-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Mbështetja tek Zoti, burim i qetësisë shpirtërore

Më të lexuarat

Nga: Dr. Jusuf Kardavi

Mbështetja tek Zoti, burim i qetësisë shpirtërore

Mbështetja tek Zoti është si një pemë e dobishme, e cila nuk jep veçse fruta të dobishëm, si në jetën individuale ashtu dhe në atë kolektive të një shoqërie.
Fryti i parë i saj është qetësia shpirtërore, e cila kaplon mbështetësin tek Zoti dhe e bën ta ndjejë në çdo pjesë të trupit. Ai ndihet i sigurt edhe pse të gjithë njerëzit i kaplon frika, ai ndihet i qetë edhe pse të gjithë i kaplon stresi, ai ndihet i bindur edhe pse të gjithë janë dyshues, ai ndihet i qëndrueshëm edhe pse të gjithë humbin qëndrueshmërinë, ai ndihet plot shpresë kur të gjithë i kanë humbur shpresat, ai ndihet i kënaqur edhe pse të gjithë shprehin pakënaqësi.
Ai i përngjan një ushtari i cili është strehuar tek një kala e fortifikuar, ku ka një shtrat të ngrohtë, ushqim të bollshëm, armët dhe plot municione. Ai mund ti shohë kundërshtarët, kurse ata nuk e dallojnë dot, mund ti qëllojë kurse ata jo. Kështu, atij nuk i intereson fort çfarë ndodh jashtë, çfarë thuhet për të e çfarë jo.
Ajo është një gjendje e ngjashme me atë që ndjeu profeti Musa a.s kur populli i tij i thanë:”Na arritën” kurse Musai a.s ua ktheu plot qetësi dhe besim:”Kurrsesi! Me mua është Zoti im, e Ai do më udhëzojë” (Shuara, 62)
Ajo është e ngjashme me ndjesinë e profetit Muhamed a.s teksa ishte në shpellën Theur bashkë me mikun e tij Ebu Bekr, ndërkohë që idhujtarët i kishin rrethuar. Duke dalluar shqetësimin e mikut të tij, Profeti a.s i tha:”Mos u mërzit, është Zoti me ne.” (Teube, 40)
Është e njëjta ndjenjë që përjetoi Ibrahimi a.s teksa hidhej në zjarr. Atij nuk i vajti aspak në mendje ti kërkonte ndonjë krijese ndihmë, qoftë dhe ndonjë mbreti e sulltani. Jo, ai u angazhua vetëm me përmendjen e Atij që ka në dorë gjithçka, duke pëshpëritur me vete:”Më mjafton Allahu që është garantuesi më i mirë.’
Në koleksionin e saktë të imam Buhariut, Ibnu Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, thotë:”Më mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë” është thënë nga Ibrahimi kur u hodh në zjarr dhe është cituar nga Muhamedi kur iu thanë:”Njerëzit janë mbledhur kundër jush prandaj u frikësohuni atyre, por kjo ua forcoi më shumë besimin dhe thanë “Na mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë”
Më kujtohet që dikur pata hyrë në një nga xhamitë e Stambollit dhe mbi mur arrita të lexoj dy vargje, në të cilat poeti thoshte;
Pasha Zotin, do i dorëzohem plotësisht Atij
Për çdo hall, telash dhe fatkeqësi
Musai e Ibrahimi kur iu dorëzuan
Nga mbytja dhe zjarri shpëtuan
Është e njëjta ndjesi që përjetoi Haxherja, kur u la e vetme me të birin në mes të shkretëtirës, në Mekë, pa njeri dhe pa ushqim. E çuditur nga ky akt i të shoqit, ajo i rendi nga pas dhe e pyeti:”Mos të ka urdhëruar Zoti të na lësh këtu?!” Ibrahimi a.s iu përgjigj:”Po.” Haxherja i tha:” Atëherë nuk do të na lërë në baltë.”
 
 

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit