0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Marshimi kritik i ujkut me katër këmbë

Më të lexuarat

Nga Sokol SHAMETI

Në një fotografi të mirënjohur, të shkrepur siç raportohet në malet dimërore të Rumanisë, një kope ujqish shihet teksa marshon me disiplinë, nëpër dëborë.

Edhe pse debatet shkencore për vërtetësinë e fotos ende gëlojnë, të bie në sy një inxhinieri e përsosur sociale në miniaturën e shoqërisë që paraqet ky kolektiv i vogël ujqish.

Duke qenë një shoqëri thellësisht hierarkike, ujqit siç duket, besojnë te organizimi. Duket sikur një dorë e arsyeshme dhe e mençur i ka vendosur ujqit e kësaj kopeje, të ndarë me klasa, të ecin sipas një rendi të caktuar në rresht.

Në fillim të rreshtit prijnë, siç shpjegohet në foto, ujqit e moshuar. Kjo bëhet sepse për shkak të ngadalësisë së moshës, ata mund të mbeteshin mbrapa të tjerëve. Gjithashtu ata njohin shtigjet e nëse grupi bie në pritë, ata janë të parët që sakrifikohen. Pas tyre vjen një grup ujqish të rinj e të fuqishëm që shërbejnë si truprojë. Në mes janë femrat dhe këlyshët e pas tyre një grup tjetër të rinjsh luftarakë. Në fund, i shkëputur, pa mbrojtje speciale e i vetmuar, ecën kryetari i kopesë. Ai kujdeset që ta ketë në rreze shikimi gjithë tufën, të përcaktojë drejtimin si dhe që askush të mos humbasë e të mbetet prapa.

Nëse e përkthejmë ne terma njerëzorë gjithë këtë skenë, do të tingëllonte kështu:
Në ballë ecën urtësia dhe përvoja (universiteti, akademia dhe kujtesa e gjeneratave të shkuara). Për shkak të mungesës së një roli biologjik, ky grup është lehtësisht i sakrifikueshëm. Krahët e tyre mbrohen nga institucionet e dhunës (ushtria, policia, gjykatat). Këto të fundit gjithashtu janë edhe parapritë e rrezikut mbi forcat prodhuese e riprodhuese (femrat, këlyshët me fjalë të tjera, populli). Forca mbron gjithashtu edhe shpinën e këtij grupi produktiv, duke lënë në bisht liderin ekzekutiv – qeverinë.

Kjo strukturë sociale e cila garanton efikasitet e që reflekton po ashtu edhe një logjikë të pastër, është ndërkohë edhe një kritikë.

Kjo është kritika më e qartë që mund t’i bëhet një rendi shoqëror, si ky yni, i cili duket se prej kohësh po dështon të funksionojë. Ky është një rend të cilit po i mungon empatia dhe respekti për përvojën, ku nuk po ka mbrojtje për forcat prodhuese, e ku dhuna po mbron veç ekskluzivitetet e kreut të kopesë.

Sikur ujqit të merrnin shembull nga ky rend shoqëror ku jetojnë njerëzit, atëherë renditja e tyre do të ndryshonte.
Në krye do të ecte sigurisht masa e femrave dhe këlyshëve, të cilët të lënë pa mbrojtje e pa instrumentin e përvojës që u tregon shtigjet, do të ishin vazhdimisht nën goditje prej rreziqeve, duke pësuar humbje në radhët e veta e duke e tërhequr në aventurën e paditurisë të gjithë kopenë. Në qendër, i mbështjellë më së miri para e mbrapa prej forcave të dhunës do të qëndronte lideri, i cili nuk shqetësohet për fatin e pararojës, por e gjen rrugën shtruar prej hapave të saj. Ai po ashtu përfiton avantazhe të tjera prej turmës së popullit që po sakrifikohet duke çarë rrugën. Në fund, të lënë mbrapa e të braktisur janë të moshuarit e të urtët, të cilët humbasin e vdesin pa e ndjerë kurrë praninë e ndonjë lloj përgjegjësie sociale mbi ta.

A nuk ngjan ky përshkrim pikërisht me inxhinierinë çnjerëzore të një vendi nën zgjedhë neoliberale si i yni? A nuk është në këtë vend, masa e madhe produktive e popullit e lënë të endet pa adresë në mes të katër rrugëve duke i bërë ballë pa mbrojtje stuhive të pashpirta të tregut, të papunësisë, e të së panjohurës? A nuk është kjo masë ajo që i paguan me lëkurën e vet kostot e shtrenjta të pusive-kriza gjithëfarëllojëshe? Fundja, a nuk është ky grup ai që shfrytëzohet në masën më të madhe për benefitin e “lidershipit” duke e furnizuar atë jo vetëm me lëndën e parë njerëzore nga ku dalin policë e militantë por deri edhe me përfitimin më të mirëfilltë, më të ftohtë e më të paturp ekonomik?

Ndërkohë, a nuk është “lidershipi” ekzekutiv dhe financiar shtresa e mbështjellë nën mburojën e forcës represive të policisë, ushtrisë e legjislacionit? A nuk janë ata të favorizuarit që përfitojnë privilegje të cilat nuk justifikohen me përgjegjësinë e ulët që ata mbajnë apo llogarinë që japin? A nuk është po ky grup dhe keqvendosja e tij në “hitparejdin” social, barra e vërtetë që e pengon përparimin e së tërës?

Në fund, a nuk janë mbartësit e përvojës, të mençurit, të diturit e intelektualët ata që janë lënë në plakjen e shpërfilljes dhe moskokëçarjes? A nuk janë ata që shoqëria qëllimisht i ka lënë në bisht si një shtojcë e paleverdisshme, e dalë mode, e mërzitshme, e cila meqënëse ka kosto, më mirë të flaket rrugës?

A nuk është bash për shkak të kësaj keqvendosjeje të të gjithë aktorëve socialë, që e gjithë turma në vetvete ndodhet në disfatë të përhershme, duke u endur në kaos e duke u shfrytëzuar në vazhdimësi prej kujtdo që mundet? A nuk është ajo në dorë të anarkisë së brendshme, armiqësisë, urisë që ushqen kriminalitetin mes vedi, grabitjes dhe pandershmërisë së përgjithshme?
Deri edhe ujqit, me siguri kaq gjë e dinë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit