-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

MUHARREM BLAKÇORI (1894-1968) PËRKTHYESI I PARË I KURANIT NË GJUHËN SHQIPE

Më të lexuarat

 Përkthimi i Kuranit (me koment) nga gjuha arabe në gjuhët e tjera ka lindur si nevojë e popujve myslimanë, të cilët nuk e kanë arabishten gjuhën e tyre të nënës. Ky fakt evidentohet që në kohën e Profetit Muhamed (a.s.) ku Selman el-Farisi, me lejen e tij, kishte përkthyer suren Fatiha në gjuhën perse. Edhe më vonë vijojnë përkthimet e Kuranit Famëlartë në gjuhë të ndryshme për të kuptuar mesazhin dhe urdhrat e Allahut.

Në gjuhën shqipe përkthimet e para të Kuranit janë bërë nga intelektuali dhe poeti i madh i letrave shqipe, Naim Frashëri në librin e tij me titull “Thelb’ i Kur’anit”, që është botuar në veprën e tij “Mesime” në vitin 1894, në Bukuresht.

Përkthyes i disa pjesëve të Kuranit në gjuhën shqipe është edhe Ilo M. Qafëzezi, viti 1921, i cili merr për bazë përkthimin e Kuranit në gjuhën angleze të autorit Georg Sale.

Më vonë bëhen përkthime të pjesshme të Kuranit nga H. Ali Korça. Në kompletin e botuar nga shtëpia botuese Logos-A janë mbledhur në një libër përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe. Në shënimet dhe studimet për biografinë e H. Aliut thuhet se ka bërë komentimin e gjithë Kuranit, por fatkeqësisht ato nuk i mbijetuan regjimit komunist.

Në këtë fushë shquhet edhe H. Ibrahim Dalliu, si për përkthimin e disa sureve në gjuhën shqipe, po ashtu edhe për komentimin, të cilin e ka titulluar “Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit”, vepër e botuar në vitin 1929.

Disa pjesë të Kuranit në gjuhën shqipe janë përkthyer po ashtu nga H. Abdulla Zemblaku, Ferit Vokopola etj.

Përkthimi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe njihet ai i akademikut kosovar Feti Mehdiu, në vitin 1984. Ky përkthim botohet në vitin 1985 nga Bashkësia Islame e Kosovës me titullin “Kur’an-i”, i cili numëron 878 faqe.

Tre vite më vonë pason përkthimi i Hasan Nahit dhe po në të njëjtin vit përkthimi i Sherif Ahmetit. Ky i fundit mban titullin “Kur’an-i, përkthim me komentim në gjuhën shqipe”, i botuar në vitin 1988 nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës dhe është përkthimi më i përhapur i Kuranit në gjuhën shqipe. Më pas do të pasonin përkthime të tjera të Kuranit në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm.

Por, a është me të vërtetë Feti Mehdiu përkthyesi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe?

Nëse jo, kush e ka përkthyer për herë të parë Librin e Zotit në gjuhën shqipe?

Nga faktet që ne disponojmë del se, nuk është Feti Mehdiu përkthyesi i parë i Kuranit

në gjuhën shqipe, por Muharrem Blakçori, një patriot shqiptar nga Peja që ka banuar në Kavajë.

Përkthimi i tij i Librit Hyjnor është bërë në vitin 1968 gjatë periudhës së regjimit komunist, pra rreth 16 vjet para përkthimit të Feti Mehdiut. Ky përkthim për shumë arsye nuk ka mundur të gjejë dritën e botimit dhe është ende në dorëshkrim, i ruajtur me fanatizëm nga nipi i tij, Xhevdet Blakçori.

Kush është Muharrem Blakçori?

Muharrem Blakçori lindi në Pejë në vitin 1894 në një familje zejtare, që merrej me prodhimin e armëve. Mësoi herët të lexojë e shkruajë gjuhën shqipe dhe u shqua për zellin në përhapjen e mësimit të saj në shtëpitë e bashkëqytetarëve. Ndoqi dy vjet studime në një medrese në Pejë ku mësoi gjuhën arabe, turke dhe perse. Më pas me vullnet të fortë arriti t’i perfeksiononte këto gjuhë.

U përndoq nga pushtuesit serbë dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit të egër kapërcen kufirin dhe vjen në Shqipëri. Emërohet mësues në Shijak e më pas në Kavajë, ku merr pjesë aktive në Shoqërinë “Bashkimi” duke dhënë ndihmesën e vet në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924.

Në fillim të dhjetorit 1924 niset nga Qeveria e Nolit në zonën e Gjirokastrës për të propaganduar rrezikun e rikthimit të Zogut e për të nxjerrë vullnetarë në mbrojtje të Qeverisë së Nolit.

Me rikthimin e Zogut pushohet nga puna, dënohet me vdekje, por me ndërhyrjen e miqve internohet në Skrapar. Atje punon më shumë se dy vjet për t’u rikthyer sërish në Kavajë.

Në vitin 1941 shkon në vendlindjen e vet në Pejë dhe hap të parën shkollë shqipe.

Në vitet 1960-1968 ndërmori përkthimin Kuranit e “Historisë islame”, “Akaidi dhe fiku”, Fjalor

arabisht-shqip”(rreth 2000 fjalë), vepra të cilat ua la dorëshkrim trashëgimtarëve të vet. Ndërroi jetë në vitin 1968 i pezmatuar për ndalimin e fesë.

Veçoritë e përkthimit të M. Blaçkorit

Muharrem Blakçori parandiente ndalimin e fesë dhe riteve fetare prandaj vendos të përkthejë Kuranin në gjuhën shqipe dhe përgatitjen e librave fetarë për fëmijët dhe nipërit e tij. Kur e mbaron përkthimin mbas një pune të lodhshme nga viti 1960 deri në 1968 u thotë fëmijëve dhe nipërve se ky është përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe dhe fenë e Allahut mund ta mësojnë nga këta libra.

Përkthimi është i përbërë nga katër fletore të mëdha, që të gjitha në dorëshkrim. Fletorja e

parë ka 190 faqe, e dyta 730 faqe, e treta 921 faqe dhe e katërta 1168 faqe. Gjithsej 3019 faqe.

Të gjitha suret e Kuranit janë të përkthyera sipas radhës, nga ‘Fatiha’-ja deri tek

sureja ‘Nas’ dhe të ndara në xhuze.

Fillimisht ai jep një shpjegim në lidhje me shkronjat e Kuranit duke i ilustruar me figura. Në

këto ilustrime tregon se cilat janë shkronjat arabe, nga dalin dhe si shqiptohen. Më pas fillon me

xhuzin e parë të Kuranit.

Çdo sure e fillon me emrin e saj në arabisht dhe shkronja latine. Më pas jep informacione

për çdo sure, sa ajete përmban, në ç’vend është zbritur (Mekë-Medinë) dhe shkakun e zbritjes

nëse ka. Pastaj ajetin e shkruan në arabisht, më pas jep shqiptimin me shkronja latine dhe në fund

përkthimin.

Formë të ngjashme e gjejmë edhe në tefsirin e H. Ibrahim Dalliut që autori e ka marrë për

bazë. Mirëpo përveç formës, nuk ka marrë gjë tjetër nga ky tefsir. Ajetet janë të gjitha përkthimi i vetë autorit. Këtë e vërejmë nga krahasimi midis ajeteve të përkthyera nga H. I. Dalliu, por edhe në stilin që e shoqëron përgjatë gjithë përkthimit. H. I. Dalliu e ndan përkthimin nga komentimi, duke u munduar t’i mbetet besnik tekstit. Ndërsa veçoria e përkthimit të autorit tonë, është se nuk është thjesht përkthim, por në të njëjtën kohë edhe komentim.

Një element tjetër i rëndësishëm i këtij përkthimi është dhe gjuha e pasur dhe fjalori

i pastër që ka përdorur. Ky fakt tregon se sa mirë i zotëronte ai gjuhën arabe dhe gjuhën amtare, krahas njohurive të gjera në fushën e fesë dhe komentimit të Kuranit. Një person që e lexon këtë përkthim është në gjendje të kuptojë se për çfarë bën fjalë ajeti/et. Kjo falë përkthimit të pasur me komentime brenda ajetit, herë pas here në veçanti edhe pas ajetit.

Për ta zbukuruar, ilustruar dhe treguar më mirë se kujt i drejtohet ajeti kuranor e fillon me

fjalët “O i Madhënueshmi Perëndi!” apo “O i Dashtuni Muhammed!”. Kjo lloj forme përdorimi ka mjaft vlera artistike, letrare por edhe fetare. Lexuesi nuk futet në monotoni dhe nuk mërzitet, por e shijon më tepër përkthimin.

Le të japim disa shembuj nga përkthimet e autorit për të dëshmuar më mirë punën e tij vlerashumë.

O Zot! Më ruaj prej shejtanit (djallit) të mallkuem që asht i ndeshkuëm!

Po filloj me emnin e mëshiruesit Perëndi që mëshiron.

I qoft shumë shyqyr e falenderime Zotit të Madhënueshëm i cili ka kriue të gjithë botnat

(gjithësine) e jau jep ushqimin të gjitha krijesave kudo që të jenë në dynja edhe ne ahiret, dhe asht meshiruës i madh, dhe pronar i gjithësise edhe gjykates absolut i ditës së kijametit!

O i Madhënueshmi Perëndi! Ty po të lutemi e po baj ibadet e adhurim, se veç teje nuk ka

tjetër që meriton falje, lutje e adhurim. Pra ty po të lutemi o i Madhenueshmi Perëndi: na drejto e

na shpje në rrugën e drejtë, në at rrugë që ja ke mësue të dashtunit tand H. Muhammedit a.s. me të cilën ai ka ftue njerzinë, në rrugën që ka shumë niëmete e mirësi të mëdha.

O Zot! Mos na le në rrugën e të humbur të errësinës, por na ndritço e na ço në rrugën e të

dashtunve tu, të njerzvetëmirë.

O i dashur! Thuaj atyre që dëshirojnë me e mësueqyshqënjen e Madhënise s’ime.

I Madhi Zot është një, veç tij nuk ka tjetër që meriton adhurim “ti bahet ibadet”, Zoti është

kriuesi i gjithësisë, është veliniëmet “tytor” i gjithë kriesave. Ai jau siguron rrizkun “ushqimin”.

Është gabim me atribue Zotit lindje, është qyfyr i madh. Madhënija e Zotit as nuk ka le, as nuk lind, përherë ka qenë dhe ka me qenë. Zoti është mynezzeh “i çueshem” prej çdo çilësie të kriesave.

Shkurt Zoti është i adhuruemi apsolut që si afrohet, as nuk i ngjan kurrgja Madhënisës’tij. Nuk ka shembullues e urdhnuës.

Duke parë vështirësitë në të cilën po kalonte feja në periudhën kur jetoi autori, ai parandjeu

mbylljen e saj. Kjo e shtyu Muharrem Blakçorin të bënte përkthimin e Kuranit dhe përgatitjen e

literaturës fetare. Ai me këtë akt po i paraprinte fatkeqësisë së madhe që do kaplonte kombin, ndriçimin e tij me dritën e Kuranit. Puna kolosale e autorit nuk ka vetëm vlerën e përkthimit, por edhe të komentimit të Kuranit.

Prandaj duhet ndrequr edhe fakti historik, se nuk është Feti Mehdiu përkthyesi i parë i Kuranit nga arabishtja në gjuhën shqipe, por Muharrem Blakçori, një patriot me origjinë nga Kosova.

Me këtë shkrim nuk dua t’i heq ndonjë meritë akademikut kosovar për punën e tij të vyer, por t’i japim hakun që i takon mësues Muharremit, që për shumë kohë dhe arsye mbeti në harresë deri më sot.

Duke shpresuar të marrë vendin dhe vlerat që i takojnë për punën e tij të çmuar, lusim Allahun t’ia shpërblejë me Xhenet!

Ledian Cikalleshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit