1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Muaji Muharrem dhe dita e Ashurasë

Më të lexuarat

Allahu e ka bërë ndryshimin e ditës dhe të natës argument të qartë e të pashmangshëm të ekzistencës dhe fuqisë së Tij absolute. Në këto ditë-netë ruhen punët tona e “Kush punon ndonjë të mirë që peshon sa grimca atë do të gjejë dhe kush punon ndonjë të keqe që peshon sa grimca atë do të gjejë”. (Zelzele, 7-8)

Në Islam disa kohë veçohen ndaj disa te tjerave. Në ajetin e mëposhtëm kuranor Allahu na tregon se: “…numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, ashtu siç është në librin e Allahut kur Ai krijoi qiejt dhe tokën, dhe ka vendosur që katër prej tyre të jenë “Hurum” të shenjtë. (Kjo) është feja e drejtë dhe e vërtetë. Kështu që mos i bëni vetes padrejtësi në këta muaj.” (Teube, 36)

Kështu, myslimani beson se disa kohë janë më të volitshme për t’u shfrytëzuar se disa të tjera. Ndaj themi se vende apo kohë të mira janë vetëm ato të përcaktuara nga Allahu dhe i dërguari i Tij. E në bazë të argumenteve muaji Muharrem është dalluar në krahasim me muajt e tjerë të shenjtë për këto arsye:

  1. Ky muaj është emërtuar me emër islam, ndërsa muajt e tjerë kanë mbetur me emrat të cilët i kanë pasur që në kohën e injorancës.
  2. Me këtë muaj fillon viti hënor (hixhri).

Myslimanët e dinë shumë mirë fillimin dhe mbarimin e tij, sepse me të është e lidhur vetë feja e tyre.

  1. I Dërguari i Allahut a.s. e ka cilësuar këtë muaj duke thënë: “…Muaji i Allahut, Muharremi.”

Një cilësim i tillë nuk përmendet për ndonjë muaj tjetër.

  1. Agjërimi në këtë muaj është më i dashur tek Allahu sesa në çdo muaj tjetër.

“Agjërimi më i mirë përveç Ramazanit është agjërimi i muajit të cilin e emërtoni Muharrem.” Në një transmetim tjetër qëndron: “Agjërimi më i mirë përveç Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut, Muharremit.”

  1. Në të ndodhet dita e Ashurasë, dita e dhjetë e muajit për të cilën janë transmetuar hadithe të posaçme.

Dita e Ashurasë

Dita e Ashurasë është një ndër ditët e shënuara të kalendarit islam, e cila festohet nga myslimanët dhe që me anë të saj adhurojnë dhe i afrohen Zotit. Adhurimi më i spikatur këtë ditë është agjërimi, pasi kjo ditë radhitet te ditët më të vlefshme dhe që shpërblehen më shumë se ditët e tjera të vitit. Kushdo që agjëron këtë ditë, i fshihen gjynahet e vitit të kaluar. Kjo ditë, këtë vit përkon me datën 28.07.2023, ditën e premte.

Mënyrat e agjërimit të kësaj dite

Dijetarët kanë përmendur disa mënyra rreth agjërimit të kësaj dite:

  1. Të agjërohet një ditë përpara dhe një ditë pas, kjo duke u nisur nga dy arsye:
  2. a) Hadithi i Ibn Abasit: “Agjëroni Ashuranë e mos përngjasoni me hebrenjtë, por agjëroni një ditë para e një ditë pas”. b) Duke u nisur nga mossiguria e qenies atë ditë apo jo, pra për të qenë më të sigurt. Ibnul Kajim ka thënë: “Mënyra më e plotë është të agjërohet një ditë para Ashurasë e një ditë pas”.
  3. Agjërimi i ditës Ashura dhe i ditës së nëntë. Për këtë gjë kanë ardhur hadithe të vërteta e të qarta siç u përmendën më lart.
  4. Agjërimi i kësaj dite të vetme.

Fazat që ka kaluar agjërimi i Ashurasë

  1. Profeti ynë a.s. e agjëronte ditën Ashura në Mekë, por nuk i urdhëronte njerëzit që ta agjëronin.

“Kurejshët agjëronin ditën Ashura në kohën e xhahilijetit (përpara Islamit) dhe i Dërguari i Allahut a.s. e agjëronte.”

  1. Kur i Dërguari i Allahut pa se hebrenjtë e agjëronin ditën Ashura, i pyeti: “Ç’është kjo ditë që agjëroni?” Thanë: “ Ditë e madhe, në të Allahu i Madhëruar shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga armiku i tyre. Musai e agjëroi këtë ditë si falënderim ndaj Allahut dhe ne e agjërojmë.” Profeti a.s. tha: “Ne na takon ta nderojmë Musain më tepër sesa ju”.

Mendimi më i drejtë i dijetarëve është se në këtë kohë derisa u bë obligim Ramazani ishte obligim agjërimi i Ashurasë. I Dërguari i Allahut a.s. urdhëroi dikë nga fisi Eslem që të lajmëronte njerëzit mbarë se kush ka ngrënë sot (ditën e Ashurasë), ta ndërpresë ushqimin dhe se kush nuk ka ngrënë, le të agjërojë”.

Jo vetëm kaq, por urdhëronte edhe të vegjlit që ta agjëronin këtë ditë. “… (na) urdhëroi të agjëronim Ashuranë dhe të agjërojnë dhe të vegjlit tanë”.

  1. Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, nuk urdhëronte më për një të tillë.

Nuk ka dyshim se agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm, bazuar në argumentet e sipërcituara.

  1. Dëshira e të Dërguarit të Allahut a.s. që mos ta agjëronte këtë ditë të vetme por ta shoqëronte atë, për të mos përngjasuar me ithtarët e librit.

Kur i Dërguari i Allahut a.s. agjëroi ditën Ashura dhe urdhëroi të agjërohej, sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, kjo është ditë që e madhërojnë hebrenjtë dhe të krishterët! Tha: “Me lejen e Allahut, vitin e ardhshëm, nëse do të kem jetë, do të agjëroj edhe të nëntën e këtij muaji (Muharremit). Vitin që pasoi i Dërguari i Allahut a.s. ndërroi jetë.”

Mehmet Disha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit