23.3 C
Pristina
Tuesday, May 21, 2024

Muaji i Kuranit 8 / Mjerë për çdo përqeshës dhe shpifës

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid Elkarnij

Muaji i Kuranit 8 / Mjerë për çdo përqeshës dhe shpifës

Ai që ironizon, shpif dhe përfol të tjerët, është njeri pa dinjitet, i degraduar në nivelin më të ulët të vlerave, njeri i harruar nga fjalori i fisnikërisë. Kjo, sepse ai përfol dhe përbalt dinjitetin dhe nderin, ai përqesh robërit e Zotit. Ai është ironik dhe cinik si me fjalë ashtu dhe me vepra. Sytë dhe dora e tij nuk dinë gjë tjetër veç gjesteve ironike dhe fyese, njëlloj si gjuha.
Njerëzve të tillë u është rezervuar një ndëshkim i rëndë, të cilit nuk do mund ti shmangen. Mjerë ata që u ngulin thika pas shpine njerëzve të pafajshëm dhe që shkelin mbi dinjitetin e tyre.
Preokupimi më i madh i tyre është të hetojnë dhe të pikasin ndonjë mangësi, ta zhbirojnë atë në kanalet më të errëta. U bëhet qejfi dhe ekzaltohen me shkarjen më të vogël, dashurojnë gabimin më të rëndomtë, kur i pyet për ditë, vërshon lumi i gjynaheve të tyre, duke i harruar fare të mirat dhe vlerat. Ajo që u vjen menjëherë në mendje, është e keqja, për vetë faktin se zemra u është nxirë dhe nuk sheh bardhësi. Gjendja e tyre i përngjan asaj që poeti arab thotë:
Zeher kush gojën e ka
Dhe uji i bjeshkës, zeher atij i ngjan
Syri i tij i zemrës është veshur nga perde të zeza, të cilat ia bëjnë të pamundur shikimin e realitetit me gjithë ngjyrat e tij. Për shkak të sëmundjes, syri e mohon dritën e diellit, ashtu siç mohon goja shijen e ushqimit, kur mbushet nga puçrrat.
Nuk bëhet fjalë ti buzëqeshë buza për ndonjë vlerë të një zemre të dëlirë, sepse ai është ziliqar dhe mohues i çdo të mire. Nuk ndjehet rehat me tiparet pozitive dhe të fisme të njerëzve, sepse veprat e tij janë Zot na ruaj, zemra e tij është katran, e gjuha e hidhur. Thotë poeti:
Kush veprat të liga e i ka
Dhe mendimet i ka hata
Për të gjithçka besohet
Asnjë iluzion nuk refuzohet
Mjerë kjo përbaltje, ironi, dashakeqësi dhe përgojim nga dënimi i Zotit dhe zemërimi i Tij. Ai sikur u ka zënë pritë robërve të Zotit dhe gjuan të metat e shkarjet e tyre. Gëzohet me gabimet dhe i pëlqen që e liga të përhapet mes atyre që besojnë. E di përse? Sepse është një kokë dështaku. I merret fryma dhe i ngushtohet kraharori pranë njerëzve të fisëm dhe të mirë, sepse ai vetë është një sojsëz dhe i pavlerë. Dëlirësia e zemrës dhe gjuhës, është një dhuratë hyjnore të cilën Zoti ia jep kujt të dojë prej robërve të Tij. Kujt i është dhënë ky tipar, e dallon kollaj, pasi orvatet ta mbulojë tjetrin, është zemër pastër, përmend vetëm të mirat e njerëzve, joshet pas cilësive të tyre të fisme.
Ai është zemërdëlirë me vëllezërit e tij, i justifikon dhe arsyeton ata, vlerëson anët e tyre pozitive, mbyll sytë ndaj të metave dhe gabimeve, nuk ka kohë tu bëjë autopsi robërve të Zotit mbi dërrasën e kalbur të kritikës, ai s’ka kohë dhe as që e dëshiron ti djegë të njerëzit e mirë me zjarrin e tij.
Kushdo që e lexon dhe mediton rreth këtij ajeti, duhet të pushtohet nga frika dhe shqetësimi për gjuhën e vet që e ka lënë të lirë të kositë sa majtas-djathtas, duke përgojuar robërit e Zotit pasi e ekzalton publikimi i të metave të tyre. Në fakt, ky është një tregues falimentimi, tregues i një fundi plot dëshpërim. Mjerë ai që hyn tek kjo kategori frymorësh. Zoti e vraftë, si harron dhe neglizhon të merret me mangësitë e vetes së tij. Përse nuk rend pas gjynaheve të tjera, të cilat i ka mbuluar Zoti? Përse e heq atë perde që e ka vendosur Krijuesi mes disa njerëzve dhe gjynaheve të tyre?
Ai është armik i të mirës, luftëtar i të vlerës, shkatërrues i moralit. Mjerë për atë që përgojon, shpif, përbalt, ironizon….

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit