15.5 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Aspekti moral tek personaliteti i myslimanit bashkëkohor

Më të lexuarat

Nga: Dr. Muhamed Mehdij

Aspekti moral tek personaliteti i myslimanit bashkëkohor

Aspekti moral tek personaliteti i myslimanit bashkëkohor
Ditët e sotme, bota anon më së shumti drejt moraleve pragmatiste, të cilat përkufizohen si sistem sjelljesh që ndjek individi jo sepse beson tek ato vlera, por sepse janë të leverdishme dhe i sjellin përfitime. Morale të tilla i gjen të përhapura kryesisht në botën perëndimore, ku has tregtarë dhe biznesmenë të sinqertë, të  besueshëm dhe zemërbutë. Atje ndeshesh me prodhues të sinqertë dhe cilësorë. Problemi i moraleve të tilla, gjithmonë është se nuk janë të qëndrueshme. Kjo, sepse personi që i ka përvetësuar ato, është i gatshëm të ndryshojë kahje dhe ti ndryshojë në rast se konstaton se është me interes. Të gjithë ne e dimë, që ky njeri perëndimor, i cili njihet për drejtësinë, sinqeritetin dhe besueshmërinë e tij në vendlindje, shndërrohet në një zullumqar, mashtrues, gënjeshtar, shpirtkazmë etj… kur kishte të bënte me persona të tjerë, jashtë kufijve të vendit të tij, sidomos gjatë kolonizimit. Sakaq, moralet absolute kanë si burim dhe bazë fenë. Moralet e tilla, kanë si karakteristikë qëndrueshmërinë dhe i has në çdo rrethanë dhe situatë. Këto morale janë materializuar nga myslimanët e parë, moralet e të  cilëve ishin absolutisht islame, brenda territoreve islame apo jashtë tyre. Ishin pikërisht këto morale, çelësi me të cilin depërtuan në zemrat e njerëzve kudo që shkelnin. Aq më tepër kur lexojmë që vendet ku hynin myslimanët vuanin nga shtypja dhe tirania e shtresës politike dhe ishin ata që vendosën rregullin, drejtësinë dhe barazinë.
Është për të ardhur keq, por një përqindje jo e vogël e myslimanëve të sotëm, e kanë lënë pas dore këtë dimension moral kaq të rëndësishëm. Ata nuk u përmbahen moraleve islame absolute, madje kanë dështuar tu përmbahen edhe moraleve pragmatiste.  Kjo ka çuar në lindjen e një disharmonie të personalitetit, e cila arrin në kontradiktë të thellë mes interesimit për çështjet e akides (kredos) dhe praktikave të përditshme e moraleve, sikur të ishin dy çështje të ndara dhe pa lidhje mes tyre, në vetëdijen e këtyre njerëzve. Kështu, gjen modele të tilla që falen dhe agjërojnë, por në të njëjtën kohë gënjejnë, mashtrojnë, u bien të tjerëve më qafë etj… sikur të mos kishte asnjë lidhje me fenë.
Prandaj, myslimani bashkëkohor, lipset të reflektojë me vetëdijen e tij dhe ta mbajë parasysh sloganin e Kuranit, i cili nxjerr në pah vlerat e profetit Muhamed a.s:” se ti je me virtyte madhore.” (Kalem, 4)
Ai duhet të reflektojë me vetëdijen e tij dhe të ketë parasysh cilësitë e besimtarëve të cekura qartazi në Kuran:”të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al Imran, 134) “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt.” (Nisa, 58)
Myslimanët e sotëm duhet të reflektojnë me vetëdijen e tyre,  mbi thënien profetike:”Nuk ka gjë më të rëndë në peshoren veprave të besimtarit, Ditën e Kiametit, sesa morali i mirë. Zoti e urren njeriun e pacipë dhe banal.” (Tirmidhij)
Kur pohojmë se morali i mirë është çelësi i zemrave dhe i dërguari për paqe tek të gjithë njerëzit, ne thjesht pohojmë një ligj universal të deklaruar nga Zoti në Kuran dhe të mishëruar tek profeti Muhamed a.s, i cili përcjell mesazhin e Zotit tek mbarë njerëzimi. Thotë Zoti në Kuran:”Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Al Imran, 159)
Është vërtetuar se në të gjithë etapat e historisë dhe në të gjithë shoqëritë humane, zakonisht njerëzit distancohen nga sjelljet e ashpra dhe zemrat e ngurta. Ashtu siç distancohen dhe i braktisin ziliqarët dhe tiranët, duke u dhënë me mish e me shpirt pas njerëzve të dashur, të dhembshur, zemërbutë dhe të respektueshëm.
Moralet kanë hijeshi dhe bukuri magjepsëse, shpesh herë edhe më të fuqishme se bukuria e natyrës. Fjalët e bukura të lënë shije të paharrueshme. Qëndrimi i lavdishëm, lë gjurmë që nuk fshihen. Këto fjalë dhe qëndrime skaliten dhe shkëlqejnë fort në faqet e historisë mijëravjeçare, duke u trashëguar me respekt brez pas brezi.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit