme, të meta fizike etj…)
4 – Shkaqe që lidhen me djalin:
Martesa me një të huaj është më me leverdi / Emigrimi dhe ndjekja e studimeve / E kërkon vajzën me cilësi dhe tipare të caktuara / Frika nga martesa dhe fobia nga seksi / Mosgatishmëria për të mbajtur përgjegjësitë e krijimit të familjes, shtëpisë dhe fëmijëve / Të ardhurat e pakta ose papunësia.
 
Pasojat e beqarisë tek femra
 
1 – Pasoja psikologjike: Ndihet e pashpresë dhe e privuar / Shenja agresiviteti me shoqërinë dhe familjen / Izolim dhe vetëmbyllje / Humbje e ekuilibrit psikologjik.
2 – Pasoja sociale: Nxiton dhe pranon çdo djalë që kërkon dorën / Pranon të martohet fshehurazi / Mund të devijojë thjesht për të plotësuar nevojat fiziologjike.
3 – Pasoja fizike: Ndihet e tensionuar dhe e nervozuar / Krijon varësi nga barnat stimulues / Sëmundje seksuale.
4 – Pasoja morale: Veshja me të shkurtra për të tërhqur të rinjtë / Sjelljet agresive/ Flirtimi me të rinjtë / Komplotimi kundër atyre që duken të lumtur.
 
Ide dhe zgjidhje për t’i dhënë fund beqarisë
 
Përmbajtja ndaj dispozitave islame / Martesa e hershme / Martesat kolektive të cilat organizohen nga shoqatat bamirëse / Kontributi i babait për t’i gjetur vajzës një burrë të përshtatshëm / Vetë vajza të ndërmarrë hapa për t’u fejuar / Të pranohet nga shoqëria martesa me më shumë se një grua / Vajza të padisë babain dhe familjarët nëse kanë kërkesa të shumta nga personi që kërkon dorën e saj / Mblesëritë / Pastërtia morale dhe nderi, durimi dhe kthimi tek Zoti me lutje.
 
 
 
 
 
Hadithe që ndalojnë martesën me detyrim të vajzës
 
Transmeton Ebu Hurejre – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s ka thënë:”Nuk martohet një grua e ve pa pëlqimin e saj. Kurse vajzës beqare i kërkohet mendim, dhe miratimi i saj është heshtja”. (Buhari, 5/1974, hadithi nr 4843)
Transmeton Aisheja – Zoti qoftë i kënaqur me të – se një vajzë i erdhi një ditë dhe i tha:”Babai më ka fejuar me dikë për leverdi të tij, por unë e urrej atë person.”
Aisheja i tha:”Prit këtu sa të vijë i dërguari i Zotit a.s.”
Kur erdhi  Profeti a.s dhe Aisheja ia tregoi çfarë kishte ndodhur, ai i çoi fjalë babait të vajzës. Pasi erdhi, e la në dorë të vajzës të zgjedhë mes martesës dhe prishjes së fejesës. Pas kësaj, vajza ndërhyri dhe tha:”O i dërguar i Allahut! Unë e pranoj vendimin e babait, por doja që t’ia bëj të ditur se një vendim i tillë na takon ne grave.” (Sunen Nisaij 6/86, hadithi nr 3269)
 
Pasojat negative të një martese të imponuar
 
Vështirëson marrëdhëniet bashkëshortore / Ftohtësi emocionale dhe fizike / Rebelim ndaj bashkëshortiti / Mund të jepet pas dikujt tjetër / Kërkon divorc etj..
 
Përfundim
 
Marrëdhëniet njerëzore janë të ndërtuara në bazë të shijes dhe fizikut, ose në bazë të parimeve morale. Marrëdhëniet në bazë të shijes dhe tërheqjes fizike, duken qartë tek marrëdhëniet mes një mashkulli dhe femre, ku femra përpiqet të demonstrojë bukurinë fizike, ndërkohë që burri përpiqet të demonstrojë forcën e tij, e cila dhe ajo është një lloj bukurie.
Në civilizimin modern europian, bukuria fizike gëzon prioritet mbi parimet morale. Ndërkohë që në civilizimin islam, ishte e kundërta: Parimet morale qëndronin mbi bukurinë dhe hijeshinë fizike. Parimi moral, zinte vendin e parë në formimin dhe orientimin e njeriut. Historia e vajzës së Shuajbit a.s me Musanë a.s, të cilën e përmend Kurani famëlartë, na ofron modelin e ndërthurrjes së parimit moral me bukurinë fizike tek këto dy personalitete. Vajza e këshilloi të atin që t’a marrë në punë Musain a.s. “merre këtë njeri në shërbim!” Këtë këshillë, ajo e ndërtoi në bazë të eksperiencës dhe asaj që pa tek Musai a.s. “Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”.
Forca që përmendet në këtë ajet, përfaqëson bukurinë fizike tek Musai a.s dhe siç thamë dhe më lart, forca është simbol i hijeshisë së burrit. Por, forca e përmbajtur dhe jo ajo shkatërruese. Për t’a kontrolluar forcën, janë parimet morale të cilat i gjejmë të mishëruara tek amaneti dhe besueshmëria e Musait a.s. Kjo u shfaq kur i kërkoi vajzës së Shuajbit t’a ndjekë nga pas dhe t’a orientojë në rrugën e duhur, duke i hedhur një guralec majtas ose djathtas. Këtë ai e bënte për të mos shohë linjat e trupit të saj, nëse fryn erë. (Rryma moderne në edukatën morale. Maxhid Ursan 75-76)
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit