2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Mbështetja në hadithet e sakta

Më të lexuarat

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Mbështetja në hadithet e sakta

Dijetarët janë pajtuar se nuk lejohet bazimi në hadithet e dobëta për evidentimin dhe pohimin (konfirmimin) e rregullave, gjykimeve dhe vendimeve të Sheriatit, për gjërat që janë “vaxhib” (të detyrueshme), “mustehab” (të pëlqyeshme), “mekruh” (të papëlqyeshme), haram, kontrata të vlefshme, të pavlefshme etj. Për të argumentuar gjëra të tilla vlejnë veçse hadithet e vërteta ose të mira. Ibnu Tejmije ka thënë: “Për pohimin e çështjeve të Sheriatit, nuk lejohet të bazohesh në hadithe të dobëta, të cilat nuk janë as të sakta dhe as të mira, por Ahmed ibni Hanbel e të tjerë dijetarë, e lejuan të transmetohen, lidhur me mirësitë dhe epërsitë e punëve të mira, hadithe që nuk dihet se janë të sakta, përderisa nuk është faktuar që janë të rreme. Kjo, sepse kur mësohet që puna është e ligjshme me argument fetar të vlefshëm, dhe në lidhje me mirësinë (shpërblimin) e tij transmetohet një hadith që nuk është faktuar se është i rremë, atëherë shpërblimi i përmendur në të mund të jetë i vërtetë. Asnjëri prej dijetarëve nuk ka thënë që të bëhet diçka e detyrueshme ose e pëlqyeshme, bazuar në një hadith të dobët. Ai që e thotë këtë ka kundërshtuar ‘ixhmain’.” Pastaj ka shtuar e ka thënë: “Ahmed ibn Hanbel e të tjerë dijetarë si puna e tij, nuk bazoheshin në hadithe të tilla për t’u dhënë gjykim çështjeve fetare. Ai që ka përcjellë se Ahmedi bazohej në hadith të dobët që nuk është as i saktë dhe as i mirë, ka gabuar…”
Ndërsa për sa i përket përfitimit prej haditheve të dobëta, të cilët përmendin mirësi e shpërblime që ngjallin interesin për veprimin e punëve të mira, dijetarët nuk janë pajtuar. Por, mendimi më i saktë është që të mos përfitohet asgjë prej haditheve të dobëta, qoftë edhe për mirësitë e shpërblimet, të cilat ngjallin interesin për veprimin e punëve të mira, apo për frikësimin e punuesit të punëve të këqija. Ky është mendimi i shumë dijetarëve si ibn Mu’ini, Buhariu, Muslimi e të tjerë.
Dijetarët që e kanë lejuar përfitimin prej haditheve të dobëta në mirësitë dhe shpërblimin e punëve të mira kanë vendosur tri kushte:
1- Të mos jetë dobësia e hadithit shumë e madhe.
Me këtë kusht përjashtohen hadithet që përcillen nga gënjeshtarët, nga ata që akuzohen për gënjeshtër dhe ata që bëjnë gabime fatale e të rënda në transmetimet e tyre.
2- Puna për të cilën tregon hadithi të përfshihet nën një bazë të përgjithshme.
Kështu përjashtohen gjërat për të cilat nuk dëshmon asnjë bazë.
3- Të mos besohet se është i saktë, kur punon apo përfiton prej tij.
Pra, duhet të besohet se është hadith i dobët. Kjo në mënyrë që të mos i mvishet Profetit (salallahu alejhi ue selem) ajo që nuk e ka thënë.
Në lidhje me këtë mendim të këtyre dijetarëve dhe kushtet që kanë vendosur duhet të bëjmë tri sqarime:
a) Kushti i parë tregon se çdonjëri e ka detyrë ta njohë gradën e hadithit me të cilin do të punojë, në mënyrë që të mos bazohet në të, në rastin kur është shumë i dobët. Njohja e gradës së çdo hadithi dhe njohja e çdo hadithi të dobët me të cilin duan të punojnë, është e vështirë për shumicën dërrmuese të njerëzve, sepse dijetarët e hadithit, të cilët nuk u flasin njerëzve veçse me hadithe të sakta dhe i paralajmërojnë njerëzit nga hadithet e dobëta, janë të paktë, sidomos në këtë kohë. Prandaj ata që janë të dhënë pas punimit me hadithe të dobëta, e kundërshtojnë këtë kusht haptazi. Pothuajse sa herë që ndonjëri prej tyre, qoftë edhe dijetar në fusha të tjera veç hadithit, mëson një hadith të dobët, shpejton të punojë me të pa e ditur, dhe kur i tërheq vëmendjen ndonjëri rreth dobësisë së hadithit, menjëherë përmend si mbështetje rregullin e tij të pretenduar se “punohet me një hadith të dobët në mirësitë dhe shpërblimin e punëve të mira”. Por nëse do t’i përmendet ky kusht, hesht dhe nuk thotë asgjë. Për këtë po përmendim vetëm një shembull, i cili dëshmon për metodën e tyre në mosrespektimin e këtij kushti.
