Në vetëm dy javë, Lista Serbe arriti të bëjë një kthesë të vërtetë ‘kopernikane’ të denjë për dramën e regjisorëve më të mirë të botës. Për vetëm dy javë, pra nga 5 deri më 17 nëntor, anëtarët e Listës Serbe nga veriu i Kosovës, nga performanca para kamerave, kur policët hoqën uniformat në shenjë revolte, kaluan në betimin solemn në Kuvendin e Kosovës, ku të enjten u verifikuan mandatet për deputetë të rinj nga Lista Serbe.
Kishte diçka të rreme, disi të inskenuar, në faktin se policët vendosën të hiqnin uniformat dhe të thoshin me zë të lartë “mjaft më mjaft” para kamerave televizive. Ata ishin ngopur që askush të mos i respektonte, që serbët të shtypeshin, ndërsa përfaqësuesit e Kosovës me këmbëngulje refuzuan të gjitha kërkesat e tyre, shkruan portali serb “Nova.rs”.
Me mbështetjen e heshtur të Beogradit, i cili gjithashtu premtoi ndihmë financiare për një vendim të tillë, Lista Serbe njoftoi se do të largohet nga të gjitha institucionet, përfshirë pushtetin ekzekutiv, policinë dhe gjyqësorin, dhe do ta kthejë situatën në periudhën para Marrëveshjes së Brukselit, e cila u nënshkrua në vitin 2013.
Portali më tej shkruan “u larguan nga institucionet me premtimin se nuk do të kthehen atje derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet e dakorduara, që do të thotë derisa të tërheqë vendimet për riregjistrimin e automjeteve dhe derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, transmeton Telegrafi.
“Në pak ditë u kthyem 10 vjet mbrapa, që ishte një lëvizje radikale e denjë për vëmendjen e mediave botërore, por edhe interesin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Qytetarët besuan se kjo ishte një kthesë e madhe politike me pasoja të mëdha, por çfarë mund të themi për periudhën 5-17 nëntor”, shkruan portali serb.
Më tej ky medium shkuan se “në vetëm më pak se dy javë, që kur i thamë ‘jo-në historike Kurtit’, u kthyem me kokë krenare për të bërë betimin para institucionit më të rëndësishëm në Kosovë. Aq zgjati patriotizmi i Listës Serbe. Në fakt, ai atdhetarizëm, pra parimor u shkatërrua për vetëm 54 sekonda, sa zgjati edhe betimi solemn i përfaqësuesve të Listës Serbe”.
“Unë, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se do ta kryej detyrën time me nder dhe përkushtim dhe do ta përfaqësoj popullin me dinjitet, se do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të punoj për të mbrojë dhe respektojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, të mbrojë sovranitetin, tërësinë territoriale dhe integritetin institucional të Kosovës, në garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit”, thuhet në tekstin e betimit të bërë nga deputetët e Listës Serbe.
Teksti i betimit i nënshkruar nga deputeti i Listës Serbe
Ish-ministri për Kosovë, Goran Bogdanoviq, thotë për “Nova.rs” se njerëzit janë të zhgënjyer me vendimin e fundit të Listës Serbe me të cilin kanë vendosur të kthehen në Kuvendin e Kosovës, ku kanë bërë betimin të enjten.
“Ajo që bënë me betimin është kthim në institucione, kjo është e vetmja fjalë e duhur. Për këto 22 vite, sa zgjat kriza pas vitit 1999, ky është turpi më i madh i politikës sonë. Nëse keni marrë vendimin për t’u larguar nga institucionet dhe keni mbështetjen e 99 për qind të popullit në veri të Kosovës, nuk e kuptoj pse një veprim i tillë. Arsyetimi që ata dhanë është gjithashtu më shumë se qesharak. Komuniteti serb nuk mund të përfaqësohet në një mënyrë të tillë”, shpjegon Bogdanoviq, transmeton Telegrafi.
Ai potencon se Lista Serbe i ka vënë në rrezik qytetarët serbë, ndonëse, sipas tij, edhe vetë e ka përkrahur atë vendim.
