2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

MOS LEJONI PROBLEMET E MOSHËS SË MESME TË DËMTOJNË MARTESËN TUAJ!

Më të lexuarat

Dy gabimet më të mëdha që bëjnë zakonisht bashkëshortët janë ose të pranojnë gjithçka ashtu siç është me mendimin se bashkëshorti/tja nuk do të ndryshojë dhe se problemet janë të shumta ose të përpiqen të zgjidhin të gjitha problemet përnjëherësh dhe ta detyrojnë bashkëshortin/ten të ndryshojë medoemos. Megjithëse në jetën e tyre bashkëshortore mund të kalojnë shumë momente të vështira shumë çifte duken se kthehen në normalitet pas kalimit të krizave. Mund të bisedojnë e flasin më njëri-tjetrin. Por gjithnjë diçka mbetet e mangët. Ndërkohë nga ana tjetër lindja e fëmijëve, rritja, edukimi i tyre, puna, karriera, ardhja e shkuarja e miqve dhe të afërmve pengojnë zgjidhjen e vërtetë të problemit.

Çdo çift martohet me ëndrrën dhe dëshirën e kalimit të gjithë jetës bashkë. Veçanërisht vitet e para të martesës përbëjnë themelin e folesë familjare. Martesat 30-40 vjeçare shihen si martesa ku janë martuar fëmijët dhe tashmë gjyshërit merren me rritjen e nipërve. Por fatkeqësisht jo çdo martesë e lumtur duhet të jetë dhe jetëgjatë. Këtë e vëmë re edhe te martesat dyvjeçare ku bashkëshortët, edhe pse janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, përballen me shumë probleme dhe pikëpyetje. Këto pikëpyetje lindin më shumë nga problemet ekonomike, problemet në lidhje me familjet, me zgjedhjen e banesës, vizitat e bëra te familjet e bashkëshortëve, vlerësimin e pushimeve, përgjegjësitë, përkujdesjen personale e të tjera. E rëndësishme këtu është mënyra e zgjidhjes së problemit.

Një nga shkaqet kryesore të ngecjes së zgjidhjes së problemeve është moskontrollimi i zemërimit, mospërdorimi i një mënyre të bukur komunikimi dhe mospërqendrimi tek tema rreth së cilës flitet por te çështjet e së kaluarës. Megjithëse disa probleme mund të duken të zgjidhura mënyra dhe qëndrimi i papërshtatshëm  i bashkëshortëve gjatë një diskutimi tregon për një mangësi të madhe në komunikim. Në vitet në vazhdim një diskutim i bërë mes bashkëshortëve mund të nxjerrë në pah gjithë pakënaqësitë e së kaluarës. Stresi i përjetuar nga mosplotësimi i nevojave në çift ndikon në mosdurimin e problemeve të mbledhura gjatë viteve. Në të njëjtën mënyrë edhe mendimet apo ndjenjat negative të lidhura me ndryshimet emocionale, hormonale të moshës luajnë një rol të rëndësishëm. Edhe efekti i depresionit të zhvilluar bashkë me sëmundjet kronike të moshës së mesme nuk duhet mohuar. Nëse këtij procesi do t’i shtonim dhe problemet e fëmijëve adoleshentë atëherë do të kthehet në një rrëmujë të vërtetë të padurueshme. Krahas kësaj mund të shtojmë dhe stresin e të gjitha përgjegjësive të pambështetura nga bashkëshorti.

Ndërkohë që njëri nga bashkëshortët kërkon t’i japë fund martesës sepse nuk mund të durojë më. Tjetri mundohet ta bindë të heqë dorë, por në fund e sheh se nuk mund të bëjë asgjë. Vendimi i divorcit i marrë nga familjet të cilat në pamje të jashtme duken të lumtura shkakton lindjen e një zhgënjimi në rrethin social. Kur bashkëshortët kërkojnë të kthehen edhe një herë bashkë vihet re një lëkundje në besimin e pasqyruar tek pala tjetër dhe kërkohet shumë mund e përpjekje për ta mbajtur në këmbë martesën. Por përsëri themi se më mirë vonë se kurrë. Shumë martesa janë shpëtuar në pikën e fundit.

Dy gabimet më të mëdha të bashkëshortëve janë: ose të pranojnë çdo gjë ashtu siç është me mendimin se bashkëshorti nuk do të ndryshojë asnjëherë dhe se kanë shumë probleme, ose ta detyrojnë bashkëshortin të ndryshojë dhe të përpiqen të zgjidhin të gjitha problemet përnjëherësh. Nëse bashkëshortët bashkë apo të ndarë qofshin do të fokusoheshin çdo muaj në zgjidhjen e një problemi, atëherë zgjidhja do të ishte më e lehtë. E rëndësishme është të veprosh me dashuri, respekt, të kuptosh personin përballë, të dëshirosh të njëjtën gjë si për familjen tënde ashtu edhe për familjen e burrit, të dëgjoni njëri-tjetrin në gjetjen e zgjidhjes, të flasësh fjalë të bukura, të mos ofendosh dhe të tregosh kujdes me tonin e zërit.

 

Aisa Kokiçi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit