4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Mos e vlerësoni fëmijën sipas notave të dëftesës

Më të lexuarat

Çdo fëmijë ka prirje në një fushë të caktuar, për këtë arsye nuk duhet vlerësuar sipas rezultateve të dëftesës.

Specialistët pohojnë se dëftesat në një farë mënyre janë një ballafaqim i fëmijëve me suksesin ose dobësinë e gjysmëvitit apo semestrit.

Edhe familja edhe fëmija janë pak a shumë në dijeni të notave të dëftesës. Prindi është takuar disa herë brenda një semestri me mësuesin dhe rezultatet përfundimtarë parashikohen disi si nga prindërit ashtu dhe nga fëmija. Çdo fëmijë ka prirje në një fushë të caktuar prandaj nuk është e drejtë të vlerësohet në bazë të rezultateve të dëftesës. Nëse fëmija ka marrë një dëftesë të dobët atëherë duhen kërkuar arsyet dhe zgjidhjet e kësaj situate. Sugjerohet që familjet të mos reagojnë ashpër ndaj dëftesave të dobëta dhe të mos i tensionojnë fëmijët.

Mos e fusni fëmijën në psikologjinë e garës

Duke pohuar se marrja e dëftesës është një nga periudhat më delikate të fëmijëve psikologët theksojnë se dobësia apo mungesa e suksesit është një ndjenjë e cila cenon individin dhe se fëmijët ndikohen më shumë nga kjo ndjenjë.

Fëmijët nuk duhet të krahasohen me nxënësit e tjerë

Mos e frikësoni fëmijën me dëftesën e tij. Dhe mos e fusni në psikologjinë e garës. Arritja e suksesit në një fushë është një nga ndjenjat më të rëndësishme për një fëmijë. Thënia e fjalëve fyese apo përdorimi i dhunës fizike për shkak të dobësisë së paraqitur në shkollë krijon probleme të pazgjidhshme në të ardhmen. Mos iu drejtoni fëmijës me fjalët “je dembel”, “budalla”, “nuk bën për asgjë”. Shprehje të tilla ndikojnë direkt në karakterin e fëmijës dhe lëkundin besimin në vetvete.

Në raste të tilla prindërit duhet të mundohen të gjejnë rrugët e zgjidhjes së problemit. Dhe këtë mund ta arrijnë vetëm duke e kuptuar mirë fëmijën e tyre.

Familjet nuk duhet të bëjnë namin nëse fëmija ka marrë nota të dobëta në dëftesë

Fëmijët mund të kenë dobësi në shkollë për shkak të problemeve familjare, ambientit, rrethit shoqëror e të tjera.

Specialistët këshillojnë familjet të mos përdorin shprehje si  “i mjeri ti i mjeri!”. Krahas problemeve përreth fëmija mund të ketë probleme edhe me përqendrimin apo perceptimin e gjërave. Në këtë rast familjet duhet të bashkëpunojnë me mësuesit.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar se dobësitë do të jenë gjithnjë të pranishme nëse familja, mësuesja dhe shkolla presin më shumë se ç’mund të jape fëmija. Komunikimi është rruga e vetme e zgjidhjes së gjithë problemeve. Sa më i mirë të jetë komunikimi i familjeve me fëmijën e tyre aq më i suksesshëm do të jetë ai në shkollë.  Krahas kësaj familjet mund të kërkojnë dhe ndihmën e psikologëve apo qendrave të konsulencës psikologjike.

AISA KOKIÇI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit