1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Me pakon e re fiskale u mashtruan konsumatorët

Më të lexuarat

Dhjetë muaj që nga përshkallëzimi apo hyrja në fuqi e ndryshimeve në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar(TVSh), çmimet e konsumit kanë shënuar rritje në Kosovë, duke e bërë më të shtrenjtë shportën e konsumatorit. Kështu thonë përfaqësues për mbrojtjen dhe të drejtat e konsumatorëve, të cilët theksojnë se me rritjen e TVSH-së për 13%, syri i institucioneve duket se ishte për ta mbushur buxhetin e shtetit.

Produktet të cilat nuk kanë shënuar rënie të çmimit janë: produktet e miellit, buka, vaji për gatim, qumështi, vezët, kripa, uji dhe energjia elektrike. Për këto produkte sipas konsumatorëve me përshkallëzimin e TVSh nga 16 në 8 për qind nuk ka rënie të çmimit, transmeton KosovaPress.

Për çmimet, ministri i Financave, Avdullah Hoti deklaroi se prej këtyre mallrave dhe shërbimeve elementare, çmimet përcaktohen në treg, dhe sipas tij nuk është çështje e vendimeve administrative që i përcakton çmimet.

“Brenda këtyre mallrave dhe shërbimeve elementare për disa prej tyre çmimet përcaktohen në treg, pra, nuk është çështje e vendimeve administrative që i përcakton çmimet. Por, së paku për këto që kanë çmime të rregulluara, atyre menjëherë fatura u ka ardhur me minus 8 përqind, pra, nga 16 në 8 për ujin, për energjinë, për mbeturina për ngrohje dhe për shërbime të tjera në përgjithësi”, thotë Hoti.

Kryetar i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku në një prononcim tregon se ka ankesa të mëdha nga konsumatorët për rritjet të çmimeve, porse mekanizmat përkatës janë duke heshtur dhe nuk po marrin masa ndaj tregtarëve dhe dyqaneve.

“Ne u mashtruam me uljen prej 8 për qind të TVSh-së për produktet bazë, sepse syri i institucioneve dhe mekanizmave të shtetit është për ta mbushur buxhetin e shtetit, jo me tarifën e vjetër të TVSh prej 16, por me normën e re prej 18 për qind. Ndaj, me ligjin e ri ka ngritje të çmimeve, edhe pse do të duhej të ketë ulje për produktet e konsumit”, thotë Kaçaniku.

Kurse, hulumtuesi në Institutin GAP, Berat Thaçi theksoi se rritja e TVSh-së nga 16 në 18 për qind ka shtrenjtuar shumicën e produkteve, ndërsa, ulja e kësaj norme tatimore nga 16 në 8 për qind, liron disa produkte por nuk garanton lirimin e produkteve për arsye se ajo varet nga vullneti i shitësve.

“Rritja e TVSh-së nga 16 në 18 për qind i shtrenjton produktet, ndërkohë që ulja e TVSh-së…është një hap i mirë për lirimin e disa produkteve bazë, mirëpo nuk garanton lirimin e produkteve për arsye se ajo varet nga vullneti i shitësve dhe njëkohësisht nga niveli i konkurrencës në treg. Pra, në ato tregje ku nuk ka konkurrencë nuk është e garantuar se çmimet të bien si pasojë e uljes së TVSh-së për e produktet bazë nga 16 në 8 për qind… Në atë rast kur mekanizmi i konkurrencës nuk funksionon në uljen e çmimeve, atëherë rrjedhimisht konsumatori apo qytetari nuk përfiton nga kjo zbritje e TVSh-së, mirëpo fitimi bartet te bizneset”, thotë Thaçi.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), Valentina Bytyqi tha se të gjitha ato biznese që nuk e respektojnë pakon e re fiskale do të ndëshkohen me ligjet në fuqi.

“Nëse është bërë ndonjë shkelje apo bizneset nuk e respektojnë pakon fiskale e cila është për zbatim në terren, sigurisht që do të merren masat të cilat i parash legjislacioni tatimor”, thotë Bytyqi.

Qytetarët konsumatorë, nuk kanë vërejtur ulje të çmimeve, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji tatimor. Qytetari nga Prishtina, Abdullah Kryeziu, nuk ka vërejtur se ka ndryshime në lidhej me përshkallëzimin e TVSh-së. “Shporta për konsumatorin mbetet e shtrenjtë dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim, për aq sa kam arritur të shoh unë, kryesisht çmimet janë të njëjta si më parë”, thotë Kryeziu parapa kamere.

Edhe për Arsim Agushin nga Prishtina, çmimet mund të kenë shënuar rritje dhe në asnjë mënyrë rënie. “Çmimet janë rritur në përgjithësi dhe janë të shtrenjta, krahasuar me standardin e qytetarëve kosovarë”, thotë Agushi.

Megjithatë, kjo pako e re fiskale që kishte hyrë në fuqi më 1 shtator të vitit të kaluar, drejtues të Qeverisë së Kosovës kishin vlerësuar se ka pasur dhe do të ketë efekte pozitive në ekonominë e vendit dhe në të bërit biznes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit