“Përveç takimit me kolegun tim, Dmitro Kuleba, do të rikthejmë në funksion ambasadën tonë në Ukrainë”, njoftoi Osmani
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, po qëndron për një vizitë pune në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të MPJ-së së Maqedonisë së Veriut, Osmani do të takohet me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmitri Kuleba, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas.
“Ministrat pritet të diskutojnë mbi agresionin ushtarak rus dhe mënyrat se si bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Maqedoninë e Veriut, mund të ndihmojë”, thuhet në njoftim.
Në Kiev theksohet se Osmani është pritur nga ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Krum Efremov, i cili së fundmi është kthyer në kryeqytetin ukrainas dhe së bashku me anëtarët e tjerë të misionit diplomatik vazhdon të kryejë funksionin e tij.
Ndër të tjera, Osmani ka postuar në rrjetet sociale fotografi nga vizita e tij në Kiev.
“Sapo kam mbërritur në Kiev, ku përveç takimit me kolegun tim, Dmitro Kuleba, do të rikthejmë në funksion ambasadën tonë në Ukrainë. Maqedonia e Veriut qëndron fuqishëm në mbështetje të popullit trim ukrainas”, ka shkruar Osmani në profilin e tij në rrjetet sociale.