“Ka mundësi që ata të dinë diçka që ne nuk e dimë, e kjo është që Beogradi ua ka sugjeruar këtë vendim. Gjithçka që ndodh në Kosovë bëhet me pëlqimin e Beogradit, që gjithmonë duhet të apostrofohet. Këtu tani vihen në dyshim synimet e sinqerta të Listës Serbe”, përfundon Bogdanoviq.
Më tej portali serb shkruan se “të gjithë tani dyshojnë në qëllimet e Listës Serbe, sepse si mund ta ruani besueshmërinë nëse ndryshoni mendimin tuaj në 180 shkallë për dy javë. Ky dyshim tashmë është zgjuar tek qytetarët që kanë lënë punën, ndërsa në këmbim të këtij vendimi u ofrohet lëmoshë nga Beogradi. Në të njëjtën kohë, ndërsa presin lëmoshë dhe vëzhgojnë një të ardhme të pasigurt, shikojnë se si lista serbe kthehet në institucione”.
Sipas fjalëve të Listës Serbe, gjegjësisht siç thuhet në deklaratën që kanë dorëzuar menjëherë pas këtij vendimi, mandatet janë verifikuar vetëm teknikisht për t’i “mbajtur në duar të sigurta”.
“Sot në Kuvend në Prishtinë nëntë përfaqësues të Listës Serbe verifikuan teknikisht mandatet e tyre duke i mbajtur në duar të sigurta dhe menjëherë u larguan nga seanca e Kuvendit. Me vendimin e sotëm strategjik në mënyrën më të drejtpërdrejtë u pengua realizimi i planit të Albin Kurtit dhe bashkëkombësve të tij serbë për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë”, ka deklaruar Lista Serbe.
Përveç kësaj, ata [Lista Serbe] e shfrytëzuan rastin për të sulmuar Rada Trajkoviqin.
“Dëshirojmë të theksojmë se qëllimi ynë është të mbrojmë popullin tonë, paqen dhe sigurinë, por edhe të mos lejojmë që Kurti dhe Rada Trajkoviq t’ia qepin kapelen popullit serb dhe të vendosin për jetën tonë”, thuhet në përgjigjen e Listës Serbe.
Ishte politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq ajo që ka theksuar se Lista Serbe ka marrë mandate të reja për të penguar hyrjen e saj në Kuvend.
“Sapo dëgjuan se mund të hyja në parlament, vrapuan të ktheheshin, që të mos ndodhte. Kështu e kam nokautuar këtë Vuçiqin, ai u mund plotësisht. Vuçiq është një leckë e zakonshme”, ka thënë Trajkoviq.
Reklama
null
Siç shkruan portali serb “në fund mbeti shija e hidhur, një shije plot mashtrime dhe premtime të rreme se ishte mjaft. Me sa duket askush nuk mjaftoi. Ajo shfaqje e 5 nëntorit ishte vetëm një pushim i vogël. Dhe midis dy pushimeve, ne duhet të mendojmë se ku do të shkojmë dhe si të vazhdojmë. Dhe ndoshta mund të arrijmë diku me përfaqësues të tillë”.
Lidhur me kthimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës ka reaguar edhe ish-presidenti serb, Boris Tadiq, duke thënë se “Lista Serbe doli nga parlamenti i Kosovës, për t’u kthyer sot në të dhe për t’u betuar se do të mbrojë integritetin territorial të Kosovës së pavarur! Dhe ata ende e quajnë atë një lëvizje strategjike”.
Më tej ai ka pyetur, “kë po duan të bëjnë budalla më shumë këta përfaqësuesit e Vuçiqit?!”
Ndërsa, Drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka thënë sot se kthimi i paparalajmëruar i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës është tregues se është dobësuar pozita negociuese e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në raport me Kosovën.
Janjiq ka thënë se Vuçiq ka vendosur që Listën Serbe t’ua kthejë institucioneve të Kosovës në mënyrë që të shtyjë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, të planifikuara për 18 dhjetor. /Telegrafi/