Ebul Hasenat el Eknevi përcjell në librin e tij “El exhvibeh” nga dijetari i nderuar Elkari se ai ka thënë për hadithin: “Dita më e mirë është Dita e Arafatit, nëse përkon me ditën e xhuma. Ajo është më e mirë se 70 haxhe”: “Këtë hadith e transmeton Rruzejni. Ajo që e kanë përmendur disa dijetarë të hadithit lidhur me ‘senedin’ e tij, pra që është i dobët, edhe sikur të jetë konsideratë e saktë, nuk e dëmton synimin e hadithit, sepse hadithi i dobët është i konsiderueshëm në mirësitë dhe shpërblimet e punëve të mira.” El Eknevi pasi e ka përmendur thënien e tij, e ka konfirmuar.
Lidhur me konkluzionin që kanë nxjerrë këta dy dijetarë, shejh Albani thotë: “Lexues i nderuar! Vëre se si nuk e kanë respektuar këta dy dijetarë të nderuar rregullin e lartpërmendur. Medoemos që ata nuk e kanë lexuar ‘senedin’ e këtij hadithi dhe nuk kanë mësuar gjë për të, se ndryshe do ta sqaronin gradën e tij dhe nuk do t’i kundërpërgjigjeshin pretendimit se është i dobët duke polemizuar me fjalët e tyre: ‘edhe sikur të merrrej si e saktë thënia që hadithi është i dobët’! E si mund të jetë i saktë përfundimi i tyre, ndërkohë që dijetari i madh e i njohur për thëniet e tij të vërteta, ibnul Kajim el Xheuzije në “Zadul mead”, për këtë hadith ka thënë: ‘I pavlefshëm e i pavërtetë. Nuk është përcjellë me ‘sened’ as nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), as nga sahabët dhe as nga tabiinët’.”
Pas kësaj shejh Albani ka dalë në përfundimin se respektimi i këtij kushti në praktikë, do të çojë në lënien e haditheve që nuk evidentohen si të sakta apo të mira, për arsye se njohja e dobësisë së theksuar të një hadithi është e vështirë për shumicën e njerëzve. Pra, rezultati i respektimit të këtij kushti, bën që ky mendim të përputhet (praktikisht) me mendimin që kemi zgjedhur (d.m.th. mospranimin në mënyrë absolute të hadithit të dobët).
b) Kushti i dytë tregon se faktikisht, praktikimi i punës së mirë nuk është bazuar në hadith të dobët, por në bazën e përgjithshme (d.m.th. në ajet kuranor dhe hadith të vërtetë e të mirë), kështu që praktikimi i kësaj pune është i argumentuar, ekziston hadithi i dobët apo nuk ekziston. Ndërsa puna që është transmetuar vetëm me hadith të dobët, nuk mund të jetë e argumentuar dhe nuk lejohet të praktikohet nëse nuk është e mbështetur në bazë të përgjithshme. Me këtë kusht, punimi me hadith të dobët mbetet një gjë formale dhe joreale. Këtu duhet bërë e qartë se, si kushtin e parë, po ashtu edhe këtë kusht, nuk e kanë respektuar sepse kanë vlerësuar shumë punë si të pëlqyeshme e të mira, megjithëse janë transmetuar vetëm në hadithe të dobëta dhe nuk ka një bazë që dëshmon për to. Madje ndonjëherë mendimi i tyre me pretekstin e bazimit në këtë rregull, bie ndesh me të dy kushtet e sapopërmendura, ngaqë hadithi në të cilin mbështeten është shumë i dobët ose i trilluar dhe nuk ka argument të saktë që dëshmon për punën që përmban, si p.sh. hadithi që nxit për namazin “ragaib”.
c) Kushti i tretë pajtohet me kushtin e parë për domosdoshmërinë e njohjes së dobësisë së hadithit, në mënyrë që të mos besohet se është i saktë. Nga ajo që sqaruam mëson se shumica dërrmuese e atyre që punojnë në mirësitë e punëve të mira me hadithe të dobëta, nuk e dinë që janë të tillë.
Si përfundim, i këshillojmë të gjithë vëllezërit muslimanë të mos punojnë me hadithe të dobëta në mënyrë absolute dhe t’i përkushtohen praktikimit të asaj që ka ardhur në hadithe të sakta nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), sepse në to ka punë që janë të mjaftueshme dhe e bëjnë të panevojshëm të punuarit me këto hadithe. Nëse do të bazohemi vetëm në hadithe të sakta e të mira, kjo do të na mbrojë nga gënjeshtra ndaj të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), sepse nga përvoja kemi mësuar se ata që na kundërshtojnë në këtë çështje kanë rënë në gënjeshtër (qoftë edhe padashje), ngaqë punojnë me çfardolloj hadithi. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka folur për këtë në thënien e tij: “I mjafton njeriut prej gënjeshtrës që të flasë çdo gjë që e dëgjon.” Transmeton Muslimi në parathënien e “Sahihut” të tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit