-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Me rastin e 70-vjetorit të pushkatimit të Mulla Ilazit: Heronjtë nuk duhet harruar

Më të lexuarat

Shkrim që ka të bëjë me rastin e 70-vjetorit të pushkatimit të heroit kombëtar, Mulla Ilaz Spahija – Broja. Për këtë figurë kombëtare, të dielën, më 7 shkurt 2016, do të bëhet zbulimi i pllakës përkujtimore në Xhaminë e Brojës në Drenicë.Mulla Ilaz Spahija – Broja, u lind në vitin 1892 në fshatin Kostërc të Drenicës. Mësimet e para fetare i bëri në Vushtrri. Në vitin 1916 mbaroi Medresejen në Pejë ku fitoi titullin Imam Xhamie.

Po këtë vit emërohet imam i xhamisë së Brojës ku do të shërbejë deri në vitin 1945.

Aktiviteti i tij patriotik vërehet qysh në fillim të shekullit të XX, për çka bie në sy bashkëpunimi i tij me Nak Berishën, kaçakun e famshëm shqiptar të asaj kohe. Krahas shërbimeve të tij fetare të rregullta, Mulla Ilazi në xhaminë e Brojës hapi edhe shkollën fetare për fëmijët e moshës 7-14 vjeçare, ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe.

Ai ishte anëtar i organizatës “Xhemijet” (Bashkimi) që udhëhiqej nga Ferat Draga, si dhe anëtar i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës.

Në vitin 1941, pas kapitullimit të Jugosllavisë, në qendër të Skenderajt, Mulla Ilaz Broja mbajti një fjalim protestues kundër qëndrimeve pro serbo-malazeze të Ushtrisë italiane në Drenicë dhe në pjesët tjera të Kosovës ku ishin vendosur.

Në vitin 1943, si përfaqësues i Drenicës, doli në përkrahje të platformës dhe strategjisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në mbrojtjen e tërësisë së tokave të banuara me shqiptarë. Po këtë vit, në Luftën e Kolashinit, ai u vu në krye të njësiteve vullnetare shqiptare për të mbrojtur kufijtë e veriut të Kosovës nga sulmet çetnike dhe partizane.

Në vitin 1945, pas themelimit të Brigadës së Drenicës, Mulla Ilaz Broja bëhet anëtar i Shtabit të saj dhe këshilltar i luftës i komandantit Shaban Polluzha.

Në gusht të vitit 1945, si pjesë aktive e rezistencës kundër ripushtimit sllav, ai me rekomandimin e profesorit Ymer Berisha, i bashkëngjitet grupit luftëtar që vepronte përgjatë kufirit Drenicë-Podrime-Rahovec.

Me 4 dhe 5 gusht, merr pjesë në Kuvendin e Dobërdolit ku u caktua, bashkë me Sadik Lutanin, udhëheqës ushtarak dhe politik i Drenicës. Në këtë kohë ai kryen edhe detyrën e këshilltarit të lëvizjes “Besa Kombëtare”.

Me 12 shtator të vitit 1945, merr pjesë në luftën e Çelisë, në të cilën u vranë 28 luftëtarë shqiptarë.

Mulla Ilaz Broja ishte një nga nënshkruesit e raportit për gjeneralin anglez . E. P. Hodgson, shef i misionit britanik në Shqipëri, të cilin e hartoi kryetari i organizatës “Besa Kombëtare”, profesori Ymer Berisha, më 22 tetor të vitit 1945.

Më 7 shkurt 1946, pasi OZN-a (shërbimi sekret jugosllav i pasluftës së Dytë Botërore), kupton vendstrehimin e Mulla Ilaz Brojës në Leçinë, në shtëpinë e Sokol Imerit, ai rrethohet nga forca të shumta ushtarake jugosllave. I vetëdijshëm se rezistenca e tij mund ta shkatërronte tërësisht familjen e mikpritësit, bashkë me shokun dhe bashkëluftëtarin e tij Ahmet Babaj, vendosi të dorëzohej duke kërkuar dy kushte: që t’ju dorëzoheshin autoriteteve gjyqësore dhe që mos të ndëshkohej kryefamiljari e familja e tij ku ai ishte strehuar.

Por, forcat serbe, posa arrestojnë Mulla Ilazin dhe bashkëluftëtarin e tij, e vrasin kryefamiljarin Sokol Imerin, ndërsa ata dy i dërgojnë në Zllakuqan, ku torturohen pandërprerë. Në mëngjesin e 8 shkurtit, ata do t’i pushkatojnë. Mulla Ilazi kërkon që t’i japin kohë atij që t’i drejtohet Zotit me lutjen e fundit!

Ashtu, të lidhur për namaz, akoma pa e përfunduar lutjen, kriminelët zbrazin më 8 shkurt 1946 plumbat mbi të e duke e lënë trupin e pajetë të Mulla Ilazit në vendin e krimit për orë të tëra. Kufoma e tij pastaj dërgohet në xhaminë ku kishte shërbyer për tri dekada rresht. Por, me urdhrin e njerëzve të OZN-as dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, mbeti për tri ditë në hajatin e xhamisë, pa guxuar kush që ta varroste.

Por, Mulla Ilazi, në momentet e tij të fundit, i tha këto fjalë si testament për gjeneratat e ardhshm: “Ju jeni të pabesë. Ne sikurse të gjithë shqiptarët tjerë, s’kemi çka presim tjetër prej jush, pos plumbit e thikës pas shpine. Po na vrisni, keni vra edhe shumë të tjerë para nesh, e do të vazhdoni edhe më vonë me krime. Por, mashtroheni se mund ta zhdukni këtë popull, se mund ta shtypni shpirtin liridashës të tij. Ne ua kemi lënë amanet brezave, sikurse të parët tanë që na lanë neve, që të mos kenë besë në sojin tuaj”!

Para se të arrestohej Mulla Ilaz Broja, dënohet me vdekje i biri i tij, Ibrahim Spahija (me pseudonimin Vullkan Dushku), që ishte pjesë e Rinisë Balliste e që bënte thirrje për rrënim të pushtetit popullor në Shqipëri dhe trojet shqiptare në ish-Jugosllavi.

Ibrahim Spahisë më vonë do t’i ulet dënimi nga ai me vdekje me burg të përjetshëm, në burgun e Mitrovicës së Sremit. Ai do të lirohet pas ca vitesh, por pa të drejta qytetare – mundësi punësimi. Ndaj, në pamundësi të një jete normale, do të largohet nga Kosova. Familja Spahija do të ndalet në Maqedoni, me shpresën se do të kthehen një ditë në Kosovë.

I biri i Ibrahimit është Faruk Spahija, ish-kryetar i Mitrovicës, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, që do të ndërrojë jetë më 2005.

Për fund, është e çuditshme se si kjo figurë e rëndësishme kombëtare u la në harresë, një patriot e bashkëpunëtor i nënshkruesit të Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë, Bedri Pejani, dhe i kreut të rezistencës anti-jugosllave në Kosovë, Shaban Polluzhës.

Varri i Mulla Ilaz Brojës akoma gjendet në oborrin e Xhamisë së Brojës, por ky varr i harruar nga institucionet, fatmirësisht do të “rinovohet” nga nipat dhe mbesat e tij. Më 7 shkurt 2016, do të bëhet zbulimi i pllakës përkujtimore në Xhaminë e Brojës – një moment simbolik që duhet të ngre ndërgjegjen tonë për figurat e mëdha që po i lëmë në harresë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit