5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

MENDJET E NDOTURA DHE ZEMRAT E ÇRREGULLTA

Më të lexuarat

Qëllimi i vërtetë i mendjes, e cila është një nga katër elementët themelorë të ndërgjegjes është njohja e Zotit. Prandaj ajo duhet të jetë vazhdimisht e zënë vetëm se me gjetjen e rrugëve që të çojnë tek Allahu dhe me informacionet e ndijueshme lidhur me handikapet e kësaj rruge dhe kapërcimin e tyre; mandej të ushqehet me dituri që do ta shtyjnë njeriun drejt vullnetit për t’i vënë në zbatim ato informacione.

Mirëpo, shumë herë mendja, e cila përmes aftësive të saj si të kuptuarit, të mësuarit dhe të kujtuarit kryen detyrën e thuajse të një biblioteke që arkivon çdo informacion që arrin nëpërmjet konstruktit të nënvetëdijes dhe mbivetëdijes, mund të bjerë pre e pushtimit nga mendime të gjymtuara, bindje të gabuara dhe bestytni; të mbushet me imazhe të shëmtuara, tinguj të ashpër dhe mbeturina fjalësh të pahijshme. Kështu, çdo gjë lë një njollë të vogël ose të madhe në mendje, duke shkaktuar ndotjen e saj.

Mendja ndotet fillimisht nga mëkatet. Çdo mëkat lë medoemos gjurmë tek mendja. Edhe pse shumë herë njeriu nuk është i vetëdijshëm për ndotjen e mendjes, me kalimin e kohës ai do të fillojë t’i ndjejë shenjat e saj në zemrën dhe ndjenjat e tij. Kjo lloj ndotjeje e shuan pasionin për të vazhduar bërjen e punëve të mbara, pakëson dëshirën për vijimësi të bëmave të mira dhe i jep forcë prirjes ndaj së keqes.

Kështu, njeriu i sotëm është më shumë se kurrë pre e një katastrofe të tillë. Sot, edhe kur del në rrugë, është thuajse e sigurt që sytë do të përballen me një varg mëkatesh. Syri me pamje që shkakton neveri në botën shpirtërore. Veshët bartin e gjuhët prodhojnë veç ndotësi. Kudo dëgjon fjalë të papërshtatshme, fraza të shëmtuara, të cilat hidhen e priten pas krahëve të të tjerëve; bisedat fillojnë me përgojime, vazhdojnë me gënjeshtra dhe mbyllen me shpifje. Ndosin ata që flasin por ndoten edhe ata që i tolerojnë duke i dëgjuar dhe duke u bërë pjesë e barrës së fajit të tyre. Kështu pra, përjetohet një ndotje tejet serioze e mendjes njerëzore.

Një situatë e këtillë kaq e keqe, krijon edhe ambientin e përshtatshëm për ndërhyrjen e shejtanit, gjersa ky i fundit i merr nën kontroll dhe i shfrytëzon në interes të vet këto mendje. Prandaj, njerëzit e kanë të vështirë që të gjejnë mundësinë e drejtimit kah Allahu (xh.xh.) me një zemër të kulluar. Madje, nëse ato mëkate që janë kthyer tashmë në njolla nuk pastrohen me pendesë, por shtohen e shtohen, atëherë të gjitha këto ndotje të hedhura njëra mbi tjetrën marrin trajtën e një perdeje, që ua pret udhën reflektimeve të ardhura nga Allahu (xh.xh.), pengon ndihmesën hyjnore dhe zemrat e mbetura tashmë pa mbrojtje, kthehen në shënjestra të shigjetave të vazhdueshme të mohimit që vijnë prej djallit.

Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (a.s) na paralajmëron ndaj një fatkeqësie të këtillë duke thënë: “Të shikuarit ndaj të ndaluarës është një shigjetë nga shigjetat e helmuara të djallit. Atij, që e braktis shikimin e mëkatit nga frika që ka prej Allahut, Ai fut në zemrën e tij një gëzim e ëmbëlsi të freskët besimi, aq sa ai do të ndiejë kënaqësinë e besimit gjer në thellësitë e zemrës.”

“Estag’firullah” (o Zot më fal) edhe për imagjinatën

Ai që është besimtar duhet t’i kontrollojë deri edhe ato që imagjinon, me një delikatesë dhe ndjeshmëri të thellë dhe t’i kërkojë Allahut që ta mbrojë nga ato që janë të shëmtuara dhe të thotë “estag’firullah” për ato që i përplasen në mendje. Kështu duhet të zhvillojmë ndjenjën e pendimit edhe për imagjinimet. Sepse, nganjëherë, prej një vargu kujtimesh të caktuara në mendje vijnë disa mendime të padëshiruara dhe shqetësuese, imazhe të shëmtuara apo fjalë të këqija dhe disa shpirtra që janë të ndjeshme, besojnë se ato kanë ardhur si pasojë sëmundjeve të zemrave të tyre apo ngase ata janë duke qëndruar në një pozicion të rrëshqitshëm. Po të thellohemi pak në atë çështje, mund të biem pre e dyshimeve dhe lojës së djallit duke thënë: “Me sa duket mua më është prishur zemra dhe unë qenkam i hapur ndaj të gjitha shthurjeve”. Ja pra, për t’u treguar të kujdesshëm dhe që të mos biem në dyshime, njeriu duhet t’i kontrollojë të gjitha mendimet e veta, si ato të vullnetshme ashtu edhe ato që janë fryt i imagjinatës. Për shembull, sikur për një çast të zhytet në mendime, si: “Vallë, kështu mendon edhe filan njeri për mua?, ai duhet të vihet menjëherë në alarm dhe të pendohet sikur të kishte kryer një mëkat shumë të rëndë. Ai person mund të ketë menduar vërtet ashtu. Mirëpo, Allahu i Madhërishëm do t’ia kërkojë atij që e kryen llogarinë e mëkatit; askujt tjetër nuk ka se ç’i duhet për mëkatin e kryer. Sidoqoftë e vërteta, të përfshihesh në mendime të këtilla dhe prej tyre të arrish në gjykime të caktuara, janë gjëra që i shkaktojnë shumë humbje njeriut, e bën të ecë nëpër luginat e mëkatit dhe e largon sakaq nga atmosfera e shpërblimit hyjnor. Mendimi i kontrollit dhe hetimit të vetes duhet të zgjohet brënda nesh, aq sa askush të mos i shohë dot as edhe mëkatet më të mëdha të të tjerëve, ngase çdokush është i zënë duke u marrë me përmirësimin e të metave e gabimeve të veta… edhe sikur në ëndërr të hyjë në mëkat, të pendohet dhe ta gjykojë veten ashpër, duke thënë: “Po të mos ishte imagjinata ime e hapur ndaj shthurjes, si do të hynte ky mëkat në ëndrrat e mia!

Paqja dhe lumturia shpirtërore e vërtetë mund të arrihen vetëm me shpëtimin e mendjes nga rrëmuja dhe rrënimi i mendimit dhe nga ushqimi me bindje dhe qetësimi i zemrës. Çdo njeri me mendje të pandotur, mund ta arrijë lumturinë e vërtetë duke u hapur ndaj klimës së pasosur të zemrës në sajë të shpirtit të tij të bërë me flatra. Dhe kushti më i rëndësishëm për ta kapur këtë fatlumësi është pajisja e bibliotekës së mendjes me mendime të pastra dhe ndriçimi i thesarit të zemrës me ndjenja të paqta.

Rrjeta e Egoizmit dhe Forca Qendërikëse e Sinqeritetit

Nganjëherë, duke u nisur nga rezultati i punëve, njeriu mund të mendojë se ka bërë punë të mira dhe kjo mund t’i ngjajë diçka tejet e pafajshme. Por mëkati mund t’i gjejë vend vetes edhe mes ndjenjave dhe mendimeve më të pafajshme. Për shembull, në çastin që neuroneve tona u vërsulen mendime të llojit “ne e planifikuam, ne e bëmë, fillojmë ta ndotim punën që kemi bërë. Dhe të ruash drejtpeshimin në këtë aspekt është tejet e vështirë. Sikur të arrini punë shumë të mëdha, të gjeni gjithë thesaret nën thellësitë e tokës e t’i nxirrni, por më pas t’ju vijë në mendje një mendim i llojit “ishim edhe ne, pa u arritën këto punë, dijeni se jeni të humbur.

Vullneti i njeriut është thelbësor në zanafillën e një pune. Andaj detyra e tij është që ta përdorë vullnetin e vet siç duhet, duke iu drejtuar me kujdes të gjitha shkaqeve që çojnë te synimi, duke e përqafuar punën me një vendosmëri të madhe dhe duke bërë një përpjekje serioze në emër të saj. Por, pas kryerjes së detyrës së tij, ai nuk duhet t’ia atribuojë vetes arritjen e synimit, nuk duhet t’ia njohë vetvetes këtë arritje. Sepse është Allahu që i ka krijuar të gjitha krijesat dhe ndodhitë në gjithësi. E kjo është diçka që nuk pranon as ortakëri as bashkëpjesëmarrje. Të përfshihesh në mendime si ai i bashkëpjesëmarrjes me Zotin është njëlloj si të bësh idhujtari karshi Zotit.

Kur fillojnë t’ia atribuojnë vetes mirësitë e falura prej Allahut, njerëzit i humbasin ato. Edhe pse rrezja duket sikur vazhdon të zgjerohet edhe për një farë kohe sajë forcës qendërikëse të sinqeritetit të asaj pune, për shkak të humbjes së sinqeritetit, kalon një farë kohe dhe ajo do të reshtë. Sikur edhe njerëzit më të lartë te Zoti të jenë ata që fillojnë të përfshijnë veten te një punë e cila është nisur me sinqeritet, do të humbasin, pasi herët a vonë do të pengohen diku dhe do të ndalen në vend.

Prandaj edhe Said Nursiu  këshillon që të lexojmë shumë shpesh rreth sinqeritetit dhe ta mbajmë sa më gjallë në mendjen tonë. Kjo është shumë e rëndësishme për sa i përket asaj që njeriu ta fshijë dhe ta hedhë tej egon e tij, duke na shkëputur nga “ene” (uni) për tu afruar drejt portit të “nahnu”-së (ne), që është një formë më e lehtë e idhujtarisë dhe mandej me një mendim të sinqertë ta zhbëjë edhe “nahnu”-në (ne) dhe të na lidhë me “huve”-n (Atë xh.xh.).

Kjo rrugë nëpër të cilën ecim ne është rruga e njësisë. Është rruga e rijetësimit dhe rigjallërimit edhe njëherë të mendimeve për ekzistencën dhe njësinë e Zotit. Sepse, për vite me radhë, dinamikat themelore të saj janë bllokuar dhe shumë njerëz i kanë harruar tërësej. Nuk duhet harruar se në rrugën e njësisë së Zotit nuk ecet me mendimin e idhujtarisë. Nëse ngrihesh dhe i lidh disa prej çështjeve të kësaj rruge me gjëra (shumësisë kalimtare) që nuk i përkasin Allahut, me shkakësitë, me egon, atëherë pas një farë kohe Allahu do ti marrë ato nga duart. Pikërisht në çastin që mendoni se e ngritët, ajo ju rrëzohet mbi krye; ju mbeteni nën rrënojat e saj.

Said Nursiu e përmbledh pozicionin që zënë shkaqet me këto fjalë: “Shenjtëria dhe madhështia (e Zotit) e kërkon që shkaqet të jenë një perde e dorës së fuqisë në syrin e arsyes. (Mesnevia e Dritës, fq. 83)

Siç shihet shkaqet nuk janë vetëmse nga një perde. Megjithëse njeriu është i nderuar me mirësinë e arsyes dhe është krijuar si një krijesë e nderuar, veprimet e tij nuk janë asgjë më shumë sesa shkaqe. Për rrjedhojë, vënia e “unë”-it në vend të “Atij” (Huve) është një paturpësi dhe mungesë respekti shumë e madhe ndaj Allahut.

Në këtë çështje njeriu nuk duhet të lejojë që t’i afrohet as mendimi i gabuar më i vogël në mendjen e tij. Sepse, dalëngadalë, ky mendim fillon të zmadhohet dhe mund ta kthejë njeriun në një përmendore të egoizmit. Dhe kur çështja të ketë mbërritur deri në këtë pikë, as vetë njeriu nuk mund ta thyejë dot lehtësisht idhullin e stërmadh që ka ngritur me duart e veta.

Allahu nuk e do njeriun që thotë “unë”

Në një ajet Kurani Allahu i Madhërishëm thotë kështu: “Edhe veprimet tuaja, Allahu i krijon”. (Saffat, 96) Njeriu jo gjithmonë mund ta ndiejë këtë. Nganjëherë ai mund ta shohë si të vetin frytin e punës së arritur. Por në çastin që e kupton, ai duhet të pendohet menjëherë dhe të largohet prej mendimeve të gabuara. Ai nuk duhet të lejojë që as imagjinata të mos i ndotet me këto. Deri më sot nuk është parë që të ketë pasur sukses ndonjë ndër ata njerëz që thonë vetëm “unë, unë”.

Egos së njeriut i pëlqen që ta shohë veten si të mëvetësishme dhe të krenohet me sukseset e arritura. Por ç’e do se siç thotë edhe Profeti Jusuf (a.s.) në Kuran, “Unë nuk e shfajësoj veten time sepse egoja urdhëron me këmbëngulje të keqen”. (Jusuf, 53) Prandaj edhe nuk mund të kesh besim tek ajo. Kur i bëjmë disa gjëra në emër të egos dhe i lidhim ato me të, ne do t’ua ulim çdo vlerë punëve të bëra dhe ato nuk do të kenë ndikimin e synuar. Punët e bëra për hir të egos janë fare të paqëndrueshme edhe për sa i përket jetës së përtejme dhe për sa kohë të jemi në këtë vijueshmëri nuk do të marrim dot asnjëfarë shpërblimi nga Allahu (xh.xh)

Veç kësaj, nuk ka kurrëfar dyshimi se të tilla sjellje, me rrënjët në egoizëm, do të sjellin me vete edhe gjithë reagimin e robërve të sinqertë të Zotit duke u pritur me antipati; do t’i shtyjë drejt xhelozisë dhe smirës ata njerëz që janë duke ecur në të njëjtën rrugë me ju. Dhe këtu është e domosdoshme që ta rikujtojmë edhe se njeriu, të cilit i pëlqen vetja dhe punët e tij, në të njëjtën mënyrë nuk do t’i pëlqejnë as të tjerët.

Përktheu: Tauland Bica

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit