0.3 C
Pristina
Thursday, January 26, 2023

Kuptimi i jetës

Më të lexuarat

Ç’është kuptimi i jetës? Një pyetje kjo që zë fill që në gjenezën e krijimit të njeriut dhe është e rëndësishme sa vetë ekzistenca e tij. Kur flasim për kuptimin e jetës si koncept duhet ta veçojmë atë nga përjetimi i një kuptimi në lidhje me jetën. E para lidhet me qëllimin e jetës që formësohet rreth një besimi fetar apo një mendimi filozofik të caktuar. Ndërsa të përjetuarit e një kuptimi në lidhje me jetën është i pranishëm te të gjithë njerëzit, ku edhe për ata që nuk besojnë, jeta ka një kuptim. Ata që e humbin kuptimin e jetës, humbin edhe dëshirën për të jetuar dhe prej kësaj lind një gjendje e sëmurë. Viktor Frankl, ishte i pari që e sistematizoi shkencërisht këtë gjendje duke e konceptualizuar në aspektin psikologjik dhe filozofik. Këtë shkencë e emërtoi si logoterapi dhe e vendosi brenda fushës së psikoterapisë si “terapi e kuptimit”.

Po si lindi kjo ide? Kur Viktor Frankl shkoi bashkë me pjesëtarët e familjes në kampet e nazistëve gjatë Luftës së dytë Botërore, ku ndoshta çdo ditë vdisnin apo vriteshin një apo dy njerëz në ditë, ai brenda asaj atmosfere vëzhgoi gjendjet e njerëzve midis jetës dhe vdekjes. Duhet theksuar se ai  më parë ai kishte qenë doktor në spitalet e Vjenës, ku ishte njohur me Frojdin, Adlerin dhe mendimet e tyre. Ai i pranonte deri diku mendimet e tyre dhe ishte i vetëdijshëm për ndikimin që ato kishin mbi të sëmurët. Siç dihet, këta të fundit jetuan në një kohë pa luftëra dhe patën bërë psikanalizën e njerëzve gjatë një jete normale. Kështu, ata folën dhe ndërtuan teoritë e tyre duke marrë parasysh dëshirat apo idealet dhe qëllimet e njerëzve për vetërealizimin. Por, Viktor Frankl vëzhgoi ato momente të njerëzve midis jetës dhe vdekjes ku e vërteta shfaqet e pastër. Kështu, ai kuptoi se përtej dëshirave të egos apo ndjenjave që lidhen me vetërealizimin, për njeriun është më e rëndësishme ti ngarkojë një kuptim jetës së tij.

Ai e tregon kështu një vëzhgim të tijin: një pjesë e njerëzve në atë kamp, trajtoheshin në mënyrë të veçantë. Si shpërblim për punën, atyre u jepnin cigare. Kur disa prej tyre merrnin të pinin cigaret, të cilat i kishin ndërruar me racionin e përditshëm të ushqimit, ne kuptonim se ata do vdisnin për disa ditë sepse kishin humbur dëshirën dhe qëllimin për të jetuar. Pra, ai kuptoi se: duke i ngarkuar një kuptim të jashtëzakonshëm momenteve të caktuara kohore dhe duke braktisur krejtësisht të ardhmen, sakrifikimi i çdo gjëje nga njeriu për kënaqësinë e çastit, tregon se atij i është mërzitur jeta dhe ajo nuk ka më vlerë për të. Kjo teori e Viktor Franklit është përdorur më pas si metodë për të shëruar të sëmurët nga ana psikologjike. Ajo nuk është një metodë që i dikton një kuptim të caktuar njeriut për jetën e tij, por i mëson atij metodat se si ai duhet ti ngarkojë një kuptim jetës së tij.

 

Çfarë i jep kuptim jetës sonë?

Le të supozojmë se qëllimi ynë epror i jetës është lartësimi i racës sonë. Por, nëse jetojmë në një vend të huaj, njerëzit përreth nesh i përkasin kombësive të ndryshme. Pra, pavarësisht se është një ideal i madh që përfshin shumë gjëra, ai e helmon jetën e njeriut gjatë përditshmërisë. Edhe sikur në një vend të jetojnë njerëz të së njëjtës racë, në botë ka shtatë miliard njerëz. T’i shikosh të gjithë ata si armiq dhe të hamendësosh për planet e tyre kundër teje është me të vërtetë problematike për mënyrën se si një njeri e percepton botën dhe jetën e tij.

Një perceptim tjetër i jetës është ai i humanizmit i cili ka në qendër të mendimit njeriun e për rrjedhojë, njerëzit e shikojnë njëri-tjetrin si vëllezër. Këtu ekziston mundësia për të neglizhuar elemente të tjerë jashtë njeriut si mjedisi etj. Në anën tjetër, nëse njeriu i jep kuptim jetës nëpërmjet ambientalizmit, mund të ndodhë që duke i dhënë përparësi mjedisit të neglizhojë angazhimin me  problemet personale të njeriut. Po ashtu, në teoritë qe kanë qendër njeriun mund të ketë aspekte që neglizhojnë brendësinë dhe botën shpirtërore të tij.

Një formë tjetër është kur njeriu nuk mbështetet në kuptime apo teori të mëdha, por e percepton jetën duke i ngarkuar asaj kuptime të vogla. Këto të fundit ndërsa mjaftojnë në momente të caktuara për të përjetuar kuptimin e jetës, mund të mos i mjaftojnë njeriut kur përballet me problemet dhe fatkeqësitë e mëdha në jetë si vdekja, ndarja, emigrimi, papunësia etj. Pra njerëzit të cilën gjejnë lumturinë në momente të vogla janë njerëz të mirë dhe të këndshëm, por kur përballen me fatkeqësi të mëdha mund të mos i përballojnë duke qenë se nuk kanë ideale të mëdha dhe nuk mendojnë në bazë të kuptimeve gjithëpërfshirëse.

Pra, njeriu duhet t’i japë një kuptim të tillë jetës që edhe të përcaktojë parimet e përgjithshme, por edhe t’u japë kuptim momenteve të vogla, saqë çdo gjë nga momenti më i vogël deri te idealet më të mëdha të ketë kuptim. Për më tepër, ky perceptim duhet t’i japë kuptim gjendjes së qenies së njeriut edhe pas vdekjes. Kështu, mund të thuhet se vetëm besimin te Zoti i mundëson njeriut të ketë një perceptim gjithëpërfshirës për çdo aspekt të jetës së tij.

Le të përmendim disa shembuj nga jeta e Profetit tonë të dashur për të parë se si merr kuptim jeta e njeriut duke pasur besimin te Zoti në qendër të saj.

Profeti Muhamed a.s kishte një djalë me emrin Ibrahim nga Hz. Maria. Ardhja e tij në jetë do ta gëzonte shumë të Dërguarin e Allahut. Por pas një kohe të shkurtër ai do të ndërronte jetë. Po atë ditë do të ndodhe eklipsi i diellit. Kur njerëzit u përballën me diçka të tillë thanë se ndërroi jetë djali i Profetit a.s, prandaj u zhduk dhe dielli në shenjë zie për të. Në fakt kjo mund të duket diçka e bukur kur njeriu mendon se Zoti nuk e shfaq diellin në shenjë zie për fatkeqësinë që e ka goditur robin e tij. Por, Profeti Muhamed a.s nuk donte që ti ngarkonte një kuptim një gjëje kur Allahu nuk e kishte bërë diçka të tillë dhe donte t’i orientonte mendimet e njerëzve krejtësisht drejt besimit te Zoti. Ai nuk e miratoi një mendim të tillë dhe i tregoi këndvështrimin dhe perspektivën e duhur duke i thënë: “Dielli dhe Hëna janë argumentet e Zotit. Ato nuk eklipsohen për vdekjen apo për lindjen e askujt”. Pra, Profeti a.s në sajë të imanit në zemrën e tij dhe perceptimit që përftonte prej tij, arriti t’i japë kuptim dhe të interpretojë një ngjarje të jashtëzakonshme.

Një herë tregohet se Profeti Muhamed a.s ishte me nipin e tij, Hz. Hasanin të cilin e donte shumë dhe ky i fundit i ngjante shumë atij për nga cilësitë fizike dhe temperamenti. Ndërsa Profeti Muhamed a.s po e përkëdhelte dhe puthte Hz.Hasanin, e panë disa beduinë të cilët u habitën dhe i thanë se ne kemi shumë fëmijë dhe nuk e kemi bërë asnjëherë diçka të tillë me ta. I Dërguari i Allahut u përgjigj: “Ç’mund të bëj unë nëse Allahu e ka e hequr ndjenjën e mëshirës prej zemrës suaj?!” Në një ngjarje tjetër, kur përballet me të njëjtën situatë ai tha: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet”. Pra nëse nuk i mëshiron ata që janë në tokë nuk mëshirohesh nga Allahu dhe engjëjt që janë në qiell.

Kështu, këto parime i mundësojnë njeriut një perceptim gjithëpërfshirës të çdo gjëje, të vogël apo të madhe në jetën e tij, Ato janë dritë e mendjes dhe frymëzim i shpirtit për të formësuar jetën dhe krijuar një botë më të lumtur, më të mirë dhe të bukur, e cila është reflektim i lumturisë absolute që njeriu synon ta arrijë përjetësisht në botën e përtejme.

Prof. Dr. Ayhan Tekineş

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit