2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Marrakeshi dhe të drejtat e njeriut

Më të lexuarat

“Feja duhet të jetë një mjet drejt bashkë-ekzistencës. Karta e Medines stabilizoi idenë e një qytetarie të përbashkët (një kombi) pavarësisht besimit fetar.” Shejh Abdulla bin Bejah
Konferenca e Marrakeshit është një zhvillim madhor për të gjithë botën myslimane dhe njëkohësisht për të drejtat e njeriut. Forumi Musliman i Shqipërisë e përshëndet deklaratën e dalë nga kjo konferencë dhe të gjithë konkluzionet e arritura aty nga dijetarët e 120 vendeve myslimane. Forumi Musliman i Shqipërisë ka qenë gjithnjë i angazhuar në këtë drejtim, si dhe në përkrahje të mirëkuptimit dhe harmonisë ndërfetare në vend. Parimet e përmendura në këtë deklaratë janë pjesë e ndjeshme e jetesës sonë të përditshme dhe mbrojtja e tyre është një domosdoshmëri për të gjithë ne. Liria e lëvizjes, e drejta e pronës, solidariteti dhe mbrojtja reciproke, si dhe parimet e drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit janë parime të një shoqërie demokratike, e cila kërkon të arrijë një bashkë-ekzistencë paqësore midis të gjithë qytetarëve pa dallime krahinore apo fetare. Pikërisht këto kërkesa ishin në fokus të deklaratës të shpallur në këtë Konferencë Ndërkombëtare nga shtetet me shumicë myslimane.

Deklarata e Marakeshit 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit 

Përmbledhje e Deklaratës së Marakeshit për të Drejtat Fetare të Minoriteteve në Vendet me Shumicë Muslimane 
25-27 Janar, 2016 

Duke pasur parasysh se kushtet në pjesë të ndryshme të botës muslimane janë përkeqësuar në mënyrë të rrezikshme për shkak të përdorimit të dhunës dhe luftës së armatosur si mjet për zgjidhjen e konflikteve dhe imponimin e pikëpamjeve të një pale; 

Kjo situatë ka dobësuar autoritetin e qeverive legjitime dhe u ka mundësuar grupeve kriminale të lëshojnë vendime në emër të Islamit, por të cilat në fakt kanë shtrembëruar parimet bazë dhe qëllimet e tij në një formë që ka dëmtuar seriozisht popullin në tërësi; 

Ky vit shënon 1400 vjetorin e Kartës së Medinës, një kontratë kushtetuese midis Profetit Muahmed, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe njerëzve të Medinës, e cila garantonte lirinë fetare për të gjithë, pavarësisht besimit; 

Qindra dijetarë dhe intelektualë muslimanë nga 120 vende, së bashku me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare Islame, si dhe liderë nga grupe të ndryshme fetare dhe kombëtare, u mblodhën në Marakesh në këtë datë për të pohuar edhe njëherë parimet e Kartës së Medinës në një konferencë të madhe; 

Kjo konferencë u mbajt nën kujdesin madhërisë së tij, Mbretit të Marokut, Muhamedit VI dhe u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Vakëfeve dhe e Çështjeve Islame në Mbretërinë e Marokut dhe Forumin për Promovimin e Paqes në Shoqëritë Muslimane me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe; 

Duke parë rëndësinë e kësaj situate, e cila prek si muslimanët ashtu edhe njerëzit e besimeve të tjera në botë, dhe pas një reflektimi dhe diskutimi të gjatë, ne dijetarët dhe intelektualët muslimanë të mbledhur këtu; 

Deklarojmë me anë të këtij dokumenti angazhimin tonë të palëkundur ndaj parimeve të shprehura në Kartën e Medinës, parashikimet e së cilës përmbanin një sërë parimesh kushtetuese kontraktuale të qytetarisë: si liria e lëvizjes, e drejta e pronës, solidariteti dhe mbrojtja reciproke, si dhe parimet e drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit. 

Objektivat e Kartës së Medinës sigurojnë një kuadër të përshtatshëm për kushtetutat e vendeve me shumicë muslimane. Karta e Kombeve të Bashkuara dhe dokumentet e ngjashme, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, janë në harmoni me Kartën e Medinës, përfshirë vëmendjen që i kushtohet rendit publik. 

Reflektimi i thellë në lidhje me krizat e ndryshme nga të cilat vuan njerëzimi thekson nevojën urgjente e të pashmangshme për bashkëpunim midis të gjitha grupeve fetare. 

Ne konfirmojmë se një bashkëpunim i tillë duhet të bazohet në një “fjalë të përbashkët”, duke kërkuar që ky bashkëpunim të shkojë përtej tolerancës dhe respektit reciprok, për t’i siguruar mbrojtje të plotë të drejtave dhe lirive të të gjitha grupeve fetare në një mënyrë të qytetëruar, e cila të shmang detyrimin, paragjykimet dhe arrogancën. 

Duke u bazuar në sa më sipër, ne: 

I bëjmë thirrje dijetarëve dhe intelektualëve muslimanë në të gjithë botën që të përpunojnë një jurisprudencë mbi konceptin e “qytetarisë”, e cila të përfshijë të gjitha grupet e ndryshme. Kjo jurisprudencë duhet të jetë e bazuar në traditën Islame, në parimet dhe në vetëdijen e ndryshimeve globale. 

U kërkojmë institucioneve arsimore islame dhe autoriteteve që të bëjnë një shqyrtim të guximshëm të kurrikulave arsimore, i cili të adresojë sinqerisht dhe në mënyrë të efektshme çdo material që nxit dhunën dhe ekstremizmin, që çon në luftë dhe kaos, e që rezulton në shkatërrimin e shoqërisë sonë të përbashkët; 

U bëjmë thirrje politikanëve dhe vendimmarrësve që të ndërmarrin hapat e nevojshme politike dhe ligjore në vendosjen e një marrëdhënieje kushtetuese kontraktuale midis qytetarëve të tyre dhe të mbështesin çdo ide dhe iniciativë që ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit midis grupeve të ndryshme fetare në Botën Muslimane; 

U bëjmë thirrje anëtarëve të arsimuar, artistëve dhe profesionistëve të shoqërisë sonë, si dhe organizatave të shoqërisë civile që të krijojnë një lëvizje të gjerë për trajtimin e drejtë të minoriteteve fetare në vendet muslimane, të rrisin vetëdijen për të drejtat e tyre dhe të punojnë së bashku për të siguruar suksesin e këtyre përpjekjeve. 

U bëjmë thirrje grupeve të ndryshme fetare, të cilat i lidh e njëjta kombësi që të adresojnë gjendjen e tyre të përbashkët të amnezisë selektive, e cila bllokon memoriet shekullore të bashkëjetesës në të njëjtën tokë; që të rindërtojnë të kaluarën duke ringjallur traditën e bashkëjetesës, të kthejmë besimin e përbashkët që është shkatërruar nga ekstremistët duke përdorur agresionin dhe aktet terroriste; 

Dhe në fund, u bëjmë thirrje përfaqësuesve të feve të ndryshme, sekteve dhe grupeve që t’i kundërvihen të gjitha formave të fanatizmit fetar, shpifjeve dhe denigrimit të asaj që konsiderohet e shenjtë për të tjerët dhe të kundërshtojnë çdo formë ligjërimi që promovon urrejtjen dhe fanatizmin. 

Pohojmë me bindje se është e pafalshme të përdoret feja si justifikim për të shkelur të drejtat e minoriteteve fetare në vendet muslimane. 

Marakesh. 

27 janar, 2016 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit