1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Modelet e veturave që “jetuan” më shumë sesa e menduan prodhuesit

Më të lexuarat

Në kohët e sotme, kompanitë e makinave duket sikur prezantojnë modele të reja vit pas viti. Larmia e versioneve, dizenjove e modeleve është aq e madhe sa as dashamirësit më të mëdhenj të makinave nuk i ndjekin dot.

Prodhimi mesatar për një model të ri është rreth 6 vite. Kjo do të thotë që kur një kompani sjell një model të ri, teksa e shesin, janë duke planifikuar modelin pasardhës.

Megjithatë, industria e makinave është plot me modele specifike që janë prodhuar për shumë vite, më shumë se ç’prisnin vetë kompanitë.

Këto janë disa prej tyre:

Mercedes SL R107 u prezantua në vitin 1971 dhe u kthye në simbol të klasit të lartë të makinave kabriole. Prodhimi i këtij modeli vazhdoi për plot 18 vite, dhe u ndërpre vetëm në vitin 1989.

Fiat Panda u prodhua për herë të parë në vitin 1980, dhe vazhdoi deri në 2003. Edhe pse të vogla, “Panda” kishte hapësirë, çmim të leverdisshëm dhe mirëmbahej lehtë.

Range Rover. Modelet moderne luksoze të “Range Rover” janë shumë të përhapura sot, por zanafillën e ka në vitin 1970. Ishte makina e parë që mund të përdorej jashtë rruge e që njëkohësisht ofronte rehati, dizenjo të bukur dhe paraqitje të këndshme edhe mbi asfalt. Prodhimi i këtij modeli specifik vazhdoi deri në vitin 1996, për plot 26 vite.

Jeep Wagoneer/Grand Wagoneer, e paraqitur në vitet ’60, ishte modeli i parë luksoz jashtë rruge. Ishte i përkryer për shkretëtira e për autostrada. Ka qenë në treg pa u ndryshuar nga viti 1963 e deri në vitin 1991, për plot 28 vite.

Volkswagen Jetta MK2. Kur Volksvagen paraqiti modelin popullor “Golf”, “Jetta”, në vitin 1983, ishte versioni me të njëjtin motor, por me trup më të gjatë (Sedan). Edhe pse prodhimi në Europë ndaloi në vitin 1991, në Kinë vazhdoi të prodhohet deri në vitin 2013, kur u ndërpre për herë të parë pas 29 vitesh.

Toyota Century ishte një limuzinë tepër zyrtare, e dizenjuar fillimisht për familjen mbretërore të Japonisë dhe më pas u përdor gjerësisht nga anëtarët e mafias japoneze, Jakuza. Toyota Century u hodh në treg në vitin 1967 dhe vazhdoi të prodhohet për 30 vite, me ndryshime tepër minimale.

Peugeot 404. 
Modeli qe e bëri “Peugeot” popullore deri në SHBA ishte “Peugeot 404”. U prezantua në vitin 1960, me motor 1.5 benzinë dhe 1.9 naftë, dhe vazhdoi të shitet për 31 vite. Ajo që e bëri shumë tërheqëse në fillim ishte dizenjoja elegante, me skarën e kromuar dhe fletët e ngritura në pjesën e pasme.

Land Rover Defender. Land Rover-i i parë u prezantua në vitin 1948, dhe për gjithë këto vite ka qenë makina ideale për udhëtime jashtë rruge. Modeli ka qenë aq popullor sa e ka vazhduar prodhimin deri në vitin 2016, për 33 vite.

Lada Riva e vitit 1980 ishte një kopje e Fiat 124 Sedan. Makina ruse ndryshoi vetëm emrin më pas, por ruajti formën dhe dizenjon, dhe vazhdoi të prodhohet deri në vitin 2012 për plot 32 vite.

Toyota Land Cruiser u paraqit në vitin 1984 dhe vazhdon të prodhohet edhe sot. Modeli specifik Land Cruiser 70 ka vazhduar të prodhohet po njësoj për 35 vite. Megjithatë, Toyota i ka vendosur disa detaje moderne për ta përshtatur me standardet e sotme.

Volkswagen Golf Mk1, apo siç njihet thjesht “Golf 1”, ka qenë një makinë me ndikim të stërmadh në popullsi dhe në industri. Bëri shumë bujë kur u paraqit fillimisht në vitin 1974, por nuk priste njeri që ta vazhdonte prodhimin për 35 vite. Edhe pse ky model ndaloi së prodhuari në Europë që në vitin 1983, në Afrikën e Jugut vazhdoi deri në vitin 2009.

Mercedes G-Class. Ky model i tipit ushtarak, për përdorim jashtë rruge, u paraqit nga Mercedesi që në vitin 1979. Për shumë vite u është shitur agjencive policore si dhe ushtrive në të gjithë botën, dhe pothuajse nuk ndryshoi fare si model. G-Class u zëvendësua më në fund në vitin 2017 me një model që në fakt është pothuajse identik me të parin, me pak ndryshime, duke qëndruar në treg për 38 vite.

Mini Moris u paraqit në vitin 1959 si një model i pazakontë, me rrotat e përparme aktive, gjë që e bënte revolucionare për kohën. Sot, pas 60 vitesh, makinat me rrotat e përparme aktive kanë pothuajse të njëjtin konstrukt si Mini. Modeli origjinal vazhdoi të prodhohej deri në vitin 2000, për plot 41 vite.

Volkswagen Beetle e ka nisur prodhimin në vitin 1938, dhe si model është ndërprerë vetëm në vitin 2003. Gjatë kësaj kohe ka shitur më shumë se 22 milionë makina në të gjithë botën. “Beetle” ishte makina e parë që mori famë botërore për sa i përket çmimit të përballueshëm dhe paraqitjes së këndshme. Beetle ka qenë në prodhim për 65 vite.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit