3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Mbështetje e një lloji tjetër

Më të lexuarat

Nga: Shejh Selman Aude

Mbështetje e një lloji tjetër

Kur blen një produkt të pavlerë për ta djegur si formë hakmarrje dhe shprehje të neverisë, pasi përmban diçka ofenduese apo blasfemike, në fakt ti thjesht i ke bërë reklamë dhe i ke shtuar të ardhurat autorit. Me këtë mënyrë, ti po e shpërblen për aktin e tij të shëmtuar. E njëjta gjë vlen dhe kur shpërndan në rrjetet virtuale linket e faqeve që fyejnë dhe ofendojnë profetin Muhamed a.s. Autorët e këtyre faqeve dhe produkteve mediatike, nuk synojnë gjë tjetër veçse reklamimin e prodhimeve të tyre të shëmtuara.
Muhamedi a.s, është i dërguari i fjalës “Lexo”, ai është profeti i “Kërkimi i diturisë është obligim për çdo mysliman” (Ibnu Maxheh)
Prandaj, le ta mbështesim profetin Muhamed a.s duke përhapur dijen, duke e vënë atë në efiçensë, duke ndërtuar shkolla dhe qendra shkencore, duke mbështetur talentet dhe duke lehtësuar rrugën e dijes.
Le ta mbështesim me shpikje, zbulime shkencore, mjekësi të avancuar, fizikë, kimi, astronomi, teknologji etj… të gjitha këto nga duart e myslimanëve, siç ndodhi me gjyshërit tanë.
Ai ishte i dërguari i dashurisë, prandaj, mbështetja për të, le të jetë e bazuar në dashurinë për të njohur jetëshkrimin, moralet dhe madhështinë e tij.
Më të mirë se ti, s’kanë parë sytë e mi
Më të mirë se ti, s’ka lindur nënat
Pa asnjë të metë je krijuar ti
Si të jesh krijuar, siç ta ka dashur ënda
 
