5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

“Më e keqe se vetë vdekja” – zëra nga Libia

Më të lexuarat

Shenja e parë që diçka nuk shkonte ishte lehja e qenve. Ishte ora 2:30 e mëngjesit dhe jashtë ishte terr. Husam Abdelgawi, kontabilisti 31-vjeçar në qytetin libian Derna, u zgjua dhe zbriti i përgjumur poshtë për t’i kontrolluar qentë dhe ndjeu ujin në shputat e këmbëve.

Kur Husami hapi derën e përparme të shtëpisë që e ndante me vëllain e tij më të vogël Ibrahimin, uji vërshoi, duke e hequr derën nga vendi, ka treguar ai.

Vëllezërit vrapuan te dera e pasme, ku u përballën me skenën e kobshme, e paimagjinueshme, më e keqe se vetë vdekja për të dëshmuar”.

“Trupat e grave dhe fëmijëve po kalonin pranë nesh”, ka rrëfyer Husam, në një intervistë telefonike nga qyteti i Al-Qubbahut. “Makinat dhe shtëpitë e tëra u kapën nga rryma. Disa prej trupave u futën nga uji në shtëpinë tonë”.

Uji i përfshiu edhe Husamin dhe Ibrahimin, duke i çuar më larg dhe më shpejt nga sa e imagjinonin. Brenda pak sekondave, ata ishin 150 metra larg njëri-tjetrit.

Ibrahimi, 28 vjeç, arriti të kapte kabllot lundruese të rrymës ende të lidhura në shtyllat e tyre dhe të kapej përsëri drejt vendit ku Husam ishte ngecur.

Vëllezërit i përdorën kabllot si litarë për t’u tërhequr drejt ndërtesës aty pranë dhe dolën përmes një dritareje të katit të tretë. Nga atje, ata kaluan në një ndërtesë tjetër dhe ngjitën një sërë shkallësh në një çati të katit të pestë, ku pritën përmbytjen.

“Zona ku ishim ishte një pjesë më e lartë e qytetit”, ka theksuar Husam. “Në pjesët e poshtme nuk besoj se ka shpëtuar njeri në katin e pestë apo të gjashtë. Mendoj se janë të gjithë të vdekur. Zoti i mëshiroftë shpirtrat e tyre”.

Shumë të vdekur

Më shumë se 5 mijë njerëz tashmë dihet se kanë vdekur në përmbytjet katastrofike që kanë goditur Libinë pas stuhisë Daniel. Kryebashkiaku i Dernas ka paralajmëruar se 20 mijë njerëz mund të kenë humbur jetën. Përmbytja u shkaktua nga thyerja e dy digave të ujit, duke bërë që uji të arrijë me vrull deri në qendër të qytetit.

“Derna u nda në dy gjysma nga uji dhe gjithçka në mes është zhdukur”, ka theksuar Rahma Ben Khayal, studente 18-vjeçare që arriti e sigurt në një çati në qytet.

“Njerëzit në mes janë të gjithë të vdekur”, ka treguar ajo.

Uji që përfshiu shumë rrugë kishte nisur si shi i dobët një ditë më parë.

Nuk ishte e frikshme në fillim, ka thënë Amna Al Ameen Absais, studente mjekësie 23-vjeçare e lindur dhe e rritur në Derna, e cila tani është kujdestare e tre vëllezërve e motrave të saj më të vegjël pas vdekjes së të dy prindërve nga sëmundja.

Teksa shiu pikonte jashtë, katër vëllezërit e motrat u ulën në apartamentin e tyre të katit të parë në Beach Towers, ndërtesë shtatëkatëshe, duke luajtur lojëra dhe duke përdorur telefonat e tyre. Ata e veshën vëllain e saj të vogël me jelek shpëtimi dhe qeshën. Por me kalimin e natës të së dielës, shiu u bë më i dendur. U dëgjuan sirenat. Ata nuk mund të flinin.

“Në të vërtetë, gjithçka nisi rreth orës 2:30 të mëngjesit”, ka thënë Amna, gjatë një interviste telefonike nga qyteti i afërt i Tobrukut. “Pikat e shiut po bëheshin më të shpeshta e më të rrëmbyeshme. Vëllai më tha se po e shihte rrugën teksa po e merrte uji”.

Teksa niveli i ujit filloi të ngrihej, fqinjët filluan të migronin lart. Amna mori macen dhe katër pasaporta dhe ata u ngjitën nga apartamenti i tyre i katit të parë në një apartament në katin e tretë.

“Njerëzit po shikonin jashtë në terr, duke u lutur”, ka treguar Amna. Më pas uji arriti në katin e tretë.

“Të gjithë filluan të bërtisnin. Ne u ngjitëm përsëri, në katin e pestë dhe në fund u ngjitëm në katin e shtatë”.

Paniku kishte filluar. “E humba macen”, tregon Amna. “Kam humbur edhe vëllain tim të vogël për një minutë, por më pas e gjeta. Kuptova se nuk mund të qëndronim as në katin e shtatë, duhej të shkonim në çati.

Prej aty, mund të shihnin fqinjët në çatinë e një ndërtese trekatëshe përballë, duke përfshirë nga uji një familje me të cilën ishin miq.

Kontaktet e fundit

Fqinjët tundnin telefonat në terr për të dhënë shenjë me dritë. Pak çaste më vonë, ndërtesa e tyre u shemb nga uji”.

“Dukej si tërmet”, ka theksuar Amna. “Ajo familje ende nuk është gjetur. Djali i tyre po i kërkon. Ne i thamë se e pamë ndërtesën e tyre që u shemb para syve”.

Disa nga familja e Amnës janë të zhdukur gjithashtu. Xhaxhai i saj, gruaja e tij dhe tre djemtë e tyre jetonin në një ndërtesë aty pranë që u shemb.

“Telefonata jonë e fundit ishte rreth orës 21:00, ai po telefononte për t’u siguruar që ne ishim mirë”, ka treguar ajo. “Ne nuk kemi dëgjuar prej tij që atëherë”.

Përfundimisht, Amna ishte në gjendje të shpëtonte nga ndërtesa me të tre vëllezërit e motrat, pasi ujërat u qetësuan. Rruga e saj ishte zhdukur plotësisht.

“Dukej sikur ishte çarë toka”, ka rrëfyer ajo. “Ka mbetur vetëm një zgavër aty ku ishte rruga”.

Një fqinj që ajo e njihte rrëshqiti dhe u zhduk në ujë para syve të burrit dhe djalit të saj, ka thënë Amna. Ajo dëgjoi se shoqja e saj më e mirë, Aisha, nuk ia kishte dalë.

Katër vëllezërit e motrat ecën për orë të tëra në një tokë më të lartë, duke kaluar plot trupa gjatë rrugës. Numri i të vdekurve nga katastrofa duket se do të rritet ndjeshëm.

Husam Abdelgawi, llogaritari, ka treguar se kishte numëruar tashmë të paktën 30 miq midis të vdekurve dhe më shumë se 200 të njohur. “Është mrekulli që mbijetova”, ka thënë ai.

Dëmi i vetë Dernës si qytet është katastrofik. Lagje të tëra janë shkatërruar.

Shumë të mbijetuar janë duke pritur me dëshpërim për lajmet e njerëzve të dashur. Të tjerët janë në zi, për të vdekurit dhe për qytetin e tyre.

“Nuk do të jetë më kurrë njëjtë”, ka thënë Amna. “Ato rrugë ishin e gjithë jeta ime. E njihnim çdo cep të qytetit. Tani është zhdukur”.

Përktheu: Blerta Haxhiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit