0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Ministri i Shëndetësisë kërkon kohë që në mënyrë adekuate të hetohet rastit me klinikën “Zhan Mitrev”

Më të lexuarat

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali tha se “askush nuk është mbi ligjin, as që ka të paprekshëm”, por se nevojitet kohë e caktuar që të hetohet rasti

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali mbajti konferencë për media në të cilën informoi se janë në rrjedhë aktivitete mbikëqyrëse dhe të tjera me qëllim të vërtetimit dhe kontrollit të informacioneve lidhur me filmin dokumentar të publikuar nga ana e Laboratorit Raportues Hulumtues (IRL), raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë, krahas ministrit morën pjesë edhe drejtoresha e Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor dr. Irinka Sotirova Buhova, drejtori i Agjencisë së barnave – MALMED, Lirim Shabani dhe kryetarja e Odës së Mjekëve Kalina Grivçeva Stardellova.

Ministri Sali theksoi se “askush nuk është mbi ligjin, as që ka të paprekshëm”, por se nevojitet kohë e caktuar që të hetohet rasti.

“Në momentin derisa po zgjat kjo konferencë për media është duke u zhvilluar takim pune në MALMED me shërbimin zyrtar dhe përfaqësuesit e spitalit klinik ‘Zhan Mitrev’, lidhur me informacionet e shpalosura se janë kryer hulumtime klinike mbi pacientë të cilët janë kuruar në spitalin dhe se nëse të njëjtat janë kryer në pajtim me dispozitat. Në rrjedhë janë aktivitete në Odën e Mjekëve lidhur me kryerjen e mbikëqyrjes profesionale dhe i pres informacionet lidhur me rastin ‘Brezev'”, deklaroi ministri Sali.

Në pyetjen e gazetarëve “pse në Klinikë është lejuar përdorimi i hemofiltrimin te pacientët e prekur me COVID-19 pa indikacionet e duhura dhe në një fazë shumë të hershme”, ministri Sali tha se një trup profesional do të kryejë mbikëqyrje dhe do të tregojë nëse dhe kur janë kryer hemofiltrimet dhe nëse ato kanë çuar në komplikime tek pacientët.

“Për sa i përket hemofiltrimit si metodë, kjo është një metodë që tashmë ekziston dhe përdoret në klinika të caktuara. Kardiokirurgjia tek ne e përdorë si metodë. KARIL-I po ashtu si metodë e njohin. Metoda nuk është e re, pyetja është nëse dhe kur është përdorur tek ‘Zhan Mitrev’, le të fokusohemi më shumë këtu. Një trup profesional duhet të shohë dhe të tregojë nëse dhe kur është përdorë dhe nëse kjo metodë gjatë përdorimit në fazën e hershme kushtimisht thënë tek rastet e lehta është e rrezikshme mbi jetën e pacientëve, nëse ka qenë arsyeja për komplikime të gjendjes së pacientëve”, sqaroi ministri Sali.

Mbikëqyrje inspektuese ka iniciuar edhe Agjencia e Barnave – MALMED, lidhur me atë nëse është ndjekur procedura për ekzaminimin klinik të hemofiltrimit si metodë e trajtimit të COVID-19 ndërsa drejtori i Agjencisë së Barnave – MALMED, Lirim Shabani, në konferencën për media tha se është ‘logjike të jepet kohë për të përcaktuar gjithçka sipas protokolleve, rregulloreve dhe ligjeve”.

“Askush nuk thotë se ka pasur hulumtim klinik të konfirmuar ose e kundërta, se nuk ka hulumtim klinik. Ne themi atë që thotë ligji – nëse dikush zhvillon çfarëdo lloj hulumtimi klinik, ai sanksionohet me ligj ndërsa për t’u sanksionuar me ligj duhet të përcaktohet. Ne thirrëm njerëzit siç është procedura për të dorëzuar dokumentacionin. Agjencia e Barnave ka bërë inspektim para se të publikohej dokumentari, i kemi dhënë 5 ditë kohë për të dorëzuar dokumentacionin. Deri dje pasdite kanë dorëzuar një pjesë të dokumentacionit, sot kanë ardhur për shpjegim. Është caktuar komision për hulumtime klinike, do të mblidhet edhe Komisioni i Etikës”, tha drejtori i MALMED-it, Shabani.

Bashkëfolësit në konferencën për media theksuan se rasti nuk do të harrohet dhe kërkuan durim nga publiku që rasti të hetohet siç duhet.

Tre ditë më parë, IRL publikoi një film dokumentar investigativ “Gjaku i pistë”, në të cilin ka dëshmi të familjarëve të pacientëve se ka pasur lëshime të shumta në Klinikën “Zhan Mitrev” në trajtimin e pacientëve nga COVID-19 dhe pretendon se Klinika nuk ka ofruar të dhëna për infeksionet bakteriale intraspitalore te pacientët.

Krahas kësaj theksohet se “Klinika ka përdorur hemofiltrimin e gjakut si metodë për mjekimin e COVID-19 në hulumtime klinike, për të cilat nuk kanë qenë të informuar familjarët e pacientëve dhe institucionet kompetente”.

Nga klinika “Zhan Mitrev” përmes njoftimit reaguan se bëhet fjalë për të pavërteta dhe se “është evidente se këto informacione të rreme janë krijuar me qëllim të shtrembërimit të plotë të fakteve që ka të bëjë me punën e suksesshme shumë vjeçare të spitalit klinik “Zhan Mitrev”, thuhet në njoftim.

Pas publikimit të filmit dokumentar në IRL, Prokuroria themelore publike njoftoi se ka formuar lëndë për lëshimet gjatë punës në spitalin “Zhan Mitrev”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit