Agjërimi është një nga pesë kushtet e Islamit, të cilit Kur’ani dhe Sunneti i kanë kushtuar rëndësi të veçantë. Tekstet që trajtojnë agjërimin janë përplot mësime e urtësi. Dijetarë dhe shkrimtarë të ndryshëm kanë bërë përmbledhje të këtyre mësimeve në ligjërata, shkrime dhe punime të tyre. Në kuadër të tyre kanë përmbledhur edhe disa mësime që kanë të bëjnë me aspektin e besimit, respektivisht trajtimit e agjërimit nga pikëpamja e kredos islame.
Në vazhdim disa nga këto monumente:
SINQERITETI
Sinqeriteti është kusht kryesor i pranimit të një vepre. Mungesa e tij nënkupton refuzimin e pranimit të një vepre. Për këtë shkak, ne, në tekstet fetare, gjejmë interesimin për përmbushjen e këtij kushti gjatë agjërimit në mënyrë që e tërë puna të mos mbarojë me abstenim nga ushqimi dhe pija. Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë:
»من صام رمضان إيمانا واحتسابا غفر له ما تقدم من ذنبه«
“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogaritje në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme. [1]”
Në këtë thënie pejgamberike vërejmë dy gjëra me rëndësi:
1) Besimi në Zot, që është parakusht, dhe
2) Bërja e kësaj vepre duke llogaritur në Zotin që shpërblen.
Kjo nënkupton se agjërimi kryhet vetëm për hir të Allahut. Këtë na e shpjegon bukur edhe hadithi në vazhdim.
»كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ يُضَاعَفُ الْحَسَنَةُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا إِلَى سَبْعمِائَة ضِعْفٍ قَالَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ إِلَّا الصَّوْمَ فَإِنَّهُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ يَدَعُ شَهْوَتَهُ وَطَعَامَهُ مِنْ أَجْلِي لِلصَّائِمِ فَرْحَتَانِ فَرْحَةٌ عِنْدَ فِطْرِهِ وَفَرْحَةٌ عِنْدَ لِقَاءِ رَبِّهِ وَلَخُلُوفُ فِيهِ أَطْيَبُ عِنْدَ اللَّهِ مِنْ رِيحِ الْمِسْكِ«
“Çdo vepër e njeriut është për të, një e mirë (shpërblehet) me dhjetë e deri në shtatëqind sosh. Thotë Allahu: Përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblej për të, (sepse) ai (njeriu) e braktisi dëshirën (seksuale), ushqimin dhe pijet e tij vetëm për Mua. Për agjëruesin ka dy shpërblime: një në iftarin e tij dhe (tjetrin) kur ta takojë Zotin e vet. Era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se sa era e miskut (parfumit).[2]”
Pra, abstenimi nga ushqimi dhe pija nuk bëhet dhunshëm, por me vullnet, me dashuri, me shpresë në mëshirën dhe faljen e Allahut. Së këndejmi, për të pasur agjërim të pranuar, duhet që kryerja e tij të jetë ekskluzivisht për Allahun.
Rëndësia e këtij monumenti është në kultivimin e sinqeritetit dhe lidhjes me Allahun.
LIDHJA NDËRMJET MISIONEVE PEJGAMBERIKE: TË PËRBASHKËTAT DHE TË VEÇANTAT
Në agjërim manifestohet një detaj me rëndësi i islamit, si fe: lidhja ndërmjet pejgamberëve dhe misioneve qiellore. Allahu duke na folur për agjërimin na tregon se si adhurim ose detyrim ka qenë i njohur edhe tek popujt para nesh.
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ﴾
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [Bekare: 183]
Ky ajet fsheh në vete disa mësime me rëndësi:
1) Të gjitha fetë qiellore në vija të trasha janë një dhe kanë detyrime të njëjta në thelb por jo detyrimisht edhe në formën e manifestimit të tyre.
2) Dallimi në formën e manifestimit flet mbase edhe për të vërtetën e shtrembërimit të fesë nga ana e ithtarëve të tyre.
3) Dallimi kërkohet detyrimisht tani kur ky shtrembërim ka ndodhur. Pejgamberi Muhammed ﷺ na mëson: “Ajo që dallon agjërimin tonë nga agjërimi i ithtarëve të librit është ngrënia e syfyrit. [3]”
4) Dallimi nënkupton rikthimin në bazë ose përfilljen e adhurimit sipas përshkimit të bërë nga Zoti. Për ta kuptuar më drejtë, dijetarët myslimanë kur kanë folur për historikun e agjërimit kanë thënë se ithtarët e librit e kanë devijuar agjërimin duke ia ndryshuar kohën dhe duke i shtuar ditë. Agjërimi ka lëvizur në kohë, sikur tek ne, e duke qenë se iu ka ardhur vështirë ta agjërojnë gjatë verës, e kanë lënë në një stinë kur koha është as nxehtë, as ftohtë, ndërsa si kompensim për ndryshimin, kanë shtuar plus dhjetë ditë. Ne, si besimtarë, dallojmë ngase e agjërojmë në kohën e caktuar nga Zoti.
5) Islami fe e lehtësimit. Ngrënia e syfyrit është veçori e këtij ummeti ose mirësi me të cilën jemi dalluar ne. Nëse e kemi parasysh se sa ndikon syfyri në lehtësimin e agjërimit, arrijmë ta kuptojmë se për çfarë lehtësimi e mirësie bëhet fjalë.
6) Përputhja ndërmjet mbështetjes në Allahun dhe angazhimit individual. Ngrënia e syfyrit është një imazh se si besimtari mysliman bën përputhjen ndërmjet dy gjërave të rëndësishme. Mbështetja vetëm në njërën është gabim.
Rëndësia e këtij monumenti qëndron në:
– Ndjenjën e krenarisë që kultivohet tek besimtari mysliman, i cili i beson të gjithë pejgamberët dhe është ithtar i një feje e cila nuk paraqet vështirësi për zbatimin e saj
– Ndjenjën e sinqeritetit pasi që i ngel besnik detyrimeve fetare duke mos ndryshuar asgjë prej tyre
– Vizionin e qartë për fenë dhe jetën, duke bërë përputhje ndërmjet aspektit material dhe shpirtëror.
BESIMI NË EKZISTIMIN E ENGJËJVE DHE DJAJVE
Në Ramazan besimtari forcon kushtet kryesore të besimit. Një ndër këto kushte është dhe besimi në krijesat e padukshme, melekët dhe djajtë. Kjo gjë vërtetohet në disa tekste. P.sh. në kaptinën Kadr, duke na ofruar imazhe të natës së madhe, Allahu thotë:
﴿تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ﴾
“Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.” [Kadr: 4]
Ky ajet dëshmon zbritjen e melekëve në tokë me rastin e natës së kadrit. Pejgamberi Muhammed ﷺ na mëson se me rastin e ardhjes së Ramazanit ndodhë prangosja e djajve: “Iu erdhi Ramazani…Në të hapen dyert e qiellit (Xhennetit), mbyllen ato të Xhehennemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen… [4]”
Rëndësia e këtij monumenti fshihet në:
– forcën shpirtërore që fiton besimtari. Lidhja e besimtarëve me engjëjt është e veçantë. Edhe në Kur’an, edhe në Sunnet, janë dhënë imazhe të kësaj lidhje të veçantë, të cilat marrin trajtë të ndihmës, mbrojtjes, ruajtjes, dhe jo vetëm kaq. Ndryshe nga ithtarët e feve të mëparshme, që kanë armiqësi ndaj disa engjëjve, besimtari mysliman i do të gjithë engjëjt dhe beson në ta sipas përshkrimeve të bëra nga feja.
– prangosja e djajve nënkupton se fuqia e tyre është e kufizuar dhe se ata, nëse kemi mbrojtjen e Allahut, nuk na dëmtojnë asgjë. Rrjedhimisht, për ta fituar mbrojtjen e Allahut, na duhet të angazhohemi me gjëra që Allahu i do, si agjërimi në këtë rast, namazi, dhikri, etj.
BESIMI NË LIBRAT E SHENJTË
Muaji Ramazan është muaji i shpalljeve hyjnore, në përgjithësi, dhe i shpalljes së Kur’anit në veçanti. Siç na mëson Allahu, Kur’ani filloi të shpallej në Natën e Kadrit. Allahu thotë:
﴿شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ﴾
“Muaji i Ramazanit ësht që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…” [Bekare: 185]
﴿إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ﴾
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit.” [Kadr: 1]
Rëndësia e këtij monumenti është e madhe:
– Në radhë të parë konfirmohet se Kur’ani është i shpallur nga Allahu dhe se ai nuk është i shkruar nga Muhammedi ﷺ, siç kanë supozuar disa jomyslimanë.
– Kur’ani vërtetohet se nuk është i krijuar sepse shpallja e tij është bërë pjesë-pjesë.
– Vërtetohet roli përmbyllës dhe vlerësues i Kur’anit. Edhe Teurati dhe Ungjilli kanë qenë libra të Zotit por janë shtrembëruar. Ka ardhur Kur’ani dhe ka përmirësuar konceptet e devijuara.
– Konfirmohet se Kur’ani është libër udhëzimi.
BESIMI NË DITËN E LLOGARISË: NË SHPËRBLIM DHE NDËSHKIM
Në tekstet fetare rëndësi e veçantë i është dhënë edhe shpërblimit për agjërimin. Agjërimi është parë si vepër e cila ka shpërblim të pakufishëm[5], ose si vepër për të cilën veç Allahu di dhe mundet të shpërblejë[6], sikur që është përshkruar efekti i saj ndërmjetësues në ditën e llogarisë[7], shpërblimi për hyrjen në Xhennet nëpërmjet një dere të veçantë për agjërimin[8]. Këto nëse flasin për diç, flasin për besimin në botën tjetër, për llogarinë, për shpërblimin dhe për Xhennetin dhe Xhehennemin.
Rëndësia e këtij monumenti fshihet në:
– forcën që i jep besimtarit për tu ballafaquar me problemet, sfidat dhe vështirësitë në jetën e kësaj bote. Ai e di që mundi i shpaguhet, që haku kthehet, që padrejtësia ndëshkohet, andaj përgatitet për vete që të ketë vepra të mirë, llogari të lehtë, shpërblim të madh, dhe nuk merret me ata që e dëmtojnë sepse e di se, po ikën në këtë botë, në botën tjetër nuk mund të ikin.
– Vërteton ndërmjetësimin (shefatin) në botën tjetër.
PËRCAKTIMI FETAR I ADHURIMIT
Adhurimi, fetarisht, është i përcaktuar në formë, sasi dhe kohë. Nëse një adhurim del jashtë këtyre rregullave, ai refuzohet. P.sh. nëse njeriu e fal namazin por jo në drejtim të kibles, nuk i pranohet, sepse namazi duhet të falet kah kibleja. Në Ramazan kemi një formë të caktuar adhurimi, itikafin. I’tikafi nënkupton qëndrimin në xhami, mbylljen, me qëllim adhurimi. Nuk është formë siç praktikohet nga sofistë e murgj, sepse Islami nuk i atillë, por është adhurim i caktuar në kohë dhe periudhë të caktuar. Islami kërkon që adhurimi të jetë në vijë me rregullat e shpallura. Imam Buhariu transmeton se njëri nga Sahabet r.a. kishte vendosur që ta adhuronte Allahun në një formë të çuditshme. Kishte qëndruar në këmbë, në diell, agjërueshëm dhe refuzonte të fliste. Pejgamberi ﷺ pyeti për të, i thanë se po e bënte në shenjë adhurimi. Tha: Urdhërojeni të ulet, të flet, të hyjë nën hije dhe ta vazhdojë agjërimin. Në këtë rast, vetëm agjërimin e kishte me vend, andaj tha ta vazhdon agjërimin por jo edhe tjerat sepse adhurimi nuk bëhet sipas mënyrës sonë, por sipas rregullave të fesë.
Ky monument është i rëndësishëm për faktin se:
– përcakton adhurimin sipas formës dhe përmbajtjes, duke shuar kështu zërat që mundohen të justifikojnë forma të caktuara kinse me pretekst të adhurimit,
– na flet për rrezikun e formave të shpikura në adhurim, të cilat nuk braktisen lehtë sepse njeriu i mendon si adhurim dhe rrjedhimisht nuk heq dorë prej tyre. Ky është shpjegimi i thënies së disa dijetarëve se djalli më shumë gëzohet për njeriun që bën bidate se për tjetrin që bën mëkate. Kjo ngase nëse e di që ka bërë mëkat, ndërgjegjja do ta prek dhe do të pendohet, ndërsa nëse mendon se nuk është duke bërë mëkat, nuk do t’i shkojë ndërmend të pendohet.
/sedatislami/
Mbështetur në ‘El-mealim el-akadijje fi-s-sijam’ të Mer’id Abdullah Shemmeri, (http://www.saaid.net/mktarat/ramadan/608.htm).
[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[3] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[4] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[5] Allahu thotë: “…ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” [Zumer: 10] Siç shënojnë komentuesit e Kur’anit, prë qëllim me durim këtu është agjërimi.
[6] “Çdo vepër e njeriut është për të, një e mirë (shpërblehet) me dhjetë e deri në shtatëqind sosh. Thotë Allahu: Përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblej për të,…” Buhariu dhe Muslimi.
[7] “Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Llogarisë…” Transmeton Imam Ahmedi ndërsa Albani e ka saktësuar këtë hadith.
[8] “Në Xhennet është një derë, e cila quhet Rejjan. Nëpërmjet saj hyjnë në Xhennet vetëm agjëruesit dhe askush tjetër.” Buhariu dhe Muslimi.