Le ta mbështesim Profetin tonë, duke shpërndarë frymën e dashurisë dhe respektit mes besimtarëve. A nuk ka thënë vetë ai:”Nuk do të hyni në xhenet, derisa të besoni dhe nuk do të besoni derisa ta doni njëri-tjetrin. A t’u tregoi diçka, të cilën nëse do e vepronit, do e donit njëri-tjetrin? Përhapni paqen mes jush.” (Muslim)
Ai është i dërguari i rahmetit mbarë botëror. Prandaj, mbështetja dhe mbrojtja më e mirë për të, është duke përvetësuar cilësitë dhe tiparet më të vyera të tij, si dhembshurinë për njeriun, kafshët dhe zogjtë. Njerëzit më të meritueshëm për këtë sjellje, janë pikërisht vëllezërit e tu besimtarë.
Ai është Profeti që u dërgua për të vendosur në vend dinjitetin e përdhosur të gruas. Ai thotë:”Gratë janë motrat e burrave.” (Ahmed, Ibnu Maxheh dhe Tirmidhij)
Ne e mbështesim profetin Muhamed a.s, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot dhembshuri për një vogëlushe e cila sapo ka ardhur në jetë, për një motër që has probleme, për një bashkëshorte që përballet me injorim dhe shpërfillje në shtëpinë e saj.
Profeti ynë na tregon se një grua ka fituar xhenetin thjesht sepse i ka shërbyer një qeni, e një tjetër është dënuar me zjarr, thjesht sepse ka lënë një kotele pa e ushqyer.
Ky Profet, na tregon se Zoti e qortoi një nga profetët e  Tij. Atë e kishte pickuar një milingonë dhe ai i kishte vënë flakën të gjithë folesë së milingonave. Zoti e kritikoi dhe i tha:”Të pickoi një milingonë, e ti i vure flakën gjithë milingonave në vendbanim, të cilat madhëronin Zotin?!” (Buhari dhe Muslim)
Mbështetja jonë më e mirë për Profetin tonë, le të jetë duke përvetësuar këto morale dhe duke i praktikuar ato në jetën tonë të përditshme.
Ai u dërgua të garantojë të drejtat e fëmijëve dhe tu falë atyre përkujdesin, dashurinë dhe dhembshurinë. Një herë, ai kaloi në një rrugicë të Medines dhe dëgjoi disa vajza të mitura duke kënduar:” Bija të Benu Nexhar jemi, Muhamedin e mirë, komshi kemi.” Profeti a.s u afrua dhe u tha:”Veç Zoti e di sa xhan u kam.” (Ibnu Maxhe)
Le ta mbështesim Profetin tonë, duke u falur dashuri e dhembshuri si fëmijëve tanë ashtu dhe fëmijëve të tjerë.
Ai ishte jetimi tek i cili gjente strehë dhe ngushëllohej e gjithë bota. Ai është jetimi tek i cili të gjithë gjenin mbështetje dhe dhembshuri. Nëse doni ta mbështesni atë, kontribuoni për një jetim, i ndërtoni një shtëpi, apo i lidhni një pension.
Ai ishte Profeti që kujdesej për ambientin. Ai thotë:”Kush pret një pemë sidri, Zoti ia ka drejtuar kokën për në zjarr.” (Ebu Daud, Nisaij, Bejhakij, Albanij)
Le të jetë mbrojtja e mjedisit, bimëve, pemëve dhe pyjeve nga zjarri dhe shkatërrimi, mbështetja jonë për profetin Muhamed a.s.
Ai është Profeti që u përkujdes dhe për rrugën ku kalonin kalimtarët, duke këshilluar që ajo të mbahej e pastër, të largoheshin mbeturinat dhe gjembat. Nëse kërkon të mbështetësh profetin Muhamed a.s, bëje duke mbajtur pastër dhe duke rregulluar rrugët e suksesit, lumturisë dhe shpresës në shtigjet e jetës. Largoji gjembat dhe pengesat që hidhen në rrugë nga njerëz që janë privuar nga udhëzimi hyjnor.
Ai ishte Profeti që mbante besën dhe amanetin, ruante miqësinë dhe i qëndronte fjalës së dhënë. Ai e ruajti të pacenuar shoqërinë dhe miqësinë me Ebu Bekrin dhe të gjithë shokët e tij të nderuar. Ai është mësim i gjallë për të gjithë ne, si ti trajtojmë ata që na duan dhe i duam, pa pyetur për çmimin që duhet të paguajmë.
Ai ishte rahmet edhe për armiqtë e tij. Kur myslimanët i kërkuan ti mallkojë, ai u përgjigj:”Nuk jam dërguar për të mallkuar, por jam dërguar rahmet për ta.” (Muslim)
Vallë, a e kanë kumtuar dhe përcjellë myslimanët aty ku jetojnë, në Perëndim apo Lindje, frymën e mesazhit të Profetit a.s, nëpërmjet sjelljeve dhe moraleve të tyre?
Abdullah ibnu Amr tregon se një herë pati bërë kurban një dash dhe i pyeti familjarët nëse i kishin çuar një pjesë komshiut të tyre çifut. Ai u tha:”E kam dëgjuar Profetin a.s të thotë:”Xhibrili vazhdoi të më këshillojë për komshiun, saqë mendova se do të hyjë tek trashëgimtarët e mi.” (Ebu Daud dhe Tirmidhij)
Ai u dërgua për të përsosur moralet më të larta dhe nëse ithtarët e tij, do i trajtonin vëllezërit e tyre, ashtu siç ai trajtonte mynafikët, do të mjaftonte.
Ai pranoi nga mynafikët aparencën e tyre, sakaq atë që fshihen në zemrat dhe shpirtrat e tyre ia la në dorë Zotit. Ai i pranonte justifikimet e tyre dhe kërkonte falje për ta.
Ai i paraprinte gjithmonë të mirës, respektit dhe marrëdhënieve të mira me të afërmit. Ai thoshte:”Kushdo që kërkon ti shtohet rizku dhe të lërë gjurmë të mira pas, le të shkojë mirë me farefisin.” (Buhari dhe Muslim)
Po ti, vëlla dhe motër e nderuar! A je pajtuar me ndonjë të afërt i cili të ka kthyer shpinën, thjesht për të ndjekur dhe respektuar traditën profetike?
Ai ishte përkrahësi dhe mbështetësi i nevojtarëve dhe fukarenjve. Ai thoshte:”Nuk bën hajr një umet që nuk i jep të drejtën të dobëtit pa zvarritje.” (Ibnu Maxheh)
A i je gjendur pranë një të burgosuri padrejtësisht? A je vënë në mbrojtje të drejtës së tij? A je kujdesur për familjen e tij?
Ai ishte Profeti i pastërtisë dhe dëlirësisë me trup dhe shpirt. Atij i qe adresuar Zoti me fjalët:”Dhe rrobat e tua pastroji!” (Muddethir, 4) Ku je ti nga tradita dhe udhëzimi i tij? A tregon kujdes për anën tënde të jashtme? A e mban pastër trupin dhe rrobat? A kujdesesh të mbash të dëlirë shpirtin dhe zemrën, nga urrejtja dhe smira?
Ai ishte Profeti që bëri thirrje për afrim të zemrave, për vëllazërim për hatër të Zotit. Ai ishte Profeti që kërkoi të heqim dorë nga përçarja dhe konflikti. A e ke ndjekur rrugën e tij duke mos u bërë shkaktar përçarjeje dhe akuzash?
A nuk do të ishte mbështetja më e mirë për Profetin tonë, duke u qëndruar pranë vëllezërve tanë në Siri, kundër dhunës çnjerëzore të diktatorit mizor?
Kur ta kontrollosh veten në momente zemërimi, ashtu siç na ka urdhëruar Mustafaja, do të shohësh që me mijëra dyer do të hapen për ta mbështetur atë. Vetëm kështu mund ti japim fund zinxhirit të blasfemive, pasi vetëm kështu e mbështesim Profetin tonë pambarimisht. “Nëse nuk e mbështesni ju, atë e ka mbështetur vetë Zoti.” (Teube, 40)
Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi Profetin tonë!
 
Perktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit