Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës- Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame organizoi tryezë shkencore me rastin e 120-vjetorit të lindjes së hfz Fahri ef. Iljazit- Alim dhe udhëheqës i shquar i Bashkësisë Islame, ku u vlerësua jeta, vepra dhe kontributi e njërit prej personaliteteve, myderrizëve, myftinjve e alimëve më të shquar të Bashkësisë Islame në shekullin e kaluar – hafiz Fahri efendi Iljazit. Në këtë Konferencë morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, dekani i FSI-së Dr. Islam Hasani, Sabri Bajgora – Drejtor i Institutit të Hulumtimeve dhe Studimeve Islame, Ramadan Shkodra – Drejtor për Botime – BIK, anëtarët e Kryesisë së BIK-ut, familjarë të familjes Iljazi,përfaqësues të KB Islame të Kosovës, hulumtues, profesor e shumë të pjesëmarrës tjerë.Tryeza filloi me ashere kënduar nga – Ylli Kaçiku.
Kurse në fjalën e hapjes Ramadan Shkodra – Drejtor për Botime – BIK foli në emër të Këshillit Organizativ tha se falënderoi të gjithë pjesëmarrësit te cilët kontribuuan me kumtesat e Njëherit ai premtoi se me mbështetjen e Myftiut Tërnava do të mbahen edhe tryeza tjera dhe aktivitetet kulturore.Ai tha se në këtë tryezë shkencore kujtojmë rolin dhe kontributin e një prej ulemave tonë hfz Fahri ef. Iljazit- Alim dhe udhëheqës i shquar i Bashkësisë Islame.
Më pas Sabri Bajgora – Drejtor i Institutit të Hulumtimeve dhe Studimeve Islame tha se : është nder dhe privilegj i veçantë që sot gjendemi në këtë Sallë, për një ngjarje të këtillë shkencore, siç është kjo tryezë shkencore, që i dedikohet një figure kaq emblematike sic është figura e ndritur e alimit dhe udhëheqësit të shquar të Bashkësisë Islame, Hfz. Fahri ef. Iljazi. Fatmirësisht, në këtë Tryezë shkencore, ende kemi njerëz që e mbajnë gjallë kujtimin për të, dhe nga ata do të dëgjojmë mbresa e kujtime të dorës së parë. Për neve, është po ashtu një nder, që në mesin tonë, në Kryesinë e BIK-ut, kemi edhe nipin e Hfz. Fahri efendiut, Fatmir ef. Iljazin, i cili e vazhdon me sukses këtë rrugëtim gjeneratash të familjes së madhe Efendija. Nga shumë prej gjeneratës së tyre që janë shkolluar nëpërmjet duarve të këtij alimi të madh, gjithnjë kemi dëgjuar fjalë të mëdha, por në fund, të gjithë ata, e ndjenin veten të pafuqishëm ta përshkruanin në mënyrë meritore personalitetin e tij të pashoq. Ky alim i madh, së bashku me shokët e tij, ishin sikur drita nëpërmjet të cilës udhëzohej populli.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se organizimi i kësaj Tryeze shkencore për myderriz Fahri ef. Iljazin, edhe njëherë dëshmon vendosmërinë e Kryesisë së BIK-ut, për të vazhduar traditën e saj të nisur vitet e fundit për ndriçimin e asaj plejade të tërë të ulemave që u shquan ndër vite e dekada për punën e tyre vetëmohuese e këmbëngulëse për të mirën e njerëzimit, të fesë dhe të atdheut tonë. Myderriz Fahri efendiu, – me gjithë që jetoi e veproi në kohë të vështira ku ndërrimet e sistemeve shoqërore e ideologjike ishin të shpeshta dhe në të shumtën e rasteve edhe të dëmshme e me pasoja për ne si popull, dhe të cilat nuk ishin aspak dashamirëse për besimet në përgjithësi, e besimin islam në veçanti, – ai falë edukimit të mirë e të drejt që kishte marrë që nga familja disa breza hoxhallarësh dhe i kalitur e formuar nga qarku i ulemasë së Gjakovës, tërë jetën ia kushtoi misionit për të cilin ishte përgatitur, për din e iman, për fe dhe për të mirën e shoqërisë dhe të vendit, gjithnjë mbi parimet dhe mësimet e Kuranit fisnik, të cilin e kishte mësuar përmendsh që në rininë e tij, tek i ati i tij muhafizi e myderrizi i njohur Iljaz ef. tek i cili edhe i nisi edhe studimet në Medresenë e Madhe të Gjakovës, për t’i përfunduar me ixhazet në medresenë e njohur “Mehmet Pasha” të Prizrenit para myderriz, myftiut e dijetarit Hafiz Nysret efendi Galibit. Në fund, edhe një herë përgëzoj IHSI për organizimin e kësaj tryeze shkencore dhe mirënjohje e falënderim gjithë dashamirësve dhe kontribuuesve për ndriçimin dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së Hafiz Fahri efendi Iljazit, për shpirtin fisnik të të cilit, ju lus të këndojmë bashkërisht një “Fatiha”!
Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti Muhamed Iljazi – I biri i Fahri ef. Iljazit i cili falënderoi Myftiun Tërnava dhe BIRK-un për organizimin e kësaj tryeze shkencore.
Drejtues i seancës është kryeimami I BIK-ut, Vedat ef. Sahiti.
Në pjesën tematike me kumtesa u paraqitën. Dr. Sadik Mehmeti “Të dhëna për shkollimin e Fahri ef. Iljazit dhe aktiviteti i tij si myderriz në Medresenë e Madhe të Gjakovës; – Mr. Ramadan Shkodra Kontributi i Fahri ef. Iljazit në riorganizimin e Bashkësia Islame të Kosovës pas Luftës Dytë Botërore; – Akad. Feti Mehdiu Fahri ef. Iljazi dhe mevludi i Tahir efendi Popovës; – Alban Dobruna Fahri ef. Iljazi – kryetar i Nënmyftinisë së Gjakovës gjatë Luftës së Dytë Botërore; – Elez Osmani Fahri ef. Iljazi – (1903-1985) në kujtesën time; – Esat Rexha Kujtimet e mia për Myderiiz Fahri ef. Iljazin; kurse fjalën përmbyllëse e bëri Dr. Valon Myrta – Kryetar i KBI – Gjakovë